Kërko

Aftermath of Russian ballistic missile shelling in Kyiv

Ukraina, nunci: shqetësohesh kur dëgjon ata që bekojnë luftën. Papa, zëri i vetëm i paqes

Kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas përshkruan situatën në terren, me bombardimet e vazhdueshme të kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera: "Tani, kur përshëndetemi me njëri-tjetrin, themi: 'Faleminderit Zotit, je gjallë'. Vdekjet e civilëve janë vazhdimisht në rritje". Prelati thekson edhe rëndësinë e vizitave të Kardinalit Zuppi e të Imzotit Gallagher dhe kujton vlerësimin e madh në vend për thirrjet e Papës

Vatican News

"Në Ukrainë, prej kohe, kur takohemi me ambasadorë, priftërinj ose ipeshkvij të tjerë, përshëndetja është shpesh: 'Faleminderit Zotit, jeni gjallë, jeni gjallë', sepse vdekjet e civilëve janë vazhdimisht në rritje." Kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas, Nunc Apostolik në Ukrainë, ndau me median e Vatikanit një ndjenjë të thellë hidhërimi në përshkrimin e  situatës në një vend të shkatërruar nga më shumë se katër vjet luftë. Dhuna dhe sulmet janë intensifikuar javët dhe muajt e fundit; Sot, më 5 gusht, sulme të reja ruse goditën Kievin dhe qytete të tjera ukrainase, duke shkaktuar viktima dhe shkatërrime. "Për shembull - shpjegoi përfaqësuesi papnor - në korrik pati të paktën dhjetë sulme me raketa balistike në Kiev: mesatarisht një sulm çdo tre ditë. E njëjta gjë po ndodh edhe tani, në gusht. Kjo do të thotë shumë viktima civile".

Shkëlqesia Juaj, cila është situata në terren dhe si po përballet popullsia?

Sapo kontrollova shifrat, të cilat për shumë janë thjesht statistika, por kur mendoj për të vdekurit, i kujtoj ata të parët në lutjet e mia. Më 1 gusht, pati dhjetë vdekje civile në Kiev; më 2 gusht, shtatë vdekje në Zaporizhia; më 3 gusht, gjashtëmbëdhjetë vdekje në rajone të ndryshme. Mbrëmë pati pesëmbëdhjetë vdekje [shtatëmbëdhjetë në kohën e publikimit, red.] vetëm në Kiev dhe zonën përreth. Pra, çdo ditë ka një duzinë ose më shumë vdekje civile, pa llogaritur të plagosurit dhe shkatërrimin e përhapur. Me sa duket, kjo na shtyn edhe më shumë të vlerësojmë atë që Papa Leoni e thotë me këmbëngulje. Për shembull, vetëm mbrëmë pata një takim të mrekullueshëm me disa miq ortodoksë. Ishte një peshkop, një prift dhe një dhjak, të cilët theksuan me shumë sinqeritet: "Ne kemi Papën Leoni, i cili këmbëngul se asnjë luftë nuk mund të justifikohet". Miqtë tanë ortodoksë gjithashtu e vlerësojnë shumë këtë angazhim dhe qartësi nga Papa Leoni, duke përsëritur se nuk mund të ketë justifikim për luftën. Është sikur ai të ishte i vetmi zë që lartohet në mbrojtje të paqes. Prandaj doja të theksoja se sa shumë vlerësohet ky mesazh këtu, në Ukrainë.

Në javët e fundit Ukraina mirëpriti vizitat e kardinalit Matteo Zuppi, të dërguarit të posaçëm të Papës për çështjet humanitare, dhe kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher, Sekretarit të Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Çfarë rëndësie kishin këto dy vizita, si diplomatike e humanitare, ashtu edhe shpirtërore, për Kishën dhe popullin ukrainas, e gjithashtu edhe për ju personalisht, si nunc apostolik?

Këto ishin vizita shumë të rëndësishme për disa arsye. Dy vizita të ndryshme sepse Kardinali Zuppi erdhi për çështje humanitare, për të cilat ai ka qenë përgjegjës që nga viti 2023 e për të cilat Papa Leoni XIV e konfirmoi si të dërguar të posaçëm. Kryeipeshkvi Paul Gallagher erdhi për dy çështje të tjera shumë të rëndësishme: një shpirtërore dhe një diplomatike. Aspekti shpirtëror u përfaqësua nga kremtimi Eukaristik në Berdychiv, një çast me rëndësi të madhe për lutjen dhe jetën shpirtërore. Aspekti tjetër ishin takimet me autoritetet civile e, për këtë arsye, edhe puna diplomatike e politike. Së pari do të doja të theksoja dy elementë. I pari është se të gjithë autoritetet, si dhe shumë njerëz, e vlerësuan vetë faktin e këtyre vizitave, sepse sot, siç e dinë të gjithë, të shkosh në Kiev është shumë më e vështirë sesa, për shembull, të arrish në Zelandën e Re: nga pikëpamja logjistike, është jashtëzakonisht e kërkuar. Elementi i dytë është edhe më i rëndësishëm. Të jesh i pranishëm, t'u kushtosh kohë dhe vëmendje njerëzve dhe diskutimeve, u jep këtyre vizitave një vlerë të veçantë. Këto nuk janë takime sipërfaqësore, por diskutime të thella, e ky është aspekti që unë e konsideroj më domethënës. Këto vizita lejojnë një shqyrtim vërtet të thellë të çështjeve, sepse si tema e paqes, ashtu edhe çështjet humanitare që lidhen me to, nuk janë tema sipërfaqësore: kërkojnë shumë punë, mirëkuptim dhe vazhdimësi. Shpesh, nuk ka mënyrë tjetër për t'i trajtuar ato në thellësi, përveçse përmes këtyre vizitave pune. Duke qenë i pranishëm në takime, jam në një pozicion të privilegjuar për të kuptuar sa të rëndësishme janë ato.

Ju jetoni në Kiev dhe shihni vuajtjet e popullsisë çdo ditë. Çfarë do të thotë, konkretisht, të jetosh nën bombardime të vazhdueshme? Si ka ndryshuar jeta e përditshme e njerëzve dhe çfarë ndikimi ka kjo luftë në jetën e tyre?

Janë përvoja shumë të vështira. Në Kiev, për shembull, shpesh 45,000 a 50,000 njerëz e kalojnë natën në stacionet e metrosë, pa llogaritur strehë të tjera. Një numër i madh banorësh të Kievit, veçanërisht kur e dinë se rreziku i bombardimeve është i lartë, e kalojnë natën nën tokë. Ky është realiteti. Në qytete të tjera, si Khersoni, spitalet funksionojnë nën tokë dhe madje edhe ndihma humanitare mund të shpërndahet vetëm në strehimore. E njëjta gjë vlen edhe në Kharkiv. Prej këndej, ka vuajtje të thella psikologjike dhe fizike. Për shkak të intensitetit të bombardimeve, nuk e di kurrë se ku do të bien raketat. Meqenëse nuk kam familje, mund ta përballoj këtë situatë me një farë qetësie; por kur mendoj për prindërit, baballarët dhe nënat që shqetësohen më pak për veten sesa për fëmijët e tyre, e kuptoj sa dramatike është kjo përvojë. Duke folur me ambasadorë të tjerë, e di se shumë prej tyre madje kanë pasur nevojë t’i ndryshojnë zakonet e tyre. Njëri disa ditë më parë, më tha: "Unë shkoj në shtrat në orën 8 të mbrëmjes, sepse pas mesnatës, kur fillojnë bombardimet e fundit, tashmë e di se nuk do të jem në gjendje të fle më". Kjo është arsyeja pse ata përpiqen të pushojnë disa orë më parë, duke e ditur se nata do të ndërpritet në mënyrë të pashmangshme. Kështu që jemi detyruar të ndryshojmë zakonet tona. Për më tepër, këtë mëngjes, stafi i Nunciaturës na tha se është e vështirë edhe të marrësh autobusin, sepse shumë rrugë janë të mbyllura për shkak të bombardimeve. Mbeturinat duhet të hiqen dhe, në disa raste, zonat të pastrohen nga municionet e pashpërthyera: disa raketa balistike lëshojnë bomba të vogla thërrmuese. Edhe metroja shpesh nuk arrin të rifillojë shërbimin në orët e para të mëngjesit, sepse urat janë të mbyllura për arsye sigurie. Kështu, jeta në qytet rifillon vetëm gradualisht. Për të mos përmendur ajrin. Kur dëgjoj kaq shumë shqetësime për mjedisin, mendoj se këtu, gjithçka duhet të bëj është të hap derën e përparme: menjëherë ndjen erën e karburantit të raketave, shpërthimeve dhe ndërtesave që digjen. Erë djegieje, që qëndron në ajër për ditë të tëra, ndonjëherë javë, dhe ndikon mbi jetën e të gjithëve. Fatkeqësisht, ky realitet është bërë, si të thuash, normal. Pikërisht për këtë arsye, doja të theksoja rëndësinë e thirrjeve të Papës Leoni XIV për paqe. Sepse kush mund ta justifikojë luftën? Kush mund të guxojë të thotë se lufta mund të ketë ndonjë kuptim? Unë besoj se askush nuk mundet. Kjo është arsyeja pse është shqetësuese të dëgjosh se ka ende nga ata që kërkojnë ta mistifikojnë, t'i atribuojnë një kuptim moral luftës, apo edhe ta bekojnë atë. Kjo është arsyeja pse lutemi për konvertimin e vëllezërve tanë.

05 gusht 2026, 16:19