Kërko

Engjëlli i Tënzot Engjëlli i Tënzot 

Françesku: nuk duhet dialoguar kurrë me djallin

“Misioni i Krishtit është luftë kundër djallit, në të gjitha dukjet e tij të shumënumërta”. Në Engjëllin e Tënzot Papa kujtoi dyzet ditët, që Jezusi i jetoi në vendin e provës e të tundimit.

R. SH. - Vatikan

“Shpirti Shenjt e çoi Jezusin në shkretërirë”. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e Pallatit Apostolik, në të Dielën e parë të Kreshmëve, Papa u ndalua tek Ungjilli i Tundimeve, “duke treguar rrugën për t’i jetuar me fryt dyzet ditët, që çojnë drejt kremtimit vjetor të Pashkëve”.

 Rruga, drejt Pashkëve

 Të mërkurën e kaluar - kujtoi Papa - me ritin pendestar të përhimjes, nisëm udhën e Kreshmëve. Ndërsa sot, në të dielën e parë të kësaj kohe liturgjike, Fjala e Zotit na tregon rrugën për t’i jetuar me fryt dyzet ditët që na çojnë në kremtimin vjetor të Pashkëve. Është rruga e përshkuar nga Jezusi – kujtoi Papa - që Ungjilli i Shën Markut, me stilin e tij të ngjeshur, e përmbledh, duke shpjeguar se Zoti, para se të niste predikimin, u tërhoq 40 ditë në shkretërirë, ku u tundua nga djalli (krh1,12-15). Ungjilltari nënvizon se ishte vetë “Shpirti, që e çoi Zotin në shkretëtirë, e aty u tundua nga djalli”. E gjithë jeta e Jezusit është nën shenjën e Shpirtit të Zotit - shpjegoi Papa. - Shpirti i jep jetë, e frymëzon, i prin.

Shkretëtira, vend simbolik

Shkretëtira! Të ndalohemi një çast në këtë mjedis natyror e simbolik, tejet të rëndësishëm, që e ndeshim dendur në Bibël - kujtoi Papa - e në vijim përshkroi pikërisht këtë vend, ku Zoti i flet zemrës së njeriut e ku gurron përgjigjja e lutjes. Bëhet fjalë për shkretëtirën e vetmisë, të zemrës së shkëputur nga gjërat e tjera. E vetëm kjo vetmi ta hap zemrën për fjalën e Zotit. Por është edhe vend  i provës e i tundimit - kujtoi Françesku -  ku Tunduesi, duke përfituar nga  brishtësia dhe nevojat njerëzore, ngjall një mori dyshimesh me zërin e tij joshës, të ndryshëm nga zëri i Zotit:

“Ndaj gjatë dyzet ditëve, që Krishti jetoi në shkretëirë, nisi 'dueli' i Jezusit me djallin. Dialog që përfundon  me Mundimet e Kryqit”.

 E gjithë shërbesa e Krishtit është luftë kundër djallit, në dukjet më të ndryshme: gjatë shërimit të të sëmurëve, ekzoçizmave mbi të djemnuemit, faljes së mëkateve - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit.

Faza e parë e betejës së Krishtit kundër djallit

Pas fazës së parë, në të cilën Jezusi dëshmon se vepron me pushtetin e Zotit, të duket se djalli fiton, kur i Biri i Zotit përbuzet, braktiset e, në fund të fundit, kapet e dënohet me vdekje. E pikërisht vdekja - nënvizoi Papa - ishte “shkretëtira” e fundit, që duhej përshkuar për ta mundur përfundimisht shejtanin e për t’i çliruar të gjithë nga pushteti i tij.

Jeta e të krishterit, luftë e vazhdueshme kundër shpirtit të keq

Jeta e të krishterit është luftë e vazhdueshme kundër shpirtit të keq - theksoi në vijim Papa - Na e kujton çdo vit, në fillim të kreshmëve, Ungjilli, që përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Kështu është edhe jeta e të krishterit, që ecën mbi gjurmët e Jezusit. Kundër shpirtit të së keqes. Na tregon se Jezusi e përballoi vullnetarisht djallin dhe e mundi; por duke na kujtuar se djallit i lejohet të veprojë edhe mbi ne, me tundimet e tij. Duhet të jemi të vetëdijshëm për praninë e këtij armiku dinak, që kërkon dënimin tonë të amshuar, dështimin tonë. Ndaj duhet që secili prej nesh të përgatitet për t’u mbrojtur, për ta luftuar e për ta mundur - ishte porosia e Françeskut. -  Hiri i Tënzot na siguron, përmes fesë, lutjes e pendesës, fitoren e sigurt mbi armikun.

Po unë – kujtoi Papa - dëshiroj të nënvizoj një gjë:

“Ndër  tundime Jezusi nuk dialogon kurrë me djallin. Kurrë. Ose e dëbon nga të pushtuarit prej tij, ose e dënon, ose u tregon të gjithëve ligësinë e shejtanit. Po dialog nuk bën kurrë. Në shkretëtirë të duket se dialogohet, sepse djalli i bën Jezusit tre propozime e Jezusi i përgjigjet. Por jo me fjalët e veta. Përgjigjet me fjalën e Zotit, me tre fragmente të Shkrimit Shenjt. E këtë e bën për ne të gjithë. Kur afrohet joshësi, ia nis të joshë: ‘E po duhet të mendosh këtë e atë…’. Tundim do të thotë të dialogosh me të, si pati bërë Eva. Eva tha: ‘Epo s’është e mundur që ne….’. Hyri në dialog me djallin! E nëse edhe ne dialogojmë me të, do të humbasim. Nguleni mirë në kokë këtë, e edhe në zemër. Nuk ka asnjë dialog të mundshëm me djallin! Vetëm  me fjalën e Zotit!”.

Kthesë e vërtetë, në dëgjim të Fjalës së Zotit

Në kohën e Kreshmëve, Shpirti Shenjt na çon edhe ne, si Jezusin, në shkretëtirë. Nuk është fjala - e pamë - për një vend fizik, por për një përmasë ekzistenciale, për të ndenjur në heshtje. Për t’u vënë në dëgjim të Fjalës së Zotit “që të mund të bëjmë kthesën e plotë”:

“Mos kini frikë nga shkretëtira, kërkoni çaste, që ju ndihmojnë të luteni, të heshtni, të hyni në thellësitë e vetvetes”.

Papa e përfundoi katekizmin e lutjes së Engjëllit, me një thirje, drejtuar  të gjithë besimtarëve që hynë të përhimë në udhën  Kreshmore:

“Jemi të thirrur të ecim në shtigjet e Zotit, duke përsëritur premtimet  e Pagëzimit; t’i biem mohit djallit, të gjitha veprave të tija e të gjitha joshjeve të tija. T’ia besojmë këtë ndërmjetësimit të Virgjërës Mari!”.

21 shkurt 2021, 13:51