Kërko

Takimi i Papës me Kardinajtë Takimi i Papës me Kardinajtë 

Sinodi, në qendër të takimit të Papës me Këshillin e kardinajve

Lidhja on line nga Vatikani e nga vendet e ndryshme, ku banojnë, i krijoi Papës mundësinë të shkëmbejë mendime me kardinajtë e Këshillit, që bashkëpunojnë për qeverisjen e Kishës universale e për rishikimin e kushtetutës apostolike “Pastor Bonus” të Kishës së Romës. Ishte takim prej rreth dy orësh, i përqendruar tek asambleja sinodale. Në dhjetor, takimi i ri, nëse kushtet shëndetësore globale do ta lejojnë, do të mund të mbahet në prani.

R. SH. - Vatikan

Sinod larg klerikalizmit e ngurtësisë.  Që i krijon hapësirën dëgjimit dhe sjelljes baritore. Ky, në ndjetet e Papës, është  takimi i 9 e 10 tetorit në Romë, me temën e sinodalitetit. E po këtë e theksoi Françesku dje pasdite, gjatë takimit me Këshillin e kardinajve. Siç njofton Salla e vatikanase e Shtypit, në orën 16.00, përmes lidhjes on line me Shtëpinë e Shën Martës, Papa ndoqi punimet, në të cilat merrnin pjesë, secili i lidhur nga vendi ku banon, kardinajtë Óscar A. Rodríguez Maradiaga, S.D.B., Reinhard Marx, Sean Patrick O’Malley, O.F.M. Cap., Oswald Gracias e Fridolin Ambongo Besungu, O.F.M. Ndërsa nga Vatikani qenë lidhur kardinajtë Pietro Parolin e Giuseppe Bertello, si dhe sekretari i Këshillit, imzot Marco Mellino.

Sinodi: të mësojmë mënyrën e të jetuarit në Kishë

Hyrja e shkurtër e kardinalit Maradiaga, u ndoq nga reflektimi i Papës Françesku kushtuar hapjes, në tetor, të punimeve sinodale, që sipas parashikimit,  do të përfundojnë, në Vatikan, në vitin 2023. “Pasi kujtoi dy nga fjalimet e tij, që konsiderohen si qendrore për sinodin e ardhshëm, atë  të vitit 2015 për 50-vjetorin e themelimit të Sinodit të ipeshkvijve e atë të kohëve të fundit, drejtuar besimtarëve të Dioqezës së Romës, të shtunën e kaluar - njofton Salla e Shtypit – Papa sqaroi se “zemra e reflektimit nuk është aq thellimi i kësaj a asaj teme, sa kuptimi i mënyrës për të jetuar në Kishë, në të gjitha nivelet, përmes dëgjimit të anasjelltë e të kujdesit baritor, posaçërisht përballë tundimeve të klerikalizmit e të ngurtësimit”

Takimi i ardhshëm, në dhjetor

Në diskutimet e tyre, vijon nota e Sallës së Shtypit, edhe kardinajtë  thelluan disa aspekte,  që e bëjnë udhën sinodale posaçërisht të nevojshme në trojet prej nga vijnë, për të fituar mbi sektarizmat dhe interesat e pjesshme. Pas dy orësh, diskutimi përfundoi me azhurnimin e takimit të ardhshëm, që do të mbahet dhjetorin e ardhshëm me praninë e pjesëmarrësve nëse - saktëson Salla e Shtypit - do të krijohen kushtet e nevojshme.

22 shtator 2021, 17:50