Kërko

Françesku regjistrohet në DBR-në e Lisbonës

Nga dritarja e Pallatit Apostolik, përmes një tableti dhe së bashku me disa të rinj portugezë, Françesku nisi regjistrimet për DBR-në e Lisbonës, që do të mbahet në gusht 2023. “Ju ftoj të regjistroheni për këtë takim, në të cilin do të gjejmë, pas një periudhe të gjatë izolimi, gëzimin e përqafimit vëllazëror, për të cilin kemi aq shumë nevojë"

R.SH. – Vatikan

Me një klikim në tablet, në fund të lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa u regjistrua në Ditën e 37-të Botërore të Rinisë. Së bashku me të, nga dritarja e Pallatit Apostolik, u dukën edhe disa studentë portugezë, që jetojnë në Romë, të cilët hapën kështu, me Atin e Shenjtë, regjistrimet për këtë takim të shumëpritur rinor.

“Sot hapen regjistrimet për Ditën e 37-të Botërore të Rinisë, e cila do të mbahet në Lisbonë, në gusht 2023. Ftova dy të rinj të jenë këtu me mua, ndërkohë që po regjistrohem edhe unë si shtegtar”.

Hapen regjistrimet

Pas klikimit, ftesa e Papës për gjithë të rinjtë e botës:

“Ja, u regjistrova. Të dashur të rinj, ju ftoj të regjistroheni në këtë takim, në të cilin, pas një periudhe të gjatë distancimi dhe izolimi, do të rizbulojmë gëzimin e përqafimit vëllazëror ndërmjet popujve dhe brezave, përqafimin e pajtimit të paqes, për të cilin kemi kaq shumë nevojë”.

Kujtojmë se DBR-ja e Lisbonës do të fillojë më 1 e do të përfundojë më 6 gusht 2023. Regjistrimi bëhet përmes faqes së internetit lisboa2023.org. Tema e zgjedhur nga Papa Françesku është marrë nga Ungjilli sipas Lukës, ku tregohet Pasia e Zojës, vizita e saj tek e kushërira, Elizabeta: “Maria u çua dhe u nis me nxitim”.

Bashkësia peruviane e Romës
Bashkësia peruviane e Romës

Festa e Señor de los Milagros

Papa Françesku përshëndeti edhe bashkësinë peruviane të Romës, në Sheshin e Shën Pjetrit për festën e Señor de los Milagros. Është një nga përshpirtëritë më të njohura në Peru dhe në Amerikën Latine, që kremtohet në tetor, i quajtur edhe "Muaji ngjyrë vjollcë". Gjatë kësaj periudhe, fugurja e “Cristo Moreno” përshkon në procesion rrugët e Limës.

 Historia e “Zotit të mrekullive” daton në shekullin e 17-të, kur popullsia e kryeqytetit, Lima, u rrit me ardhjen e skllevërve afrikanë. Në një kapanon, në zonën e Pachacamilla – periferia e qendrës historike të Limës - një skllav angolez pikturoi imazhin e Krishtit të kryqëzuar në një mur me tulla. Ky imazh mbeti i panjohur deri më 13 nëntor 1655, kur një tërmet, që shkatërroi një pjesë të qytetit dhe shkaktoi mijëra të vdekur, nuk e preku murin, ku ishte pikturuar Krishti. Që atëherë vendi u bë cak shtegtimesh. Aktualisht, fugurja që mbahet në procesion është pikturë në kanavacë e ruajtur në altarin e madh të shenjtërores së Nazareasit, në qendër të Limës. Kisha e Perusë e kremton Zotin e Mrekullive gjatë gjithë këtij muaji, por e përkujton atë në mënyrë të veçantë më 28 tetor.

23 tetor 2022, 15:20