Kërko

Bombardime në Kiev, Ukrainë Bombardime në Kiev, Ukrainë

Në lutje për paqen. Ukraina, Etiopia, përmbytjet në Afrikë: thirrjet e Papës

Pas Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi se të martën do të shkojë në Koloseum që të lutet së bashku me krerët e feve botërore për paqen në Ukrainë dhe në botë. Nga Papa, thirrja e flaktë për t'i dhënë fund konfliktit në Etiopi dhe ngushëllimet për viktimat e përmbytjeve në Afrikë. Së fundi, një mendim për Italinë në ditën e fillimit të punës së qeverisë së re

R.SH. – Vatikan

"Pasnesër, e martë 25 tetor, do të shkoj në Koloseum që të lutem për paqen në Ukrainë dhe në botë, së bashku me përfaqësuesit e Kishave, të bashkësive të krishtera dhe të feve botërore, mbledhur në Romë për takimin “Britma e paqes”. Ju ftoj të bashkoheni shpirtërisht me këtë lutje të madhe drejtuar Zotit: lutja është forca e paqes, të lutemi, të vazhdojmë të lutemi për Ukrainën kaq të martirizuar”.

Lutja në Koloseum

Pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kërkon edhe një herë lutje për paqen në Ukrainë. Takimi “Britma e Paqes”, në të cilin Papa do të marrë pjesë të martën, me lutjen në Koloseum, filloi sot në Qendrën e Kongreseve “La Nuvola” në Romë dhe do të përfundojë më 25 tetor me lutjen për paqe në Amfiteatrin Flavio. Ky është edicioni i 36-të i Takimit Ndërkombëtar të Dialogut për Paqen, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, duke filluar nga dita historike e dëshiruar nga Shën Gjon Pali II në Asizi, më 27 tetor 1986. Në këtë nismë marrin pjesë krerët e Kishave të krishtera dhe ata të feve kryesore, së bashku me përfaqësues të lartë të politikës dhe kulturës ndërkombëtare. “T’i bashkojmë zërat – thuhet në komunikatën e Bashkësisë së Shën Egjidit - që britma e paqes, e cila ngrihet nga kaq shumë vende të botës, ta mundë zhurmën e armëve dhe të luftës”.

Ukraina: komunikata e G7-ës

Jo më larg se sot paradite, përmes një deklarate, G7-a dënoi rrëmbimet “e përsëritura" të drejtuesve dhe të personelit të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia-s nga ana e Rusisë, si edhe kërkoi kthimin e menjëhershëm të "kontrollit të plotë" të tij në duart e Ukrainës. Në notë, SHBA-të, Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Kanadaja dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian theksojnë se nuk do ta njohin kurrë “aneksimin e paligjshëm të rajoneve ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit, nga Federata Ruse”. Gjithashtu, këto shtete dënojnë fuqishëm "kontrollin rus mbi objektet bërthamore brenda kufijve ukrainas, të njohur ndërkombëtarisht".

“Çdo përpjekje për aneksim të këtij lloji – thuhet në notë – është e pavlefshme dhe nuk ka efekt juridik. Ripohojmë sovranitetin e plotë të Ukrainës në të gjithë territorin e saj, përfshirë centralin bërthamor të Zaporizhzhias. Ky central dhe energjia elektrike, që prodhon, i përkasin Ukrainës. Nënvizojmë se përpjekjet e Rusisë për ta shkëputur centralin nga rrjeti elektrik i Ukrainës janë të papranueshme. Theksojmë fuqimisht se centrali bërthamor nuk duhet përdorur për veprimtari ushtarake apo si depo për materialet”.

Dhuna nuk i zgjidh mosmarrëveshjet

Papa Françesku shprehu shqetësimin edhe për konfliktin e vazhdueshëm në Etiopi:

“Me ankth, po ndjek situatën e vazhdueshme të konfliktit në Etiopi. Edhe një herë e përsëris me gjithë zemër se dhuna nuk i zgjidh mosmarrëveshjet, por vetëm i shton pasojat e tyre tragjike. U bëj thirrje të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi politike, të pushojnë vuajtjet e popullatës së pambrojtur dhe të gjejnë zgjidhje të drejta për paqen e qëndrueshme në gjithë vendin. Përpjekjet e palëve për dialog dhe kërkimi i së mirës së përbashkët sjellshin një rrugë konkrete pajtimi. Motrave dhe vëllezërve etiopas, kaq të sprovuar, të mos u mungojnë lutjet tona, solidariteti dhe ndihma e nevojshme humanitare”.

Që prej dy vitesh, në Etiopi vijon lufta ndërmjet ushtrisë federale dhe milicive të Frontit Popullor për Çlirimin e Tirgay-t. Bisedimet për paqen, me ndërmjetësimin e Bashkimit Afrikan, duhet të fillojnë nesër, 24 tetor.

Lutja për viktimat e përmbytjeve

Nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa shprehu dhimbjen edhe për përmbytjet “që po prekin vende të ndryshme afrikane dhe që kanë shkaktuar vdekje e shkatërrime. Lutem për viktimat dhe jam pranë miliona njerëzve të zhvendosur, duke shpresuar në angazhimin më të madh të përbashkët për t’i parandaluar këto fatkeqësi”. Kujtojmë se në Nigeri, për shembull, shirat e rrëmbyeshëm, të cilat nuk ndalen që nga fillimi i verës, kanë shkaktuar më se 600 të vdekur, shkatërrimin e më se 200 mijë banesave dhe më se 1 milion e 300 mijë të shpërngulur.

Paqe e unitet për Italinë

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, duke pasur parasysh Italinë, në ditën kur mori zyrtarisht detyrën ekzekutivi i ri, i kryesuar nga Giorgia Meloni, Papa shtoi:

"Sot, në fillesat e një qeverie të re, të lutemi për unitetin dhe paqen e Italisë".

23 tetor 2022, 14:42