Kërko

Papa: mbi fëmijët ukrainas, që kanë humbur buzëqeshjen, rëndon barra e luftës çnjerëzore

Një thirrje e re e Françeskut në përfundim të audiencës së përgjithshme, për popullsinë e vendit të martirizuar, që do ta kalojë Krishtlindjen "pa dritë e pa ngrohje". Mendon kryesisht për të vegjlit, Papa: "Shumica kanë harruar të buzëqeshin e, kur fëmija nuk di të qeshë më, kjo është gjë tejet serioze". Në vijim Ati i Shenjtë u kujtoi polakëve traditën e lënies së një karrikeje bosh në tryezë, në prag të Krishtlindjes: "Këtë vit ‘do të pushtohen’ nga një mori refugjatësh"

R.SH. - Vatikan

Barra e kësaj lufte "kaq çnjerëzore, kaq të vështirë" rëndon mbi supet e brishta të fëmijëve ukrainas. T'i mendojmë këto Krishtlindje, që të vegjlit dhe familjet e tyre do t’i kalojnë "pa dritë, pa ngrohje". Duke folur për "Zotin, që bëhet ferishte", të cilin Kisha do ta kremtojë së shpejti, mendimet e Papës Françesku shkuan tek fëmijët e Ukrainës "të cilët vuajnë, vuajnë tepër shumë nga kjo luftë".

Çdo të thotë të humbasësh buzëqeshjen!

Ashtu si të mërkurën e kaluar, edhe në këtë audiencë të përgjithshme, pas katekizmit, Papa kërkoi që gjatë festave të mos harrohet vendi martir dhe popullsia e tij.

Në këtë festë të Zotit që bëhet fëmijë, le të mendojmë për fëmijët ukrainas: 

“Nga ata që takova këtu, shumica nuk mund të buzëqeshte e, kur një fëmijë humbet aftësinë për të buzëqeshur, është gjë serioze. Këta fëmijë mbajnë mbi supe barrën e tragjedisë së luftës, që është kaq çnjerëzore, kaq e ashpër”.

Paqe, sa më shpejt!

“Le të mendojmë për popullin ukrainas në këtë Krishtlindje, pa dritë, pa ngrohje, pa gjërat kryesore për të mbijetuar”, ngulmoi Françesku:

“T’i lutemi Zotit të sjellë paqen, sa më shpejt të jetë e mundur”.

Një vend në tryezë, për refugjatët

Gjatë përshëndetjes drejtuar polakëve, Françesku foli edhe për popullsinë ukrainase, duke kujtuar traditën e lënies së një vendi bosh në tryezë, për ndonjë mysafir të papritur, në prag të Krishtlindjes. Zakon, që e ruajtëm në shekuj edhe ne shqiptarët, duke pritur gjithnjë mikun e largët e të dëshiruar aq, sa t’ia lësh ditë-natë derën hapur! Sepse dera jote nuk është jotja, por e Zotit dhe e mikut! Zakon për të mos u harruar këto ditë feste të jashtëzakonshme -  me pak gaz e shumë dhimbje:

“Këtë vit Polonia do të pushtohet nga një mori refugjatësh prej Ukraine, të cilëve - kujtoi Papa - ju u keni hapur dyert e shtëpive tuaja me shumë bujari”.

21 dhjetor 2022, 13:13