Kërko

Bashkësia e Kolegjit Papnor Urbanian "de Propaganda Fide" Bashkësia e Kolegjit Papnor Urbanian "de Propaganda Fide"  (Vatican Media)

Françesku: misionarë të besueshëm jo për veshjet, por për sinqeritetin tuaj!

Duke folur me bashkësinë e Kolegjit Papnor Urbanian "de Propaganda Fide", i cili formon klerin për trojet e misionit, Papa i fton t’i flakin tutje maskat dhe të jenë si Jezusi, plot besim në harmoninë që nepërdukej në Të ndërmjet asaj që predikonte e asaj që bënte, daljes nga vetja për të takuar të tjerët dhe për të nisur bisedën me ta. "Bota dhe Kisha kanë nevojë për dëshmitarë të vëllazërisë dhe të paqes"

R. SH. - Vatikan

Për qenë dishepuj misionarë pranë Zotit dhe të tjerëve, duhet guxim i vërtetë, aftësi për të dalë nga vetja dhe për të nisur dialogun. Këtë theksoi Françesku në takimin me bashkësinë e Kolegjit Urbanian "de Propaganda Fide"(për Përhapjen e Fesë), me të cilën u takua në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik. Ishin eprorë dhe studentë të seminarit themeluar në vitin 1627 nga Urbani VIII për formimin e klerikëve të caktuar për territoret e misionit të cilët katërqind vjet pas themelimit të Kongregacionit De Propaganda Fide, po reflektojnë mbi "marrëdhënien e gjallë dhe personale me Jezusin, parë si burim shpirtëror i çdo misioni, të frymëzuar nga motoja: 'Që ata të ishin me të ... dhe që t’i dërgonte të predikonin'”.

Guximi i vërtetësisë

Duke folur për guximin e vërtetësinë, Papa i ftoi t’i flakin maskat, që i mbajmë "ndoshta për t'u dukur të përsosur, të patëmetë a më të mirë":

“Maskat nuk duhen, të dashur vëllezër: nuk duhen gjë! T'u paraqitemi të tjerëve pa maska, ashtu si jemi, me kufizimet e kontradiktat tona, duke e mposhtur frikën se do gjykohemi, pse nuk përkojmë me modelin ideal, i cili shpesh është vetëm në mendjen tonë. Të kultivojmë ‘sinqeritetin dhe përvujtërinë e zemrës, që na ndihmojnë ta shikojmë ndershmërisht brishtësinë dhe varfërinë tonë shpirtërore’. Të kujtojmë se jemi misionarë të besueshëm jo për petkun që kemi, as për qëndrimet e jashtme, por për stilin e thjeshtë dhe të sinqeritë. E kjo është transparencë”.

Aftësia për të dalë nga vetja

Dishepulli-misionar duhet të jetë i aftë të dalë nga vetvetja, sepse - shpjegoi Papa - "jeta e fesë është 'dalje' e vazhdueshme: dalje nga skemat tona mendore, nga gardhi i frikës sonë, nga siguritë e vogla, që na qetësojnë”, sepse përndryshe rrezikojmë të adhurojmë një Zot që është vetëm projektim i nevojave të vetvetes, një idhull, pra, “dhe të mos përjetojmë takime të vërteta as me të tjerët”. Është më mirë të pranosh rrezikun e të dalësh nga vetja, thekson Françesku. Kështu bënë Abrahami, Moisiu dhe peshkatarët e Galilesë për të ndjekur Mjeshtrin. Të jesh pjesë e një bashkësie të larmishme, "me shumë kultura, gjuhë dhe ndjeshmëri" si ajo e Kolegjit Papnor Urban, është dhuratë e madhe, nga e cila njeriu mund të pasurohet duke ua hapur zemrën të tjerëve, botës së tyre - vërejti Papa - i cili i inkurajoi të pranishmit “ta jetojnë sfidën e vëllazërisë pa frikë, edhe kur ajo kërkon punë e flijime”:

“Bota jonë e edhe Kisha kanë nevojë për dëshmitarë vëllazërimi: qofshi kështu që tani, e pastaj edhe kur të ktheheni në dioqezat dhe vendet tuaja, shpesh plot përçarje dhe konflikte. E edhe dëshmitarë të gëzimit: ‘Gëzimit të Ungjillit, që mbush plot jetën e bashkësisë së dishepujve’; “gëzimit misionar” që “ka gjithmonë dinamikën e daljes dhe të dhuratës”.

Gatishmëria për dialog

Së fundi, të dialogojmë "me Zotin, në lutje, gjë që është edhe dalje nga vetvetja, për ta mirëpritur". Më pas - sqaroi Françesku - t’i hapim zemrat "për dialog vëllazëror ndaj tjetrit". Gjon Pali II në enciklikën Redemptoris misio na mëson se "stili i duhur i misionarit" duhet të jetë dialogu, duke shtuar edhe se "Jezusi na e dëshmoi këtë duke u bërë njeri, duke bërë të vetat dramat, pyetjet dhe pritjet e njerëzimit të vuajtur, në kërkim të paqes”:

“Bota ka nevojë për dialog, ka nevojë për paqe. Ka nevojë edhe për burra e gra që e dëshmojnë. Ju bëj thirrje të uleni në shkollën e atyre ‘dëshmorëve të dialogut’, të cilët, edhe në disa nga vendet tuaja, ecën me me guxim në këtë rrugë, në shërbim të paqes. Mos kini frikë ta përshkoni deri në fund, duke shkuar kundër rrymës, duke e mbështetur Jezusin e duke komunikuar fenë që Ai ju dhuroi”.

Propaganda Fide dhe populli shqiptar

‘Propaganda Fide’, sot Dikasteri i Vatikanit pёr Ungjillëzimin e Popujve, i themeluar nga Papa Gregori XV mё 6 janar 1622 si organ i koordinimit tё Selisё sё Shenjtё pёr tё ndihmuar Kishat vendore nё tё gjitha kontinentet, pati nё nje rol tё rёndёsishёm edhe pёr Kishën katolike nё Shqipëri e nё trevat tjera shqiptare, duke dhёnё njё ndihmë tё madhe edhe nё fushën shpirtёrore, shoqërore e kulturore.

Kujtojmë se “Propaganda Fide” e nisi veprimtarinë e saj edhe në trojet shqiptare  400 vjet më parë. Shqipëria e trojet tjera shqiptare janë vende për të cilët ka më shumë dokumente, që të kujtojnë ndikimin dhe kontributin e Kongregatës për Përhapjen e Fesë në jetën historike, politike dhe kulturore ndër shqiptarë.

21 janar 2023, 15:04