Kërko

Françesku pret një delegacion budistësh nga Kamboxhia Françesku pret një delegacion budistësh nga Kamboxhia

Papa, budistëve: së bashku, për të shëruar plagët e botës dhe Krijimin e Zotit

Françesku pret një delegacion budistësh nga Kamboxhia, të shoqëruar nga autoritete të shoqërisë civile dhe nga vikari apostolik i Phnom-Penh, Schmitthaeusler: “Kthesa ekologjike na nxit të ndryshojmë udhën dhe zakonet e këqija, që të ëndërrojmë dhe të realizojmë një të ardhme të drejtë dhe të barabartë” për të gjithë

R.SH. – Vatikan

Papa  Françesku përmendi sot Budën, kur ndërmjet rregullave të Pratimoksha-s, që u la trashëgim dishepujve, përfshiu praktikën e së ashtuquajturës “metta”, që do të thotë “të mos dëmtohen qeniet e gjalla” dhe të jetohet me “një stil të thjeshtë”. Kjo do të shërbente edhe sot, në këtë botë të lënduar nga lakmia dhe nga rendja e tepruar pas fitimit, nga mungesa e solidaritetit me të afërmit dhe nga pak, ose pothuajse aspak respekt për mjedisin. Ati i Shenjtë priti paradite në Vatikan, një delegacion budistësh nga Kamboxhia, me të cilët reflektoi pikërisht me këto tema. Me ta, edhe përfaqësues të shoqërisë civile të “vendit fisnik” e ipeshkvi Olivier Schmitthaeusler, vikar apostolik i Phnom-Penh.

Zgjidhje të integruara për respektimin e njerëzve dhe të Krijimit

“Budistët janë në gjendje të fitojnë një qëndrim dhembshurie ndaj të gjitha qenieve, duke përfshirë tokën, banesën e tyre”, pohoi Papa në fjalën, që u drejtoi, gjatë së cilës bëri thirrje për impenjimin e përbashkët me të krishterët. Edhe ata marrin përsipër përgjegjësinë për gjithësinë e krijuar nga Zoti, duke e mbrojtur dhe duke vepruar mbi të me kujdesin e duhur.

“Është urgjente të kërkohen, përmes dialogut në të gjitha nivelet, zgjidhje të integruara, që bazohen në respektimin e ndërvarësisë themelore ndërmjet familjes njerëzore dhe natyrës”.

Bashkëpunim ndërfetar për të shpëtuar gjithësinë

Papa u shpreh me mirënjohje për vizitën e murgjërve kamboxhianë, e cila shërben për konsolidimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërfetar, “element i rëndësishëm i shoqërisë, që u jep mundësinë njerëzve të jetojnë në paqe si vëllezër dhe motra, të pajtuar me njëri-tjetrin dhe me ambientin ku jetojnë”. Sidomos në kohët e sotme, vërejti Françesku, “kur familja njerëzore dhe planeti ndodhen para kërcënimeve të rënda”, është tejet e rëndësishme “kthesa ekologjike” e ndryshimi i mënyrës së jetesës. Jo vetëm për Tokën, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili u kërkoi budistëve bashkëpunim edhe për të zgjidhur problemet e “varfërisë e të mungesës së respektit për dinjitetin e të mënjanuarve”, që “shkaktojnë vuajtje dhe shkurajim në kohën tonë”. Kujdesi për shtëpinë e përbashkët, theksoi Papa, është edhe thirrje për të respektuar Krijimin, të afërmin, vetveten dhe vetë Krijuesin, pra, Zotin:

“Kthesa ekologjike ndodh kur njihen rrënjët njerëzore të krizës aktuale mjedisore; kur pendimi i vërtetë çon në ngadalësimin, ose në ndalimin e prirjeve, ideologjive dhe praktikave të dëmshme, që nuk e respektojnë Krijimin, si edhe kur njerëzit janë të përkushtuar për të promovuar modele zhvillimi, që i shërojnë plagët e shkaktuara nga lakmia, nga rendja e tepruar pas përfitimeve financiare, nga mungesa e solidaritetit me të afërmit dhe nga mungesa e respektit për ambientin”.

Të ndryshohet udha

“Kthesa ekologjike synon ta shndërrojë në vuajtje personale gjithçka i ndodh botës, për të kuptuar kështu, cili është kontributi, që mund të japë çdo njeri”, përfundoi Papa. “Na bën thirrje ta ndryshojmë udhën, t’i ndryshojmë zakonet e këqija për të ëndërruar, për të krijuar dhe për të vepruar së bashku që të realizojmë një të ardhme të drejtë dhe të barabartë”.

19 janar 2023, 12:17