Kërko

Pope receives Theodoros II Pope receives Theodoros II  (ANSA)

Papa: frika e frenon shpirtin, ilaçi është afërsia me njerëzit

Duke folur me bashkësinë e Kolegjit Papnor Urbanian "de Propaganda Fide", i cili formon klerin për trojet e misionit, Papa i fton t’i flakin tutje maskat dhe të jenë si Jezusi, plot besim në harmoninë që nepërdukej në Të ndërmjet asaj që predikonte e asaj që bënte, daljes nga vetja për të takuar të tjerët dhe për të nisur bisedën me ta. "Bota dhe Kisha kanë nevojë për dëshmitarë të vëllazërisë dhe të paqes"

R. SH. - Vatikan

 “Ndonjëherë po! Kur më duhet të marr një vendim, them me vete: “E sikur ta bëj këtë kështu...?”. E frika, në këtë rast, më ndihmon, sepse më nxit t’i peshoj me kujdes vendimet që duhen marrë, veprimet që duhet të kryej dhe gjithçka tjetër. Nuk është frika që më shkatërron, jo jo... Është ndjenjë, që më bën të vëmendshëm: frika është si nënë, që të paralajmëron”.

Në bisedën e gjatë të Françeskut me Salvo Noé, psikolog dhe psikoterapist, për librin "Frika si dhuratë" (Edizioni San Paolo) shpalosen aspekte të reja të humanizmit të Papës, që bota po i njeh gjerësisht në këto dhjetë vjet papnie.

Bashkëbisedim i qetë

Noé u takua me Papën në Shtëpinë e Shën Martës, ku banon Françesku dhe ku, jashtë derës së banesës së tij, varet tabela me shprehjen: “Ndalohet ankimi”, titull i njërit nga librat më të shitur të të njëjtit psikolog. “Në një nga takimet e shumta - thotë autori, në hyrje të intervistës - i shpreha Atit të Shenjtë dëshirën për të shkruar një libër mbi frikën, duke e pyetur nëse do të më jepte kontributin e tij. Si zakonisht, përgjigja ishte pozitive dhe kështu, një pasdite janari, i pajisur me magnetofon, i bëra disa pyetje, të cilave Papa iu përgjigj me zërin e tij të zakonshëm, të qetë dhe qetësues. Edhe ai më bëri disa pyetje për frikën, e kështu ndërmjet nesh nisi dialogu plot pikënisje për reflektime”.

Dialogu me Papën, në krye të vëllimit, që do të dalë më 25 janar, heton mendimet, ndjesitë dhe emocionet e atij që është udhërrëfyes i Kishës universale që nga 13 marsi 2013 (duke nisur nga frika fillestare që më pas u bë " qetësi" në ditën e Konklavit) dhe që analizon tema me aktualitet kishtar, si formimi në seminare, "çorodia" e hipokrizisë, mendësia e botës, karrierizmi, qëndrimi ndaj  homoseksualëve dhe emigrantëve, parandalimi i shpërdorimeve të klerit, ndoshta duke krijuar kurse psikologjike ndër seminare.

Abuzimet, psikologjia dhe seminaret

Pikërisht në këtë pikë të fundit, Françesku -  siç ka bërë edhe herë të tjera - përsërit se “kur niset një rrugë, është e nevojshme të vlerësohet plotësisht mënyra e jetesës, aspekti psikologjik, marrëdhëniet ndërpersonale të atij që dëshiron nisë udhën për të hyrë në seminar”. “Është më mirë të humbasësh një thirrje meshtarake, sesa ta rrezikosh me një kandidat të pasigurt” - pohon. Për Papën, propozimi për të përfshirë psikologjinë në seminare është "shumë i dobishëm": "E kjo që ndodhi, ky abuzim seksual i të miturve nga klerikët e nxori në pah këtë problem në mënyrë dramatike... Duhet ta kuptojmë përpara shugurimit priftëror, nëse ka prirje për abuzim. Gjë që mund ta bëjë një profesionist si ju, i cili gjithashtu e ka studiuar këtë. Nëse nuk njihen, këto probleme mund të kenë pasoja shkatërrimtare”.

“Seminari nuk është strehë për kufizimet e shumta që mund të kemi, as strehë për mangësitë psikologjike”, vijon Papa Françesku. “Rruga duhet të çojë në formimin e priftërinjve të pjekur dhe personave të shenjtëruar, specialistë në humanizëm e afërsi, dhe jo nëpunës kishtarë. Njerëzit kanë nevojë të takojnë dëshmitarë të fesë, me të cilët mund të ballafaqohen, të gjejnë mbështetje, afërsi të mirë, njerëzore”.

Homoseksualët

Gjatë bisedës u prek edhe tema e homoseksualëve: “Zoti është Atë dhe nuk e mohon asnjë nga bijtë e tij” - pohoi Papa. “E stili i Zotit është afërsia, mëshira, butësia. Jo gjykimi e mënjanimi. Zoti i afrohet me dashuri secilit prej bijve të tij, secilit prej tyre. Zemra e Zotit është e hapur për një e edhe të gjithë. Ai është Atë. Dashuria nuk ndan, bashkon”.

Emigrantët përdoren për të trembur

Në vijim të temës së mirëpritjes, Papa kujton edhe çështjen që e ka aq për zemër e që ka të bëjë me emigrantët, të cilët - kujton - përdoren shpesh si një mjet "për t’i trembur njerëzit, për t'i bërë të besojnë se problemet tona lindin prej tyre". Ndërsa problemet tona “lindin nga mungesa e vlerave të larta, nga jeta e parregullt në shtëpitë tona dhe në qytetet tona, nga boshllëku i besimit, që na largon nga njëri-tjetri dhe na e pengon bashkëjetesën vëllazërore”.

Stil respektues ndaj mjedisit

Në të njëjtën vazhdë, Papa Françesku përsërit ftesën për të "miratuar një mënyrë jetese, që e respekton mjedisin, për të mbrojtur trashëgiminë e krijimit dhe jetën e atyre, që banojnë në planet". “Toka jonë është e sëmurë”- thekson - “shpërdorohet dhe plaçkitet”,  pasojë kjo, e “mënyrës së jetesës, në të cilën mbizotëron egoizmi dhe kultura e shpërdorimit e që na vë para një alternativë: të vazhdojmë këtë rrugë, ku po ecim, apo të marrim një rrugë tjetër? Të re? Kemi nevojë për "kthesë ekologjike", për "të ndërruar rrugën” - vuri në dukje Françesku - "njeriu duhet ta marrë mbi vete përgjegjësinë për t'u kujdesur për shtëpinë e përbashkët".

Frika e tepruar, qëndrim antikristian

Në përgjithësi, Françesku dhe Noé reflektojnë mbi konceptin e frikës, temë kryesore e librit. “Frika e tepruar është qëndrim që na lëndon, na dobëson, na tkurr, na paralizon. Aq shumë, sa njeriu, skllav i frikës, nuk lëviz, nuk di çfarë të bëjë: tmerrohet, mendon veç për vetveten, duke pritur që t’i ndodhë hataja. Pra, frika  çon në një qëndrim, që të paralizon”, vëren Papa. “Frika e tepruar nuk është sjellje e krishterë, por mund të themi, sjellje e një shpirti të mbyllur në burg, pa liri, që nuk di as mundet të shikojë përpara, të krijojë diçka të re, të bëjë një të mirë”.

Hipokrizia në Kishë është e neveritshme

Nuk është e  krishterë as hipokrizia - shton Papa - “Është frikë nga e vërteta” - shpjegon e as Kisha nuk  përjashtohet prej saj. "Hipokriti ka frikë nga e vërteta. Njeriut i pëlqen më shumë të shtiret, sesa të jetë vetvetja. Është njësoj si ta vësh në lojë shpirtin. Shtirja e shkatërron guximin për ta thënë hapur të vërtetën dhe kështu njeriu i shpëton lehtësisht detyrimit për ta thënë gjithmonë, kudo dhe pavarësisht nga gjithçka". “E kjo ndodh në shumë situata:  shtiresh në vendin e punës, ku përpiqesh të dukesh miqësor me kolegët, ndërsa konkurrenca të nxit t’i godasësh pas shpine; në politikë nuk është e pazakontë të gjesh mësalla me dy faqe, hipokritë që jetojnë një jetë të dyfishtë, publike e private". Megjithatë, nënvizon Papa, "hipokrizia veçanërisht e neveritshme është ajo që vërehet në kishë. Për fat të keq, ekziston dhe ka shumë të krishterë ed edhe meshtarë hipokritë. Nuk duhet të harrojmë kurrë porosinë e Zotit: 'Fjala juaj le të jetë po, po, jo, jo'. Më shumë vjen nga qoftëlargu”.

Zgjedhja në Konklav

Nga reflektimet, kalojmë te kujtimet, e kujtesa kthehet në ditën e zgjedhjeve, tek ajo mënyrë “mikpritëse dhe e thjeshtë” e paraqitjes së Papës para botës - siç thotë Noé që “që i bëri për vete zemrat e shumë njerëzve”. “Nuk e prisja të zgjidhesha, por kurrë nuk e humba qetësinë. Kisha sjellë një valixhe të vogël me vete, i bindur se do kthehesha në Buenos Ajres për të Dielën e Palmave. I kisha lënë predikimet e përgatitura atje. Në vend të kësaj, qëndrova në Romë”, shpjegon Jorge Mario Bergoglio. Kujton, më pas, kardinalin Claudio Hummes, porosinë e tij për të mos harruar të varfërit, si dhe këshillën: "Mos u shqetësoni, kështu bën edhe Shpirti Shenjt", përballë shprehjes së habitur të Papës së sapozgjedhur. "Ndjeva një paqe dhe një qetësi edhe në zgjedhjet vendimtare, për shembull nuk doja të vishja asgjë, veç petkut të bardhë. As këpucët nuk doja t’i mbathja. I kisha këpucët dhe doja të isha normal. Pastaj dola dhe  thashë mirëmbrëma”.

Të sillem nëpër rrugë

Papa Françesku kujton edhe një herë se ka mall të endet rrugëve, si në Argjentinë, duke takuar njerëz, duke folur me ta dhe duke shkëmbyer histori, vështirësi, gjendje shpirtërore: “Duhet t'i përmbahem protokolleve të sigurisë. Këtu kanë frikë se mos më ndodh diçka”. Është një frikë tjetër, por në këtë rast e justifikuar. “Fillimisht,  sapo u zgjodha, u përpoqa të dal pa paralajmërim dhe u krijova probleme serioze njerëzve që punojnë për të garantuar sigurinë time”, tregon Papa.

Zgjedhja për të jetuar në Shën Martë

Lidhur me zgjedhjen e Shën Martës, ku Papa ha në një dhomë të përbashkët ngrënieje, në të njëtën tryezë me njerëz të tjerë, Noé e pyet nëse ky vendim ishte ndikuar nga një lloj druajtjeje. "Po", përgjigjet Papa Françesku, "Unë zgjodha të jetoj në Shtëpinë e Shën Martës dhe jo në apartamentin historik papnor në Pallatin Apostolik, sepse, siç e kuptoni, kam nevojë të takoj njerëz, të flas, e  këtu ndihem më i lirë. Atje, i blinduar. E kjo më trembi. Duhet ta njohim njëri-tjetrin, që të mund të gjejmë zgjidhjet më të mira për shqetësimin tonë. Kur më çuan në Pallatin Apostolik, sapo u zgjodha, pashë një dhomë gjumi të madhe, një banjë të madhe... Dhoma të mëdha, por hyrje e vogël, ku mund të hyjnë shumë pak bashkëpunëtorë. Atëherë mendova: durim, nëse nuk mund të dal për shëtitje jashtë Vatikanit, të paktën dua të shoh njerëz. Kjo është arsyeja pse zgjodha Shtëpinë e Shën Martës. Doja ta thyeja zakonin e Papës së izoluar. Këtu pi kafe nga makineritë, ha në mensë me të tjerët, them meshë çdo ditë dhe bëj shaka me rojet zvicerane. Kam gjithnjë pranë një roje zvicerane. Një ditë i ofrova një meze, po ai nuk deshi ta pranonte, sepse - më tha - kishte porosi nga komandanti. Iu përgjigja: “Unë jam komandanti!”.

Afërsia është ilaçi i vërtetë kundër frikës

“Afërsia me njerëzit, ballafaqimi me njëri-tjetrin, puna së bashku – këto janë ilaçi i vërtetë kundër frikës” - thekson Papa Françesku - "Shpesh herë izolimi, frika nga gabimi, problemet për zgjidhjet e të cilave nuk gjen ndihmë, mund të çojnë në kriza, që kthehen në shqetësime mendore. Puna ime është plot me njerëz që ndihen të vetmuar dhe tmerrësisht larg "shtëpisë". Vetmia është e keqja e vërtetë e shoqërisë sonë. Të gjithë të lidhur me celularë, por të zgjidhur nga realiteti”.

Mendësia e botës, çoroditje në Kishë

Së fundi, Françesku e shikon pa frikë të ardhmen: "Jezusi është gjithmonë pranë nesh". I nxit, kështu, besimtarët “të jetojnë me dashuri, t’ia besojnë veten Atit”. E, në vijim, u bën përsëri thirrje gjithë priftërinjve që të kenë "mëshirë, guxim dhe dyer të hapura". “Sot - pohon - çoroditja më e madhe në Kishë është ajo e priftërinjve kacavarës, që ëndërrojnë të ngjiten lart e më lart, dhe mendësia e botës. Mendësi që të çon në kotësi, arrogancë, krenari. Mendësi që vret, siç pata thënë dikur - një prift me mendësinë e botës, është pagan i klerikalizuar. Besimtarët duhet të shohin se ne jemi si ata, se kemi të njëjtën frikë dhe të njëjtën dëshirë për të jetuar në hirin e Zotit,  për të afruar besimtarë dhe jobesimtarëve dhe për të folurit me zemër të hapur. Këtë duhet të bëjmë të gjithë”.

21 janar 2023, 14:55