Kërko

Una processione nella Repubblica Democratica del Congo Una processione nella Repubblica Democratica del Congo

Papa kujton meshtarin e karbonizuar në Nigeri: sa dhunë mbi lëkurën e të krishterëve!

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi vrasjen e At Isaac Achi-t, të dielën e kaluar, në Dioqezën e Minës. Më pas, edhe skenën e sulmeve të këtyre ditëve në Republikën Demokratike të Kongos, vend që do ta vizitojë në fund të muajit. “T’i lutemi Zotit të na japë zemër baritore, që vuan dhe rrezikon për të dhënë dëshmi”.

R.SH. / Vatikan

Trupa të djegur gjallë, të shtëna mbi njerëzit, bomba në kisha, përndjekje kundër të pafajve... Brutaliteti i dhunës merr forma të ndryshme, në pjesë të ndryshme të Afrikës, por dhimbja është një e vetme! Françesku bëhet zëri i saj në përfundim të audiencës së përgjithshme: pohon se është pranë viktimave të sulmeve, shpesh të natyrës persekutuese. E gjithë kjo e plagos prej muajsh apo ditësh - nëse jo prej vitesh - fytyrën e Nigerisë dhe të Republikës Demokratike të Kongos.

 Nigeri: një meshtar katolik i djegur e një i plagosur në qelë

Në çastin e përshëndetjes, Papa kërkoi lutje për Atë Isaac Achi-n, prift i dioqezës së Minna-s, në Nigerinë veriore i cili, të dielën e kaluar në agim, u karbonizua në qelë nga një grup banditësh që, pas tij, plagosën edhe bashkëpunëtorin, sivëllain At Collins, ndërsa po largohej me vrap. Pasi sulmuan kishën katolike të Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, në Kafin-Koro, në rajonin e Paikorit, sulmuesit, para se të iknin i vunë flakën shtëpisë, duke e  djegur me të edhe priftin, ndërsa afroheshin forcat e sigurisë:

“Sa të krishterë e vuajnë mbi lëkurën e tyre dhunën: të lutemi për ta! Mbi të gjithë ju dhe familjet tuaja kërkoj paqen e Zotit Jezus”.

Lutjet për Republikën Demokratike të Kongos

Vështrimi i Papës, ende në Afrikë, shkoi më pas në Republikën Demokratike të Kongos, të cilën do ta vizitojë nga 30 janari i ardhshëm në një shtegtim të madh, që do të vijojë edhe në Sudanin e Jugut. Është vend, ku vdesin njerëz të pafajshëm, siç ngjau më 15 janarin e kaluar, gjatë një sulmi të pranuar nga IS në një Kishë pentekostale, në Kasindi. Në telegramin, drejtuar të nderuarit André Bokundoa-bo-Likabe, kryetar i Kishës së Krishtit në vendin afrikan, Françesku shprehu dhembshuri dhe afërsi për familjet e viktimave. Sot, duke përshëndetur shtegtarët francezë e duke kujtuar shtegtimin e afërm apostolik, kërkoi lutje:

“T'i lutemi Zotit të na japë zemër baritore, që vuan e rrezikon për të dhënë dëshmi! Nuk është vetëm nder, por edhe detyrë t'ua çosh Fjalën e Zotit atyre, që na janë besuar, e edhe atyre, që i takojmë në jetën tonë të përditshme”.

18 janar 2023, 13:15