Kërko

Papa: të krishterët, veprimtarë pajtimi për viktimat e luftës e të shtypjes

Papa Françesku priti në audiencë Delegacionin Ekumenik të Finlandës, me rastin e festës së Shën Henrikut, duke kujtuar vlerën e kujdesit të përbashkët "për plagët e nevojtarëve". Është Pagëzimi ai, që na kërkon të kryejmë "vepra drejtësie dhe gjeste konkrete afrimi" me më të varfrit e shoqërisë

R. SH. – Vatikan

Pagëzimi u bën thirrje të gjithë të krishterëve "të realizojnë falas vepra drejtësie", si dhe "gjeste konkrete afrimi" ndaj viktimave "të padrejtësive, të shpërdorimeve, të formave të ndryshme të shtypjes dhe të luftërave". Me këto fjalë, Papa Françesku iu drejtua anëtarëve të Delegacionit Ekumenik të Finlandës, që mbërriti në Romë, si çdo vit, me rastin e festës së Shën Henrikut, shenjtit pajtor qiellor të vendit skandinav, ku jetojnë "jo vetëm luteranë e katolikë, por edhe ortodoksë e metodistë”.

Duke falënderuar ipeshkven luterane të Helsinkit, Irja Askola, kryetare e delegacionit, për ngushëllimet e saj për vdekjen e Benediktit XVI, Papa Françesku përmendi Detin Baltik për t'iu kthyer konfliktit në Ukrainë:

Jam mirënjohës edhe për gjithçka përkujtoi përmes imazhit prekës të Detit Baltik, burim i jetës së kërcënuar nga veprimi i njeriut, vend takimi që ndikohet dhimbshëm nga atmosefera e konfliktit, shkaktuar nga lufta e egër dhe e pakuptimtë, e cila është gjithmonë disfatë, gjithmonë.

T’i prekim plagët e nevojtarëve

Duhet t’i jemi mirënjohës Zotit për Pagëzimin, tha Papa e kujtoi se ky Sakrament na ka mundësuar pajtimin "me Zotin, me të tjerët, me krijimin":

Jemi bij të pajtuar, prandaj, jemi të thirrur të pajtohemi gjithnjë e më shumë ndërmjet nesh e të punojmë për pajtimin në botë.

Duke përmendur Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, e cila filloi dje, Papa Françesku i nxiti të krishterët të jenë "dëshmitarë të fesë në Krishtin" dhe të kujdesen së bashku, "për plagët e nevojtarëve" ashtu si u kujdes Jezu Krishti për brishtësinë e gjendjes sonë njerëzore:

Në bashkësinë e gjithë të pagëzuarve, ne e dimë se jemi të bashkuar me njëri-tjetrin, këtu dhe tani, me çdo motër e vëlla në Krishtin, por edhe me nënat dhe etërit tanë në fe, që jetuan para nesh.

Bukuria e unitetit

Pikërisht me Shën Henrikun, "dëshmitar i fesë, lajmëtar i shpresës dhe mjet i bamirësisë", kremtohet "bashkimi ekumenik i gjithë shenjtorëve, të njohur dhe të panjohur, të rilindur në jetën e re duke filluar nga uji i Pagëzimit":

Në çdo gjë, e shohim dhe e kuptojmë sa i madh është uniteti, që na bashkon dhe sa e rëndësishme është të lutemi së bashku, të punojmë me zell dhe të dialogojmë intensivisht për t’i kapërcyer ndarjet dhe për të qenë, sipas vullnetit të Zotit, një në bashkësinë trinitare, në mënyrë që bota të besojë.

Flaka e zellit për ungjillëzimin

Megjithatë, vetëdija për të gjitha këto nuk mjafton, nënvizoi Papa Françesku, duhet "pasioni i vërtetë", "i cili buron nga dashuria për bashkimin, nga dëshira për të kapërcyer kundër-dëshminë e ndarjes ndërmjet të krishterëve, trashëguar nga historia, që e ka lënduar kaq shumë unitetin e Korpit të Krishtit, që është Kisha":

Sot, nevojitet sidomos zelli i zjarrtë për ungjillëzimin, sepse duke shpallur së bashku Ungjillin e Krishtit, rizbulojmë se jemi vëllezër e motra; e kuptojmë se nuk mund ta përhapim denjësisht emrin e Jezusit, i cili lindi, vdiq dhe u ngjall për të gjithë, pa dëshmuar bukurinë e unitetit, shenjë dalluese e dishepujve të tij.

Protagonistë të pajtimit në botë

Prej këtej, ftesa e Papës që të mos lodhemi kurrë "duke e dashur njëri-tjetrin, duke shpresuar, duke kërkuar ata që na rrinë larg, duke u djegur në shpirt nga dëshira për ta shpallur Jezusin e për të arritur unitetin". Të kërkojmë gjithnjë dhuratën "e zellit apostolik të përtërirë", në mënyrë që të rizbulojmë "tek besimtarët e tjerë, vëllezërit dhe motrat tona në Krishtin, i cili na bën të ndihemi apostuj të pajtuar nga Zoti, për t'u pajtuar ndërmjet nesh dhe për t'u bërë protagonistë të pajtimit për botën".



19 janar 2023, 11:36