Sulmi në Dnipro, Papa: dhimbje sfilitëse, nuk mund të rrimë indiferentë!
R.SH. / Vatikan
Ashtu si në sulmin e parë kundër Kievit, më 24 shkurt, edhe në audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkureje, dita e 329-të e luftës, Papa nuk e harroi Ukrainën, “tejet nevojtare për afërsi, ngushëllim e, mbi të gjitha, për paqe". Dhimbjes për këtë tokë, të cilën Françesku e quan rishtas "të munduar", i shtohet edhe tmerri për mizorinë e sulmit në Dnipro, në juglindje të vendit. Të shtunën e kaluar, më 14 janar, një raketë rrënoi një godinë, duke vrarë mbi 40 vetë, ndërmjet të cilëve, edhe fëmijë. Kapitull i ri "tragjik" i një lufte brutale, që deri tani u rrëmbeu jetën 7000 njerëzve. Përballë gjithë kësaj - u kujtoi Papa besimtarëve në Sallën Pali VI - nuk mund të bëjmë sikur nuk e shikojmë çka ngjet para syve tanë:
“E të mos harrojmë të lutemi për Ukrainën e martirizuar, që ka kaq shumë nevojë për afërsi, për ngushëllim dhe, mbi të gjitha, për paqe!”.
Kjo, thirrja e Françeskut në përfundim të audiencës së përgjithshme. "Të shtunën e kaluar - vazhdoi Papa - një sulm i ri raketash shkaktoi shumë viktima civile, duke përfshirë edhe fëmijë. E bëj timen dhimbjen dërmuese të anëtarëve të familjeve. Pamjet dhe dëshmitë e këtij episodi tragjik e ngrenë zërin deri në qiell! E janë thirrje e fortë për të gjitha ndërgjegjet. Nuk mund të rrimë me duar kryq, indiferentë!
Më shumë se 40 viktima, ndërmjet të cilave, katër fëmijë
Fjalët e Papës i dëgjoi mbarë bota, pasi gërmimet nën rrënoja për të kërkuar të mbijetuarit në qytet kishin përfunduar. Për kryebashkiakun Boris Filatov nuk ka të mbijetuar të tjerë. Numri i këtij bombardimi, ndoshta nga më të përgjakshmit që nga fillimi i sulmit rus mbi Ukrainën, është 45 të vdekur. Ndërmjet tyre, edhe katër fëmijë: më i vogli, 11 muajsh. Deri tani u shpëtuan 39 vetë, gjashtë prej të cilëve, të mitur.
