Kërko

Piazza San Pietro, cupola di San Pietro, Vaticano Piazza San Pietro, cupola di San Pietro, Vaticano 

Françesku ripohon “Vos estis lux mundi”, procedurë kundër abuzimit

Pas gati katër vitesh eksperimentimi, u publikua një variant i përditësuar i normave për parandalimin dhe luftën kundër abuzimit seksual me të miturit dhe të moshuarit e pambrojtur. E reja më domethënëse është shtrirja e normave që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e ipeshkvijve, të eprorëve rregulltarë e edhe të drejtuesve laikë të shoqatave ndërkombëtare të besimtarëve, të njohura nga Selia e Shenjtë. Teksti i ri harmonizohet me reformat e tjera normative, në veprim nga viti 2019 deri më sot.

R. SH. - Vatikan

Pas gati katër vjetësh eksperimentimi, pasi u këshillua me ipeshkvnijtë dhe dikasteret e Kuries Romake, Papa Françesku i shpalli përfundimisht procedurat për parandalimin dhe luftimin e fenomenit të abuzimit seksual brenda Kishës Katolike. U publikua sot varianti i ri i motu proprio-s “Vos estis lux mundi”(Ju jeni drita e botës), që hyn në fuqi më 30 prill duke e shfuqizuar të mëparshmin të majit 2019 dhe duke konfirmuar vullnetin për të vazhduar luftën kundër këtyre krimeve të shëmtuara.

E reja më domethënëse e përfshirë në variantin e ri të ligjshmërisë është   "Titulli II", ai i udhëzimeve që lidhen me përgjegjësitë e ipeshkvijve, eprorëve rregulltarë dhe klerikëve të ngarkuar me udhëheqjen e një Kishe të veçantë ose të një prelature. I shtohen edhe “besimtarët laikë që janë ose kanë qenë drejtues të shoqatave ndërkombëtare të besimtarëve, të njohura apo të themeluara nga Selia Apostolike, të cilat duhet të përgjigjen për aktet e kryera” gjatë kohës që ishin në detyrë.

Vërehen edhe shumë ndryshime të tjera, për të harmonizuar tekstin e procedurave kundër shpërdorimit, me reformat e tjera normative, në fuqi që nga viti 2019 e deri më sot, veçanërisht me rishikimin e motu proprio "Sacramentorum sanctitatis tutela" (rregullat e ndryshuara më 2021); me ndryshimet në Librin VI të Kodit të së Drejtës Kanonike (reforma e vitit 2021) dhe në Kushtetutën e re mbi Kurien Romake "Praedicate Evangelium" (shpallur në 2022).

Ndërmjet tyre është, për shembull, ajo që ka të bëjë me të rriturit "e cenueshëm". Ndërsa më parë flitej për "akte seksuale me një të mitur ose me një njeri të pambrojtur", varianti i ri flet për "krim kundër Urdhërimit të gjashtë të Dekalogut, kryer me një të mitur, me një të pavetëdijshëm ose me një të rritur të pambrojtur”. Një ndryshim tjetër ka të bëjë me mbrojtjen e atyre që denoncojnë abuzime të pretenduara: ndërsa më parë thuhej se nuk mund të vendosej asnjë detyrim për heshtje ndaj personit që padit, tani shtohet se mbrojtja duhet të zgjerohet, përveçse për ata që sinjalizojnë, edhe “për atë, që pretendon se është fyer si dhe për dëshmitarët”. Forcohet pjesa ku kërkohet të ruhet “mbrojtja legjitime e emrit të mirë dhe sferës private të të gjithë personave të përfshirë”, si dhe pandehja e pafajësisë për ata që janë nën hetim, në pritje që të sqarohen përgjegjësitë e tyre.

Në variantin e ri të "Vos estis lux mundi" saktësohet gjithashtu se dioqezat dhe heparkitë duhet të pajisen me "organizmat dhe zyrat" – në tekstin e vjetër flitej më në përgjithësi për "sisteme të qëndrueshme" - lehtësisht të përdorshme nga publiku për marrjen e sinjalizimeve të abuzimit. Saktësohet edhe se detyra e procedimit të hetimit është e ipeshkvit të vendit, ku dyshohet se kanë ndodhur ngjarjet e raportuara.

Siç kujtohet, procedurat e paraqitura në vitin 2019 përcaktojnë saktësisht se si duhet të sillen ipeshkvijtë përballë raportimeve të rasteve të abuzimit dhe sigurojnë se ipeshkvijtë dhe eprorët rregulltarë - tashmë edhe laikët në krye të shoqatave ndërkombëtare - do të jenë përgjegjës për punën e tyre dhe të detyruar - me një urdhër ligjor të vendosur universalisht - t’i shpallin  abuzimet, për të cilat janë vënë në dijeni.

Dokumenti përfshinte dhe vazhdon të përfshijë jo vetëm ngacmimet dhe dhunën kundër të miturve dhe të rriturve të cenueshëm, por edhe dhunën seksuale dhe ngacmimet, pasojë e shpërdorimit të autoritetit. Prandaj, ky detyrim përfshin edhe çdo rast të dhunës kundër rregulltareve nga klerikët, ashtu si edhe rastet e ngacmimit të seminaristëve apo rishtarëve të rritur.

25 mars 2023, 13:59