Kërko

2023.05.08 Religiosi della Congregazione dello Spirito Santo

Papa Barnabitëve: kurrë prozelitizëm, ta çojmë Krishtin me shpirtin që fiton zemrat!

Papa u takua sot me klerikët rregulltarë të Shën Palit, të njohur si Barnabitët, e edhe me familjen shpirtërore lidhur me ta, të Shën Antonit Maria Zaccaria: “Vraponi si të çmendur drejt Zoti e drejt të tjerëve”: duhet ta çojmë kudo shpirtin “e gjallë”, të Jezusit, që nuk të lë të rrish rehat në poltronë, por të bën të dalësh me gëzim e të rendësh drejt të gjithëve!

R.SH. / Vatikan

Papa u takua sot me klerikët rregulltarë të Shën Palit, të njohur si Barnabitët, e edhe me familjen shpirtërore lidhur me ta, të Shën Antonit Maria Zaccaria, me rastin e 125-vjetori të themeluesit dhe të dy Kapitujve të Përgjithshëm të rëndësishëm. Një familje e larmishme, me rregulltarë, rregulltare dhe laikë të mbledhur - siç shpjegoi vetë Françesku - në tre "kolegje" sipas përkufizimit të Shën Zakarisë - "të gjithë të frymëzuar nga shpirti apostolik i Shën Palit", e në shërbim të Krishtit, në të katër anët e botës, edhe në Shqipëri.  

Vrapim drejt Zotit  

Françesku kujtoi se Shën Anton Maria u thoshte ndjekësve të tij: "Duhet të vraponi si të çmendur! Vraponi drejt Zotit dhe drejt të tjerëve!". E  shprehu dëshirën ta thellojë këtë nxitje në tre aspekte. Para së gjithash, në "vrapimin drejt Zotit", sepse marrëdhënia me Zotin është në bazë të misionit. Shenjti e kishte kultivuar vetë "duke medituar Fjalën e Zotit" - kujtoi Papa dhe shtoi:

“Kjo lloj marrëdhënieje me Krishtin është themelore për ne, për t'u kujtuar të gjithëve, pasi e kemi provuar personalisht, se jeta nuk është e njëjtë me ose pa Zotin dhe kjo është kështu që të mund të vazhdojmë ‘vrapimin drejt qëllimit’, siç thotë Shën Pali, dhe për t’i përfshirë edhe njerëzit që na besohen në këtë garë. Kumtimi ynë misionar nuk është prozelitizëm - e theksoj shumë këtë - por pjesëmarrje në një takim personal - nëse dëshiron! Kështu është Zoti, jetë, jo prozelitizëm - që e ndryshon jetën tonë! Pa këtë, ne nuk kemi për të kumtuar asgjë, e nuk kemi asnjë cak  për të arritur së bashku”.

Vrapimi drejt të tjerëve

Aspekti i dytë, po aq themelor, është "vrapimi drejt të tjerëve" që do të thotë të mos mbyllesh në vetvete, por të shikosh jashtë për t'ua çuar Ungjillin të gjithëve. Të mos e bësh këtë - paralajmëron Françesku - do të ishte imitim i sjelljes së një atleti që stërvitet vazhdimisht, por nuk konkurron kurrë. Pak nga pak ai do të humbiste entuziazmin. E kështu dishepulli i Jezusit do të bëhej dishepull i trishtuar. Por “ne nuk duam të bëhemi dishepuj të trishtuar - vërejti Papa - për të bërë më pas, pyetjen:

“A e kam në shpirt krimbin e trishtimit? A e lë ndonjëherë si fetar a laik  krimbin të më depërtpojë deri atje? Dikush thoshte se i krishteri i trishtuar është i trishtuar i krishterë: e vërtetë, kjo. Por në ne, të shuguruarit, nuk duhet të hyjë trishtimi; e nëse ndokush e ndjen këtë trishtim, të shkojë menjëherë para Zotit dhe të kërkojë dritë, të kërkojë ndonjë vëlla a ndonjë motër që ta ndihmojë ta dëbojë trishtimin nga shpirti i tij”.

Përvoja e Shën Palit

Papa kujtoi, më pas, përvojën e Shën Palit, i cili, duke folur për apostullimin e tij, pati thënë: “Nuk mund të bëj pa Krishtin! Mjerë unë nëse nuk e shpall":

“Mjerë ne nëse nuk e shpallim Krishtin - përsëriti Papa, që më pas i inkurajoi rregulltarët, duke u kujtuar karizmën e tyre:

“Prandaj ju inkurajoj të ecni përpara në drejtimin e treguar nga karizma juaj: ‘Ta çoni Shpirtin e gjallë të Krishtit kudo’. Shpirti ‘i gjallë’ i Krishtit është ai që të pushton zemrën, që nuk të lë të ulesh në kolltuk, por të bën të dalësh drejt vëllezërve, me një çantë shpine të lehtë dhe një vështrim plot bamirësi. Duke e çuar këtë Shpirt kudo, duke mos përjashtuar askënd dhe duke krijuar forma të reja apostullimi, në një botë në ndryshim, që ka nevojë për mendje të shkathta e shtigje të përbashkëta kërkimi, për të identifikuar mënyra të përshtatshme në shërbim të transmetimit të Ungjillit”

“Duhet të vraponi si të çmendur”, vijon të na kujtojë Shën Anton Maria Zaccaria, gjë që nuk ka kuptimin “të çmendur që vrapojnë”, saktësoi Françesku. Përkundrazi, do të thotë ‘guxim krijues’, që të nxit të shkosh përtej të gjithmonshmes dhe të gjesh mënyra të reja e rrugë të reja e - duke cituar sërish fjalët e Shën Palit - të bësh ‘Gjithçka për të gjithë, për të shpëtuar dikë me çdo kusht’". Këtë e theksoi Papa, për të  komentuar më pas:

“Shën Antoni Maria e pati këtë guxim, duke i dhënë jetë institucioneve të reja për kohën e tij: një kongregatë për reformimin e klerit, në një kohë kur shumë klerikë qenë mësuar me jetë komode, të begatë; një kongregacion rregulltar femëror jo i mbyllur, kushtuar ungjillëzimit, në një kohë kur jeta rregulltare nuk mund të mendohej ndryshe, veçse në klauzurë; një kongregatë misionarësh laikë të aktivizuar në shpalljen e Ungjillit, në një kohë kur sundonte njëfarë klerikalizmi”.

Ishin të gjitha risi - kujtoi Papa - aq sa Shën Zakaria ndjeu nevojën "të vinte në Romë për t'i shpjeguar", e për të shprehur dëshirën të mos largohej nga Kisha, "duke pranuar korrigjime dhe përkujtesa, e duke u përpjekur të shpjegojë dhe të ilustrojë arsyet për zgjedhjet e tij e duke ruajtur bashkimin me bindje”.

Që të gjithë të jenë një gjë e vetme!

Në përfundim të takimit Françesku theksoi edhe një herë rëndësinë që ka për familjen shpirtërore të themeluar nga Shën Zakaria, ftesa: “ta bëjmë gjithçka së bashku”, të “jetojmë, të punojmë, të lutemi, të vuajmë dhe të gëzohemi së bashku, si bashkësi” E përfundoi:

“Bashkimi në jetë dhe në apostullim është dëshmia e parë që jeni thirrur të jepni, veçanërisht në një botë të përçarë nga luftërat dhe egoizmi. Në ADN-në e jetës së krishterë dhe të apostullimit shkruhet: ‘Që të jenë të gjithë një gjë e veteme’, ut unum sint, siç u lut Zoti”.

29 maj 2023, 12:17