Kërko

2023.05.17 Maria Ausiliatrice

Françesku: t'i kërkojmë Marisë ta shoqërojë shtegtimin e Sinodit

Papa, pas lutjes së djeshme të Mbretëreshës Qiellore, i ftoi besimtarët në shesh, e edhe ata që ishin të lidhur përmes mediave, t'i luten Nënës së Zotit në shenjtëroret mariane, më 31 maj, për përgatitjet e fazës së parë të Asamblesë së Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet nga 4 deri më 29 tetor, në Vatikan. Nisma është e Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit, në bashkëpunim me Konferencat e Ipeshkvijve nga mbarë bota

R.SH. / Vatikan

Një lutje drejtuar Marisë për të shoqëruar fazën e parë të Asamblesë së Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, planifikuar për datat 4 deri në 29 tetor, në Vatikan, me temë "Për një kishë sinodale: bashkimi, pjesëmarrja,  misioni". Papa Françesku e kërkoi dje pas kremtimit të Mbretëreshës Qiellore, duke kujtuar se të mërkurën e ardhshme, më 31 maj, në fund të muajit marian, ndër Shenjtëroret kushtuar Nënës së Zotit, në të gjithë botën, "do të ketë çaste lutjeje në mbështetje të përgatitjeve për asamblenë e tetorit” si dhe për fazën e dytë, në vjeshtë 2024.

Nismë e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit propozoi për të mërkurën, 31 maj, ditë e përkujtimit liturgjik të Vizitës së Virgjërës Mari, kremtimin e një lutjeje mariane në mbarë botën, në përgatitje për dy fazat e Asamblesë së Përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve. Qëllimi - shkruhet në një shënim - është "të ndërgjegjësohet populli i Zotit për rëndësinë e procesit në vazhdim, të nxiten besimtarët që ta shoqërojnë atë me lutje" dhe të vihet "nën mbrojtjen specifike të Zojës i gjithë procesi sinodal në Kisha e, veçanërisht, puna e Asamblesë së Përgjithshme”.

Zgjedhja e shenjtëroreve i përket Konferencave Episkopale

Ftesa kujton "se do të jetë një çast lutjeje, që do të shprehë bukurinë e besimit popullor rreth shenjtëroreve mariane", të cilat do të zgjidhen sipas gjykimit të Konferencave të ndryshme ipeshkvnore të çdo vendi. Lutja duhet të përfshijë pjesëmarrjen e meshtarëve, të besimtarëve e të rregulltarëve. Edhe bashkësitë individuale të famullisë, në marrëveshje me ipeshkvin e tyre dioqezan, ftohen të ndalen e të luten disa çaste për suksesin e Sinodit. Konferencat Ipeshkvnore do ta organizojnë çastin e lutjes sipas dëshirës. Për Italinë, CEI ka përgatitur një broshurë liturgjike, e cila mund të shkarkohet nga faqja e internetit www.chiesacattolica.it.

29 maj 2023, 12:55