Kërko

Official-Image---TPV-6-2023-ES---Por-la-abolición-de-la-tortura---889x500.jpg

Ndjeti i Papës për qershorin: të zhduket kudo tortura, dinjiteti i njeriut mbi të gjitha

Videomesazh i Papës me ndjetin e lutjes për qershorin, muaji në të cilin kremtohet Dita Ndërkombëtare e OKB-së kushtuar viktimave të torturës, që përdoret edhe sot në vende të ndryshme. Ajo ekziston, denoncon Papa, edhe në forma të sofistikuara si “trajtimet degraduese, lënia pa ndjenja, ose mbajtja në burgje masive, në kushte çnjerëzore, që ia mohojnë dinjitetin njeriut”. Thirrje për bashkësinë ndërkombëtare që të ndihmojë viktimat dhe familjet e tyre

R.SH. – Vatikan

Të zhduket tortura: këtë dëshiron Françesku në ndjetin e lutjes për muajin qershor, që u bë i njohur sot nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës. “Të lutemi – u kërkon Ati i Shenjtë gjithë katolikëve të botës – që bashkësia ndërkombëtare të impenjohet konkretisht për zhdukjen e torturës, duke garantuar mbështetje për viktimat dhe për familjarët e tyre”.

Videoja me të cilën Papa paraqet lutjen e tij nis me pasthirrma: “Tortura. O Zot, tortura!” Françesku e ka më se të qartë se tortura “nuk është histori e së kaluarës. Fatkeqësisht, është pjesë e historisë së sotme”. Vërtet, ajo praktikohet ende në 112 vende të botës. Në burgjet e Meksikës, të Uzbekistanit, Somalisë, Afganistanit dhe të shumë vendeve të tjera, njerëzit rrihen, digjen, privohen nga gjumi, goditen me shkopinj e kundër tyre përdoret rrymë elektrike. Praktikë barbare, e dënuar nga OKB-ja dhe nga vendet, që kanë nënshkruar Konventën kundër torturës dhe trajtimeve, ose dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore e poshtëruese. Fatkeqësisht, edhe në disa nga shtetet, ku nuk përdoret tortura, nuk ka ligj të mirëfilltë kundër saj.

Të jetë kaq e madhe aftësia e njeriut për mizori?

Për këtë arsye, në ndjetin e qershorit, Papa Françesku e ngre zërin: “Si ka mundësi që aftësia e njeriut për mizori të jetë kaq e madhe?” – pyet Ati i Shenjtë. Më pas, denoncon si torturat, që bëhen haptas, ashtu edhe ato, që marrin forma më të sofistikuara, si “trajtimet degraduese, lënia pa ndjenja, ose mbajtja në burgje masive, në kushte çnjerëzore, që ia mohojnë dinjitetin njeriut”. E bën këtë ndërsa në video kalojnë pamje të burgosurish në kushte çnjerëzore: të lidhur në karrige, me kapuç në kokë, me duar të lidhura. Pastaj, një dhomë torture e mundshme, si ato që mund të shihen tani edhe në Shqipëri, në muzetë e ndryshme, që kujtojnë masakrat komuniste: duken qartë kova me ujë, lecka, litarë, bateri elektrike, pinca, dara, çekiça, thika e jo vetëm…

Mundimet e Krishtit

Papa kujton se kjo s’është gjë e re. “Mendoni si u torturua dhe u kryqëzua vetë Jezusi”, vë në dukje ai, ndërsa në video, tregohen Mundimet e Krishtit, vënë në skenë në shenjtëroren “Ecce homo” të Mesoraca-s, në Itali, që të bëjnë përshtypje për realizmin e tyre, nga plagët e kurorës me gjemba tek shenjat e goditjeve me kamxhik, nga mavijosjet tek fryrja e kyçeve të duarve. Por, kush e redukton njeriun në “send”, në “asgjë”, e humbet ai vetë humanitetin, siç ndodhi me torturuesit e Jezusit e me torturuesit e të gjitha kohrave.

Thirrja e Papës

 Prandaj, Françesku vijon me thirrjen:

“Ta ndalim këtë tmerr të torturës. Është thelbësore të vihet dinjiteti i njeriut mbi gjithçka tjetër. Përndryshe viktimat nuk janë njerëz, janë “sende” dhe me ta mund të abuzohet jashtë çdo mase, duke u shkaktuar vdekjen, ose dëmtime të qëndrueshme psikologjike dhe fizike, që mbeten për gjithë jetën”.

Ati i Shenjtë u thotë besimtarëve të luten e të punojnë për ndërgjegjësimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila duhet të marrë masa konkrete për zhdukjen e torturës në botë, përmes ligjeve e impenjimeve të vazhdueshme. Françesku kërkon edhe mbrojtjen e viktimave të kësaj praktike çnjerëzore dhe të familjarëve të tyre.

Dita Ndërkombëtare kushtuar Viktimave të Torturës

Viedomesazhi publikohet sot në mbi 20 gjuhë, në 114 vende të botës. Zgjedhja e ndjetit të lutjes së Papës nuk është e rastësishme: vërtet, më 26 qershor kremtohet Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e Viktimave të Torturës, e cila është edhe data e hyrjes në fuqi, më 1987, të Konventës së OKB-së kundër Torturës dhe Dënimeve e Trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore, ose degraduese. Kjo Konventë, që u miratua në vitin 1984, aktualisht është ratifikuar nga 169 vende. Në Shqipëri, ajo ka hyrë në fuqi më 11 maj 1994.

30 maj 2023, 17:17