Kërko

++ Mattarella, Aldo Moro � stato un uomo pervaso dall'amore ++

Papa dekoron Mattarellën: përkushtim për të mirën e vendit, frymëzuar nga vlerat e krishtera

Papa Françesku vlerëson me çmimin Pali VI Presidentin e Republikës Italiane Mattarella dhe kujton ftesën e Papës Montini “për të qenë të gjithë përgjegjës për të mirën e përbashkët, për të shkuar kundër rrymës së disfatizmit dhe ankesave e për t’i ndjerë nevojat e të tjerëve si tonat"

R.SH. / Vatikan

Besoj se sot dhënia e Çmimit Pali VI Presidentit të Italisë Mattarella është rast vërtet i mirë për të kremtuar vlerën dhe dinjitetin e shërbimit, stilin më të lartë të të jetuarit, që i vë të tjerët përpara dëshirave vetjake.

Shërbimi është ai që e bën veprimtarinë politike formë bamirësie - pohoi Papa Françesku gjatë kremtimit në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan, me rastin e dorëzimit të çmimit me emrin e Papës Montini, Presidentit të Republikës Italiane, i cili pikërisht për t’i shërbyer shtetit, hoqi dorë nga prehja, pas kaq shumë vitesh pune të admirueshme.

Çmimi, i lindur me nismën e Institutit Pali VI për të nxjerrë në pah personalitete të shquara, të dalluara në fusha të ndryshme të kulturës dhe në krijimin e bashkëjetesës së drejtë njerëzore, që dëshmon vitalitetin e trashëgimisë shpirtërore të Papës Montini, i jepet Mattarellës:

 “Për përkushtimin në shërbim të së mirës së përbashkët në një angazhim politik të frymëzuar nga vlerat e krishtera e, në të njëjtën kohë, rigoroz, në shërbim të institucioneve civile”.

Në fjalën e tij, Papa kujtoi se vetë Pali VI, para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian të Demokristianëve në vitin 1972, pati theksuar se “ata, që ushtrojnë pushtetin publik, duhet ta konsiderojnë veten ‘si shërbëtorë të bashkatdhetarëve’, me çinteresimin dhe integritetin që përkon me detyrën e tyre të lartë'”. Në një audiencë të përgjithshme - më 9 tetor 1968 - Montini më pas pati nënvizuar se "detyra e shërbimit është e lidhur me autoritetin" dhe se "sa më e rëndësishme të jetë detyra, aq më i lartë është autoriteti". Por "tundimi i përhapur në çdo kohë, edhe në sistemet më të mira politike" është ai "që të shtyn ta përdorësh autoritetin për intersat vetjake, në vend që të shërbesh përmes tij" - vëren Françesku - duke theksuar më pas se "është e lehtë të hipësh në piedestal", por e vështirë “të zbresësh në shërbim të të tjerëve”.

Shërbimi dhe përgjegjësia

Papa vuri në dukje se "shërbimi krijon gëzim dhe i bën mirë sidomos atyre që shërbejnë e kujtoi më pas citimin e  Palit VI nga vepra e Alessandro Manzonit, "gjeniut universal", "thesarit të pashtershëm të urtësisë morale", "mjeshtrit të jetës", në "Të Fejuarit": "Duhet të mendosh më shumë për të bërë mirë, sesa për t'u ndjerë mirë: e kështu për të përfunduar edhe më mirë":

Por shërbimi rrezikon të mbetet ideal abstrakt, pa një fjalë të dytë, që nuk mund të ndahet kurrë prej tij: përgjegjësi. Ajo, siç tregon fjala vetë, është aftësi për të dhënë përgjigje, duke u mbështetur në angazhimin vetjak, pa pritur që ta japin të tjerët. Sa herë e keni bërë këtë, zoti President, më parë me shembull, sesa me fjalë! Edhe këtu mund të vërehet afiniteti i frytshëm me Giovanni Battista Montinin.

Angazhimi i të gjithëve, për të mirën e përbashkët

Dhe përsëri, nga Pali VI, Françesku kujtoi Letrën Apostolike Octogesima adveniens, ku nënvizohet se "pak vlejnë fjalët, nëse nuk shoqërohen nga  një vetëdije më e gjallë se përgjegjësia", sepse, vijon Dokumenti, "është shumë e lehtë të shkarkosh mbi kurrizin e të tjerëve përgjegjësinë për padrejtësitë, nëse nuk je i bindur njëkohësisht se të gjithë marrin pjesë në to dhe se mbi të gjitha është e nevojshme kthesa personale". Një pohim  gjithnjë aktual - vuri në dukje Papa - "kur nuk ngurron aspak të fajësosh të tjerët, pa pyetur fare për rrezikun e eklipsimit të pasionit të tyre”.

Përgjegjësia, nga ana tjetër, siç po na tregojnë kaq shumë qytetarë të Emilia Romagna-s ditët e fundit, u bën thirrje të gjithëve të shkojnë kundër rrymës në respektimin e klimës së disfatizmit dhe të ankesave, t’i ndjejnë nevojat e të tjerëve si të tyret dhe të rizbulojnë veten si pjesë të pazëvendësueshme të strukturës së vetme shoqërore dhe njerëzore të cilës  i përkasim të gjithë.

Angazhimi për sundimin e ligjit

Duke folur për përgjegjësinë, Françesku flet edhe për "angazhimin ndaj ligjshmërisë", që "kërkon luftë", "vendosmëri" dhe gjithashtu "kujtim të atyre që flijuan jetën për drejtësi", si Piersanti Mattarella, vëllai i kreut të Shtetit Italian, “viktimë e masakrës mafioze të Capaci-t”:

“Shën Pali VI vërente se në shoqëritë demokratike nuk mungojnë institucionet, paktet, statutet”, por "shpesh mungon respektimi i lirë dhe i ndershëm i ligjit" dhe se pikërisht aty "lind egoizmi kolektiv". Edhe në këtë fushë, zoti President, me fjalët dhe shembullin tuaj, të mbështetur nga ajo që keni përjetuar, ju përfaqësoni një mjeshtër koherent të përgjegjësisë.

Ëndrra e Palit VI: bashkësitë solidare

Së fundi, Papa thekson sesa rëndësi i kushtonte Shën Pali VI "përgjegjësisë së secilit për botën e të gjithëve", me ftesën e tij, në Populorum Progressio, "për të luftuar pa hequr dorë përballë çekuilibrimeve të padrejtësive planetare" dhe për të “përballuar sfidat klimatike”, me bindjen se ambienti do të bëhej i patolerueshëm për njeriun “si pasojë e veprimtarisë shkatërruese të atij vetë i cili, duke e zotëruar krijimin, do ta humbiste zotërimin mbi të”. Montini "na la trashëgiminë kërkuese të ndërtimit të bashkësive të solidaritetit" - pohoi Françesku, duke shtuar se kjo ishte ëndrra e paraardhësit të tij, larg maktheve, si “historia e tmerrshme e Aldo Moros”.

Në përfundim, Papa, plot gëzim që po ia dorëzonte Çmimin Pali VI Presidentit Mattarella, "dëshmitarit koherent e të sjellshëm të shërbimit dhe të përgjegjësisë", citoi përsëri Papën Montini, i cili në Evangelii nuntiandi shkroi:

"Njeriu bashkëkohor dëgjon më me dëshirë dëshmitarët, sesa mësuesit, e nëse i dëgjon mësuesit, kjo ndodh sepse janë dëshmitarë”.

29 maj 2023, 14:47