Kërko

Gazetari në shërbim të paqes Gazetari në shërbim të paqes  (Vatican Media)

Papa gazetarëve: jini në shërbim të së vërtetës dhe të së mirës së përbashkët

Një duartrokitje për gazetarët, në Ditën Botërore të Komunikimit. Françesku ua kërkoi besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Mbretëreshës Qiellore.

R. SH. - Vatikan

Në ditën e sotme botërore të komunikimit, me temë “Të flasim me zemër”, Françesku iu drejtua nga dritarja e Pallatit Apostolik gazetarëve dhe punonjësve të komunikimit, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit: “Është zemra ajo që na shtyn për komunikim dhe mikpritje” kujtoi, duke falenderuar punonjësit e komunikimit “për punën e tyre”, me shpresë se “do të jetë gjithmonë në shërbim të së vërtetës dhe të mirës së përbashkët”.

Duartrokitje për gazetarët

Më pas Papa u kërkoi besimtarëve në shesh të duartrokasin të gjithë për gazetarët. I pranishëm në "lutjen e Mbretëreshës Qiellore”  ishte edhe një delegacion i UCSI, (Bashkimit Katolik të Shtypit Italian), i cili sot në mëngjes mori pjesë në meshë, në Qendrën e Shën Lorencit aty pranë dhe organizoi nisma të ndryshme për ta festuar këtë ditë.

Flisni fjalë që dalin nga zemra

 Në mesazhin e tij të publikuar më 24 janar, Françesku shpjegon se “thirrja për të folur nga zemra sfidon rrënjësisht kohën tonë, aq të prirur për qëndrime indiferente dhe indinjuese”. “Në kontekstin dramatik të konfliktit global që po përjetojmë, është urgjente të vendoset një komunikim joarmiqësor. Kemi nevojë për komunikues që punojnë  për çarmatimin total e për të çmontuar psikozën e luftës që fshihet në zemrat tona”.

Më pas, edhe ftesa e fuqishme për të shkuar kundër rrymës duke mbështetur aspiratat për paqe e duke ndjekur shembullin e Shën Françeskut të Sales: "Qëndrimi i tij i butë, humanizmi i tij, prirja e tij për të dialoguar me durim me të gjithë dhe, veçanërisht, me ata që e kundërshtonin - shkruan Papa - e bëri atë dëshmitar të jashtëzakonshëm të dashurisë së mëshirshme të Zotit”.

21 maj 2023, 13:56