Kërko

Papa me fëmijët afrikanë Papa me fëmijët afrikanë

Papa, fëmijëve afrikanë: “Luftoni për paqen, njerëzimi është në rrezik të madh”

Françesku pret në audiencë një grup fëmijësh nga i gjithë kontinenti me rastin e Ditës së Afrikës: “Në vendet tuaja, korrupsion, qeverisje jo e mirë, migrim, terrorizëm, kriza klimatike. Nganjëherë ndiheni të pafuqishëm dhe të shkurajuar, por jeni të rinj dhe keni shumë talente. Shkoni pas ëndrrave të mëdha”. Pastaj, këshilla për të qenë të afërt dhe miq me fëmijët ushtarë dhe me viktimat e çdo konflikti, që të mos ndihen të mënjanuar

R.SH. – Vatikan

Ëndrrat e të rinjve kundër qeverisjes së keqe të të mëdhenjve të kësaj bote, ambiciet kundër korrupsionit, talentet për t’u përdorur kundër terrorizmit, miqësia kundër mënjanimit, dëshira për paqe kundër luftërave dhe konflikteve, që vënë në rrezik humanizmin. Mos u shkurajoni, edhe kur ndiheni "të pafuqishëm", ndiqni gjithmonë "ëndrat e mëdha": kështu i tha Papa një grupi fëmijësh, ardhur nga të gjitha kombet afrikane, të cilët i priti në Vatikan me rastin e Ditës së Afrikës.  Kjo ditë kremtohet për të përkujtuar themelimin e Bashkimit Afrikan, më 25 maj 1963.

Të jesh "ndryshe"

“Më vjen mirë që ju shoh”, u tha Françesku të rinjve të shoqëruar nga prindërit dhe nga ambasadorët. “Ju jeni shenjë e larmisë së pasur kulturore” afrikane, shtoi ai, duke kujtuar se kjo ditë “përfaqëson simbolin e luftës së gjithë kontinentit për çlirim, zhvillim dhe përparim ekonomik e shoqëror, si dhe për thellimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore afrikane”.

“Ju ftoj të keni guximin për të qenë ‘ndryshe’, për të dëshmuar bukurinë e bujarisë, të shërbimit, të pastërtisë, të guximit, të faljes, të luftës për drejtësi dhe për të mirën e përbashkët, të dashurisë për të varfërit, të miqësisë shoqërore”.

Jetojeni paqen rreth jush dhe në shpirt

Françesku u foli të rinjve afrikanë për "një nga sfidat e mëdha të jetës": luftën për paqe. “Ju e dini mirë – u tha ai – po kalojmë kohë të vështira, me njerëzimin në rrezik”. Jo vetëm në Ukrainën evropiane, por edhe në Afrikë, Azi dhe në Lindjen e Mesme ka konflikte e përçarje, që sjellin vëllavrasje. “Jemi në rrezik të madh”, theksoi Papa.

“Prandaj, jetojeni paqen rreth jush dhe brenda jush. Bëhuni ambasadorë të paqes, që bota të rizbulojë bukurinë e dashurisë, të jetës së përbashkët, të vëllazërimit dhe të solidaritetit”.

Mos u shkurajoni përballë sfidave

Duke kujtuar udhëtimin e tij në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, Papa Françesku e hodhi vështrimin mbi "sfidat e mëdha" me të cilat po përballet toka "e dashur" afrikane. Ai i përmendi një nga një: "terrorizmi", "qeverisja e keqe", "korrupsioni", "papunësia masive e të rinjve", "migrimi", "konfliktet ndërkomunitare", "kriza klimatike dhe ushqimore". Një kuadër tejet dramatik, që mund t'i bëjë më të rinjtë të ndihen "të pafuqishëm dhe të shkurajuar", duke e menduar të ardhmen si të zymtë dhe pa perspektivë.

“Po ju jeni të rinj, bartni shumë talente brenda vetes, kultivoni ambicie të mëdha, keni ëndrra të mëdha: ndiqini këto ëndrra të mëdha! Të dashur miq, këtë dua t'i them secilit prej jush: mos hiqni dorë kurrë nga ëndrrat, mos e varrosni kurrë përfundimisht vokacionin, mos u dorëzoni kurrë”.

Pranë fëmijëve ushtarë e të moshuarve

“Ju jeni inteligjentë”, vijoi t’u thoshte Papa të rinjve, bashkë me të cilët denoncoi tragjedinë e fëmijëve ushtarë, që detyrohen të mbajnë armë që të vegjël, po aq viktima të konflikteve sa bashkëmoshatarët e tyre nën bomba e në çdo lloj konflikti. U tha të rinjve afrikanë të bëhen miq me këta fëmijë, që të mos ndihen të mënjanuar e ta dinë se dikush i do. E i këshilloi edhe t’u qëndrojnë pranë të moshuarve, pasi janë rrënjët e tyre. Dëshmia e këshillat e më të vjetërve, përfundoi Papa, na japin mundësinë të ecim përpara.

29 maj 2023, 11:37