Kërko

Gjendja në Emilia-Romagna Gjendja në Emilia-Romagna

Papa Françesku shpreh ngushëllimet për viktimat në Emilia-Romagna

Në një telegram për kryeipeshkvin e Bolonjës, Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, Ati i Shenjtë e ngarkon kardinalin me detyrën për t’u shprehur, në emër të tij, “familjarëve dhe miqve të viktimave”, pjesëmarrjen në keqardhjen për fatkeqësinë e jashtëzakonshme, që ka goditur territorin. “Ndërsa siguron lutje të zjarrta për të vdekurit, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve, Ati i Shenjtë i kërkon Zotit t’i ndihmojë të plagosurit e ata, që po vuajnë pasojat e përmbytjeve"

R.SH. - Vatikan

Pas shirave e përmbytjeve të djeshme në Emilia-Romagna të Italisë, që shkaktuan 9 viktima, shumë të shpërngulur e dëme të pallogaritshme materiale, Papa Françesku i dërgoi sot një telegram kryeipeshkvit të Bolonjës, kardinalit Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Nënshkruar nga Zëvendësi për Punët e Përgjithshme, imzot Edgar Peña Parra, në të, Ati i Shenjtë e ngarkon kardinalin me detyrën për t’u shprehur, në emër të tij, “familjarëve dhe miqve të viktimave”, pjesëmarrjen në keqardhjen për fatkeqësinë e jashtëzakonshme, që ka goditur territorin.

“Ndërsa siguron lutje të zjarrta për të vdekurit, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve, Ati i Shenjtë i kërkon Zotit t’i ndihmojë të plagosurit e ata, që po vuajnë pasojat e këtyre përmbytjeve. Papa Françesku falënderon të gjithë ata, që gjatë këtyre orëve tejet të vështira, po impenjohen për të ndihmuar e për të lehtësuar vuajtjet”. Ati i Shenjtë falënderon edhe bashkësitë dioqezane për afërsinë me popullsitë më të sprovuara dhe u dërgon të gjithëve bekimin apostolik, si shenjë e afërsisë së tij shpirtërore. Së fundi, së bashku me Papën, shprehin afërsinë e tyre edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe vetë imzot Peña Parra.

Dolën nga shtrati 20 lumenj. 9, viktimat

Sot, 27 mijë vetë janë pa energji elektrike në Emilia-Romagna, ku dje shirat e rrëmbyeshme, që shkaktuan përmbytje, pas daljes nga shtrati të 20 lumenjve, sollën si pasojë dëme të pallogaritshme në 42 komuna. Deri tani, numri i të vdekurve është 9: tre në Forlì, katër në provincën e Çezenës, një në zonën e Ravenës dhe një në zonën e Bolonjës. Tre vetë humbën jetën në përpjekjen për të shpëtuar kafshët e shtëpisë; njëri nga viktimat mbeti i mbyllur në makinën e vet, e cila u mbulua nga uji; një tjetri i pushoi zemra dhe të tjerët mbetën në kurth, në katet e ulta të shtëpive. Mijëra, të shpërngulurit. Më 23 maj, do të mblidhet Këshilli i Ministrave të Italisë, që do të shpallin gjendjen e emergjencës për Emilia-Romagna-n. Sipas vlerësimeve të para, dëmet mund të arrijnë në miliarda euro. Zona është ende në emergjencë, me shkollat e mbyllura në Çezenë dhe Bolonjë.

18 maj 2023, 13:10