Kërko

Papa për Family Global Compact: familja punon për të mirën e përbashkët

Mesazh i Françeskut për nismën Family Global Compact, promovuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe nga Akademia Papnore për Shkencat Shoqërore. "Familja – ta kujtojmë - ka efekte pozitive mbi të gjithë, pasi gjeneron të mirën e përbashkët”, pra, e gjithë bashkësia kishtare dhe civile përfiton nga prania e familjeve të shëndosha, të cilat Papa i quan “pasuri e pazëvendësueshme”

R.SH. - Vatikan

"Dëshiroj të mbështes Family Global Compact, program i përbashkët që synon dialogun ndërmjet baritorisë familjare dhe qendrave studimore e kërkimore për familjen, në universitetet katolike të mbarë botës". Ky është qëllimi i Papës Françesku, përcaktuar që në Nxitjen apostolike “Amoris laetitia” e theksuar edhe një herë tani, në një mesazh për nismën e promovuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe nga Akademia Papnore për Shkencat Shoqërore.

Studim e baritori, së bashku, për kulturën e familjes

Qëllimi i Family Global Compact, një pakt global për familjen, është të promovojë sinergjinë ndërmjet udhës së përshkuar në jetën familjare dhe studimeve akademike. Papa shpjegon arsyen:

“Së bashku, universitetet katolike dhe kujdesi baritor i Kishës mund të promovojnë më mirë një kulturë të familjes dhe të jetës, e cila, nisur nga realiteti, t’i ndihmojë brezat e rinj - në këto kohë pasigurie dhe mungese të shpresës - ta vlerësojnë martesën, jetën familjare me pasurinë dhe me sfidat e saj, bukurinë e lindjes dhe të mbrojtjes së jetës njerëzore”.

Kuadri aktual i marrëdhënieve familjare

Universitetet, vazhdon Françesku, kanë për detyrë të hulumtojnë aspekte të ndryshme të institucionit familjar, duke provuar rëndësinë e tij edhe sot. Ati i Shenjtë përshkruan pa doreza gjendjen aktuale:

“Studimet nxjerrin në pah kuadrin e krizës së marrëdhënieve familjare, që rëndohet si nga vështirësitë e ndryshme, ashtu edhe nga pengesat strukturore, gjë që e bën më të vështirë krijimin e familjes, pa mbështetjen e duhur nga shoqëria. Edhe për këtë arsye, shumë të rinj nuk zgjedhin martesën, duke parapëlqyer forma më të paqëndrueshme dhe joformale për marrëdhëniet ndërmjet tyre. Gjithsesi, hulumtimet vënë në dukje edhe se familja vazhdon të jetë burimi kryesor i jetës shoqërore dhe dëshmojnë ekzistencën e praktikave të mira, që meritojnë të përhapen e të njihen në nivelin global”.

Nuk mund të dorëzohemi para problemeve të familjes

Në mesazh, Papa Françesku përshkruan detyrat e Family Global Compact, një program që, sipas tij, ndahet në katër hapa. I pari ka të bëjë me nxitjen e dialogut ndërmjet qendrave kërkimore universitare për çështjet familjare; i dyti synon të promovojë marrëdhëniet ndërmjet universiteteve katolike dhe bashkësive të krishtera. Objektivi i hapit të tretë është të nxisë "kulturën e familjes dhe të jetës në shoqëri", nga e cila të nxirren propozime të dobishme për politikat publike. Së fundi, me hapin e katërt, duhen mbështetur propozimet për përmirësimin e shërbimit ndaj familjes në të gjitha aspektet: “shpirtëror, baritor, kulturor, juridik, politik, ekonomik dhe shoqëror”. Papa nënvizon përgjegjësinë e Kishës:

“Në familje realizohen shumica e ëndrrave të Zotit për bashkësinë njerëzore. Prandaj, nuk mund të dorëzohemi e ta lëmë në dekadencë, në emër të pasigurisë, të individualizmit dhe të konsumizmit, që përvijojnë një të ardhme individësh, të cilët mendojnë vetëm për vete. Nuk mund të jemi indiferentë për të ardhmen e familjes, bashkësi jete dhe dashurie, aleancë e pazëvendësueshme dhe e pazgjidhshme ndërmjet burrit e gruas, vendtakimi ndërmjet brezave, shpresë e shoqërisë”.

Një familje e shëndetshme është mirë për të gjithë

Françesku e përfundon mesazhin me këtë mendim: “Familja – ta kujtojmë - ka efekte pozitive mbi të gjithë, pasi gjeneron të mirën e përbashkët”, pra, e gjithë bashkësia kishtare dhe civile përfiton nga prania e familjeve të shëndosha, të cilat Papa i quan “pasuri e pazëvendësueshme”.

30 maj 2023, 13:00