Kërko

Ukraina Borodyanka Ukraina Borodyanka   (Foto: Cyril Hovorun (director of the Huffington Ecumenical Institute in Los Angeles))

Françesku: të mos harrojmë Ukrainën e martirizuar

Një thirrje e re e Papës sot, në Engjëllin e Tënzot: ta vijojmë lutjen për popullsinë ukrainase! Në Rusi presidenti Vladimir Putin u takua dje me kolegët e gjashtë vendeve afrikane. Sipas presidentit amerikan Joe Biden, Ukraina duhet të përmbushë standardet e vendeve të tjera për t'u bashkuar me NATO-n. Sot vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, në Pekin.

R. SH. - Vatikan

Papa Françeskut nuk e harron për asnjë çast Ukrainën e martirizuar, “që vijon të vuajë shumë". Ndaj u kërkoi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për Engjëllin e Tënzot, të mos i harrojnë ata njerëz e “të ngulmojmë në lutje”.

Putin: Rusia, e gatshme për dialog

Duke u takuar dje me një delegacion liderësh afrikanë, të cilët i paraqitën   planin për fillimin e ndërmjetësimit me Ukrainën, presidenti rus Putin foli për një marrëveshje armëpushimi të nënshkruar nga Ukraina që në fund të marsit 2022, në Stamboll, dhe më vonë, pas tërheqjes së trupave ruse nga rajoni i Kievit,  të hedhur "në koshin e plehrave të historisë".

Kreu i Kremlinit deklaroi gjithashtu se Rusia "është gati për dialog me këdo që kërkon paqe". Ndërkohë këshilltari i zyrës presidenciale ukrainase, Mykhailo Podolyak, e kritikoi delegacionin e liderëve afrikanë. Sipas tij, objektivi i vizitës së tyre në Kiev, më 16 qershor, ishte  “pezullimi i urdhrit të arrestit të Vladimir Putin, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare". Është një pikë, që i shqetëson, e kjo është arsyeja "për të cilën, mendohet se erdhën në Kiev - pohoi Podolyak.

Kievi publikon bilancin e luftës

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës,  publikoi në Facebook të dhëna për konfliktin ndërmjet 24 shkurtit 2022 dhe 18 qershorit 2023: sipas tyre, Forcat e Mbrojtjes së Kievit duhet të kenë vrarë rreth 219,820 rusë, nga të cilët 650 vetëm në 'ditët e fundit. Sipas të njëjtit burim, Forcat e Mbrojtjes së Kievit kanë shkatërruar, që nga fillimi i luftës, 3,984 tanke armike, 7,729 automjete të blinduara luftarake, 3,847 sisteme artilerie, 610 raketahedhës të shumëfishtë, 364 sisteme të mbrojtjes ajrore, 314 luftarake, 304 helikopterë, 3,371 sisteme ajrore taktike pa pilot, 1,211 raketa lundrimi, 18 luftanije/prerëse, 6,571 kamionë dhe cisterna dhe 52 njësi pajisje të specializuara. Nga pala ruse, në një intervistë me RT Arabic, cituar nga Tass, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se "qëllimi i çmilitarizimit të Ukrainës është arritur, pasi Kievi po i përdor gjithnjë e më pak armët e veta, e gjithnjë e më shumë, armët e furnizuara nga vendet perëndimore”.

Biden: e papërgjegjshme, prania e armëve bërthamore në Bjellorusi

Ndërkohë, nga Shtetet e Bashkuara arrin pohimi i presidentit amerikan, Joe Biden, sipas të cilit "është krejtësisht e papërgjegjshme" për Rusinë "të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi", siç pohoi Putin të premten e kaluar në fjalimin e tij në Forumi Ekonomik të Petersburgut. Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se për të qenë pjesë e NATO-s, Ukraina duhet të përmbushë të njëjtat standarde, si vendet e tjera. Biden gjithashtu kujtoi se muajt e ardhshëm shpreson të takohet me presidentin kinez Xi Jinping. Ndërkaq Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti sot në mëngjes  në Pekin. Është vizita e nivelit më të lartë të SHBA në Kinë, pas asaj të paraardhësit të tij, në vitin 2018.

18 qershor 2023, 14:36