Kërko

Shkolla e sulmuar në Ugandë Shkolla e sulmuar në Ugandë   (ANSA)

Masakra studentore në Ugandë. Lutja e Papës

Në Engjëllin e Tënzot Papa u lut edhe për të rinjtë, viktima të "sulmit brutal" në një shkollë të Ugandës. Të paktën 41 të vdekur. Thuhet se sulmuesit po ikin në Republikën Demokratike të Kongos

R. SH. - Vatikan

“Të lutemi për paqe!”. Nga dritarja e Pallatit Apostolik, në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot pas daljes nga spitali Gemelli, Françesku kujtoi me dhimbje e shqetësim edhe "nxënësit e rinj, viktima të sulmit brutal kundër një shkolle në Ugandën perëndimore". Ipeshkvi i Romës nuk lodhet kurrë së luturi për paqen, duke menduar me trishtim të thellë për "pasojat tragjike të luftës, që vijon kudo!".

Ndërmjet viktimave, 38 të rinj, nxënës të shkollës së mesme

Sipas autoriteteve, sulmi është vepër e rebelëve të Forcave Demokratike Aleate (ADF). Ndërmjet viktimave, 38 janë nxënës të rinj të shkollës së mesme Lhubiriha. Instituti privat ndodhet në rrethin ugandian të Kasese, në perëndim të vendit, dy kilometra larg kufirit me Republikën Demokratike të Kongos. Disa djem u vranë, ndërsa dyshohet se shumë vajza u rrëmbyen. Jashtë strukturës u qëllua edhe një roje si dhe dy anëtarë të bashkësisë vendase. Shpëtuan vetëm tetë vetë, të cilët ndodhen në gjendje kritike, në strukturë. Po aty janë akoma edhe disa trupa të djegur, që tani nuk njihen.

Vrasësit, në arrati, të dënuar ndërkombëtarisht

Sulmuesit thuhet se janë në arrati, ndërsa ushtria e Ugandës - sipas një njoftimi për shtyp - po i ndjek hap pas hapi. Forcat Demokratike Aleate (ADF) akuzohen se vitet e fundit kanë nisur shumë sulme kundër civilëve, veçanërisht kundër bashkësive në zonat e largëta të Kongos lindore. Vetëm javën e kaluar, u sulmua një fshat pranë kufirit me Ugandën. Milicët janë kundërshtarë të qeverisë së presidentit të Ugandës, Yoweri Museveni, në pushtet që nga viti 1986.

Sulmi u dënua orët e fundit nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, nga Bashkimi Afrikan dhe nga Bashkimi Europian.

18 qershor 2023, 13:49