Kërko

Kardinale Gianfranco Ghirlanda S.J. Kardinale Gianfranco Ghirlanda S.J.

Urdhri i Maltës, Kardinali Ghirlanda është drejtues i ri shpirtëror

Kardinali jezuit Ghirlanda pason kardinalin Burke, si delegat i posaçëm pranë Urdhrit të Maltë që nga viti 2014 deri tani. Kard. Ghirlanda ka bashkëpunuar si eksperte në hartimin e Kushtetutës së re të Urdhrit të Maltës, botuar më 3 shtator 2022. Dokumenti ripohon detyrat e kreut që janë "promovimi i së mirës shpirtërore të Urdhrit" dhe marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë. Dje paradite, 19 qershor, audienca e parë e Papës me Mjeshtrin e Madh të Urdhrit të Maltës Dunlap, në Vatikan

R.SH. – Vatikan

Pas nëntë vjetësh, Urdhri Sovran i Maltës ka një udhëheqës të ri shpirtëror, pikërisht kardinalin Ghirlanda që përfaqëson Papën brenda Urdhrit. Kardinali Gianfranco Ghirlanda, jezuit dhe kanonist i njohur, ish-rektor i Universitetit Papnor Gregoriana, u emërua dje,  19 qershor, nga Papa Françesku. Ai pason kardinalin amerikan Raymond Leo.

Detyra e udhëheqësit të ri shpirtëror ka qenë gjithmonë të kujdeset për të mirën shpirtërore të Urdhrit të Maltës dhe për marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë. E tij është edhe detyra e informimit të Papës për zgjedhjen e Mjeshtrit të ri të Madh të Urdhrit, i cili bën betimin në prani të kardinalit në një seancë solemne të Këshillit të Lartë të Shtetit Sovran.

Detyrat e ushtruara nga delegati i posaçëm

Pas një krize të brendshme që goditi Smom-in në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017, Papa pati caktuar një delegat të posaçëm që të ushtronte efektivisht funksionet e udhëheqësit të ri shpirtëror dhe që të ndihmonte Urdhrin e Maltës në procesin e përditësimit të Kartës kushtetuese dhe të Kodit Melitens, duke trajtuar gjithashtu edhe "përtëritjen shpirtërore dhe morale të Urdhrit të Maltës, në veçanti të anëtarëve që janë me kushtet e jetës rregulltare".

Me një letër të datës 25 tetor 2021, Papa Françesku i dha kësaj figure të drejta dhe prerogativa të ndryshme duke përfshirë atë të "thirrjes" dhe "bashkëkryesimit" të Kapitullit të Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm të Urdhrit të Maltës, duke përcaktuar edhe një rregullore ad hoc; miratimin e Kartës Kushtetuese dhe Kodit Melitens; mbledhjen e Këshillit të Lartë të Shtetit për zgjedhjen e Mjeshtrit të Madh e kështu me radhë.

Audienca e parë me Mjeshtrin e Madh Dunlap

Dje paradite, Papa priti në audiencë, në Pallatin Apostolik, Mjeshtrin e Madh të Urdhrit të Maltës, Dunlap, për herë të parë pas zgjedhjes në këtë detyrë, më 3 maj të kaluar. Kanadez, 66 vjeç, deri në zgjedhje ishte nëntoger i Mjeshtrit të Madh të Urdhrit të Maltës dhe aktualisht është kalorësi i parë i shpallur nga jashtë që zgjidhet në krye të Urdhrit të Maltës.

Urdhri i Maltës është krijuar në shekullin XI

I quajtur shkurtimisht Urdhri i Maltës, është krijuar në shekullin XI, dhe është një organizatë katolike sovrane, selia e së cilës në Romë gëzon një status ekstraterritorialiteti. Kjo e bën Urdhrin e Maltës të vetmen strukturë qeveritare në botë me vokacion humanitar, të pranuar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare publike, njësoj si një shtet. Pra, Urdhri ushtarak i Kalorësve të Maltës, themeluar në shekullin e XI, vijon të jetë aktiv ende sot dhe tashmë ka natyrën e një organizate të madhe humanitare ndërkombëtare. Urdhri nuk lufton më me shpata, por me mjete paqësore kundër sëmundjeve, varfërisë, mënjanimit social e natyrisht, mbrojtjes e kultivimit së besimit në Zotit.

Themeluar rreth vitin 1050, Urdhri i Maltës në atë kohë njihej si komuniteti i Hospitalierëve të Shën Gjonit të Jerusalemit, me të drejtën e zgjedhjes së udhëheqësve të vet. Urdhri Sovran i Maltës themeluar nga Gerardi i Bekuar, është Urdhër laikë-rregulltarë mase 900 vjeçar. Të gjithë anëtarët e urdhrit kanë për detyrë dhe impenjohen të jetojnë një jetë shembullore e në përkim me mësimet ungjillore. Ia përkushtojnë veten ndihmës humanitare. Urdhri u njoh nga Kisha katolike si organizatë zyrtare nga Papa Pashku II (1113-2013) në shkurt 1113.

Në fillim Urdhri u krijua nga disa kryqtarë aristokratë evropianë, të cilët u kujdesën për besimtarët shtegtarë dhe sëmurët në Jerusalem në shekullin e 12-të, kur morën edhe njohje zyrtare nga Papa. Pas disa dekadash u larguan nga Jerusalemi për në Rodi, pastaj Qipro e së fundi, në Maltë, ku qeverisën ishullin për disa shekuj. Nga Malta ata u përzunë nga Napoleon Bonaparti gjatë fushatës së tij në Egjipt, e aktualisht e selia e këtij Urdhri është në një pallat të lashtë në qendër të Romës, në afërsi të Vatikanit.

Sot, Urdhri Maltës ka spitale dhe nisma të ndryshme humanitare në ma shumë se 120 vende të ndryshme të botës. Ekzistenca e tyre gjatë shekujve është shoqëruar me legjenda të ndryshme. Urdhri sot thotë se dëshiron të heqë imazhin që ka si një klub aristokratësh të pasur evropianë e po gjithnjë më shumë përfshinë talente të reja për të vijuar misionin e vet universal kudo mase 120 Vende të botës

20 qershor 2023, 13:43