Kërko

VATICAN-RELIGION-POPE-ANGELUS VATICAN-RELIGION-POPE-ANGELUS

Papa :Zoti na thërret në çdo fazë të jetës, na shpërblen me Dashurinë e tij të pamasë

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujton se me Zotin nuk mund të kemi marrëdhënie "tregtare", të përqendrohemi më shumë në aftësitë tona sesa në bujarinë e hirit të tij Hyjnor. Zoti na thërret në çdo fazë të jetës sonë. Ai shpërblen të gjithë me të njëjtën dashuri".

R.SH. / Vatikan

“Ungjilli i Liturgjisë së sotme na paraqet një shëmbëlltyrë befasuese: i zoti i vreshtit del nga agimi deri në mbrëmje për të thirrur disa punëtorë, por në fund i paguan të gjithë njësoj, edhe ata që kanë punuar vetëm një orë. Neve na duket si një padrejtësi, por shëmbëlltyra nuk duhet lexuar përmes kritereve të pagave; përkundrazi, ajo dëshiron të na i tregojë kriteret e Zotit, i cili nuk na i llogarit meritat, por na do si bijë, me një dashuri të pamasë, gjithmonë. Kështu tha Papa Françesku, duke komentuar Ungjillin e kësaj së Diele të 25-të gjatë vitit kishar nga Mateu, gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të 18 mijë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme.

Në vijim fjalët e Papës Françesku shqiptuar para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Ungjilli i Liturgjisë së sotme na paraqet një shëmbëlltyrë befasuese: i zoti i vreshtit del që nga agimi deri në mbrëmje për të thirrur disa punëtorë, por në fund të ditës i paguan të gjithë njësoj, edhe ata që kanë punuar vetëm për një orë (shih Mt 20,1-16). Do të dukej si një padrejtësi, por shëmbëlltyra nuk duhet lexuar me kritere pagash; përkundrazi, ajo dëshiron të na i tregojë kriteret e Zotit, i cili nuk na i llogarit meritat tona, por na do si fëmijë.

Le të përqendrohemi në dy veprime hyjnore që dalin nga tregimi i Ungjillit. Së pari Hyji del në çdo orë për të na thirrur; së dyti, Ai i paguan të gjithë njësoj me të njëjtën "monedhë".

Para së gjithash, Zoti është Ai që del në çdo orë për të na thirrur. Shëmbëlltyra ungjillore thotë se pronari i vreshtës "doli në agim për të punësuar punëtorë në vreshtin e tij" (rr. 1), por më pas vazhdon të dalë në orë të ndryshme të ditës deri në perëndim të diellit, për të kërkuar ata që askush nuk i kishte punësuar ende. Kështu kuptojmë se në shëmbëlltyrë punëtorët nuk janë vetëm njerëzit, por mbi të gjitha Zoti, që del gjithmonë jashtë, pa u lodhur, gjithë ditën.

Kështu është Zoti: nuk pret që përpjekjet tona të na ndihmojnë, nuk na bën ndonjë provim për t’i vlerësuar meritat tona para se të na kërkojë, nuk dorëzohet nëse vonojmë t'i përgjigjemi thirrjes së tij; përkundrazi, Ai vetë mori iniciativën dhe në Jezusin "doli" drejt nesh, për të na treguar dashurinë e tij. Dhe Zoti na kërkon në të gjitha orët e ditës, të cilat, siç thotë Shën Gregori i Madh, përfaqësojnë fazat dhe stinët e ndryshme të jetës sonë deri në pleqëri (krh Homelitë mbi Ungjillin, 19). Për zemrën e tij nuk është kurrë vonë, Ai na kërkon dhe na pret gjithmonë.

Pikërisht për shkak se ai është kaq zemërgjerë, Zoti - ky është veprimi i dytë - i shpërblen të gjithëve me të njëjtën "monedhë", që është dashuria e tij. Këtu është kuptimi përfundimtar i shëmbëlltyrës së Ungjillit të kësaj së diele: punëtorët e orës së fundit paguhen si të parët, sepse, në të vërtetë, drejtësia e Zotit është më e lartë. Drejtësia njerëzore thotë "çdonjërit jepni atë që meriton", ndërsa drejtësia e Zotit nuk e mat dashurinë në peshoren e prodhimeve tona, të rezultateve tona apo të dështimeve tona: Zoti thjesht na do, Ai na do sepse jemi bijë dhe Ai vepron me dashuri të pakushtëzuar, të lirë dhe falas.

Vëllezër dhe motra, ndonjëherë rrezikojmë të kemi një marrëdhënie "tregtare" me Zotin, duke u përqendruar më shumë në aftësitë e meritat tona sesa në bujarinë e hirit të tij. Ndonjëherë edhe si Kishë, në vend që të dalim në çdo orë të ditës dhe t'i hapim krahët për të gjithë, mund të ndihemi sikur jemi të parët e klasës, duke i gjykuar të tjerët si të largët, pa menduar se Zoti i do edhe ata me të njëjtën dashuri ka për ne.

E edhe në marrëdhëniet tona, që janë indi i shoqërisë, drejtësia që praktikojmë ndonjëherë nuk arrin t'i shpëtojë kafazit të llogaritjes dhe kufizohemi të japim sipas asaj që marrim, pa guxuar të bëjmë diçka më shumë, pa besuar në efikasitetin e mirë të bërë falas dhe në dashurinë e ofruar me çiltërsi. Le të pyesim veten: a di unë si i krishterë t'u drejtohem të tjerëve? Dhe a jam bujar ndaj të gjithëve, a di të jap atë "ekstra", atë më"shumë" mirëkuptimi dhe falje, sikur më mëson Jezusi?

Na ndihmoftë Zoja e Bekueme që të kthehemi në masën e Zotit, asaj mase që është dashuria e pamasë.

24 shtator 2023, 09:45

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >