Papa: në Marsejë për të promovuar udhët e paqes e të integrimit
R.SH. – Vatikan
Pas Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përmendi udhëtimin e ardhshëm në Marsejë dhe konfliktet, që vazhdojnë të shkaktojnë viktima në botë. Ati i Shenjtë kujtoi se të premten do të niset për në qytetin jugor të Francës, i quajtur “port i shpresës”, me rastin e përfundimit të “Rencontres Méditerranéennes” (Takimet Mesdhetare). “Nismë e bukur – theksoi Papa – që zhvillohet në qytete të rëndësishme të Mesdheut, duke bashkuar liderët kishtarë dhe civilë për të promovuar rrugët e paqes, të bashkëpunimit dhe të integrimit rreth “mare nostrum”, me vëmendje të veçantë ndaj fenomenit migrator”.
“Ai përfaqëson një sfidë jo të lehtë, siç e shohim edhe nga lajmet e ditëve të fundit, por duhet përballuar së bashku, pasi është themelore për të ardhmen e të gjithëve, e cila do të jetë e begatë vetëm nëse ndërtohet mbi vëllazërimin, duke vënë në plan të parë dinjitetin njerëzor, njerëzit konkretë, veçanërisht nevojtarët”.
Kronika flet për gjendjen e vështirë, që po përjeton, për shembull, ishulli i Lampeduzës në Itali, ku aktualisht strehohen rreth dy mijë emigrantë. Duke falenderuar ata që po punojnë fort për suksesin e nismës në Marsejë, Françesku përshëndeti banorët e qytetit francez dhe u kërkoi ta shoqërojnë me lutje.
Afërsia me Ukrainën
Duke u uruar të dielën të gjithëve, Papa kërkoi sërish lutje për njerëzit në konflikt, sidomos në Ukrainë.
“Të vazhdojmë të lutemi për popullin e martirizuar ukrainas dhe për paqen në çdo tokë të përgjakur nga lufta”.
Më pas, Ati i Shenjtë përshëndeti shtegtarët e disa famullive, ardhur nga SHBA-të e Italia, si edhe Motrat misionare të Shëlbuesit nga Kisha greko-katolike ukrainase.
Programi i Marsejës
“Rencontres Méditerranéennes” organizohen nga kryedioqeza e Marsejës, duke filluar nga data e sotme (17 shtator) e deri më 24 shtator. Kjo nismë vjen pas dy takimeve të tjera të reflektimit dhe të përshpirtërisë, me titull “Kufiri Mesdhetar i Paqes”, që u mbajtën fillimisht në Bari më 2020 dhe më pas, në Firence më 2022, të dyja të promovuara nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane.
Françesku do të niset nga Roma pasditen e 22 shtatorit dhe do të pritet në Marsejë nga presidenti francez Macron. Pas takimit me klerin dioqezan dhe lutjes drejtuar Virgjërës Shenjte në Bazilikën "Notre Dame de la Garde", më pas, në orën 18.00, Papa do të shkojë në Memorialin kushtuar marinarëve dhe emigrantëve të mbytur në det. Gjithashtu, Françesku do t’u flasë krerëve fetarë francezë. Të shtunën, takimi privat me disa njerëz në gjendje të vështirë ekonomike, më pas, pjesëmarrja në seancën finale të Takimeve Mesdhetare, biseda me presidentin e Republikës, ndërsa, pasdite mesha përfundimtare e vizitës, të cilën Françesku do ta kryesojë në "Vélodrome Stadium" të Marsejës. Papa do të kthehet në Vatikan në mbrëmje.
