Kërko

2023.09.25 Delegazione del "Consejo Latinoamericano del Centro de Investigacion y Formacion para la Proteccion del Menor" 2023.09.25 Delegazione del "Consejo Latinoamericano del Centro de Investigacion y Formacion para la Proteccion del Menor"

Papa për abuzimet: ta identifikojmë çdo fëmijë me vetë Krishtin

Në fjalët e sotme të Papës Françesku me delegacionin e Këshillit Amerikanolatin të Qendrës kishtare për Mbrojtjen e të Miturve (CEPROME), "abuzimet, që prekin Kishën, të cilat nuk janë tjetër, veçse një pasqyrim i zbehtë i një realiteti të trishtuar, i cili përfshin krejt njerëzimin e të cilit, fatkeqësisht, nuk i kushtohet vëmendja e nevojshme”. “Përpjekjet tona – nënvizon Françesku – nuk duhet të kufizohen vetëm në zbatimin e protokolleve"

R.SH. – Vatikan

 Shqetësimi për fëmijët e abuzuar, por edhe për qëndrimin e Kishës, e cila duhet të vazhdojë udhën e shërimit nga kjo plagë e urryer, në fjalët e sotme të Papës Françesku me delegacionin e Këshillit Amerikanolatin të Qendrës kishtare për Mbrojtjen e të Miturve (CEPROME). Pikërisht në ditën kur në një shenjtërore të Spanjës kremtohet kujtimi i një fëmije martir, i shën Cristóbal de la Guardia, Ati i Shenjtë denoncon edhe një herë abuzimet nga disa anëtarë të klerit dhe nënvizon se “në secilin prej të vegjëlve pasqyrohet fytyra e Zotit”. E pastaj, vijon:

“Nuk duhet të harrojmë: abuzimet, që prekin Kishën nuk janë tjetër, veçse një pasqyrim i zbehtë i një realiteti të trishtuar, i cili përfshin krejt njerëzimin e të cilit, fatkeqësisht, nuk i kushtohet vëmendja e nevojshme”.

Jo vetëm protokolle

Papa vë në dukje hapat e rëndësishme, që janë bërë në gjithë Kishën e, edhe në Qendrën amerikanolatine, për mbrojtjen e fëmijëve e për dënimin e njerëzve, që abuzojnë me ta, kushdo qofshin. “Por është e nevojshme që kjo të jetë edhe vepër e rëndësishme për shoqërinë, në mënyrë që hapat dhe arritjet e Kishës në këtë rrugë të jenë nxitje që institucionet e tjera të promovojnë këtë kulturë të kujdesit”.

“Përpjekjet tona – nënvizon Françesku – nuk duhet të kufizohen vetëm në zbatimin e protokolleve, por duhet t’ua besojmë të vegjlit Jezusit në lutje. E, para Shëlbuesit, të kundrojmë në atë fytyrë të fyer nga njerëzit, edhe vuajtjet që kemi pësuar e shkaktuar, për të mos u ndierë të largët nga ata që mirëpresim, por vëllezër, edhe në dhimbje”.

Shembulli i lutjes së Shën Terezës së Krishtit Fëmijë

 Së fundi, duke nënvizuar se, siç na mëson Jezu Krishti, duhet ta duam njëri-tjetrin si vetveten, Ati i Shenjtë përmendi abuzuesit e dha si shembull lutjen e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, festa e së cilës kremtohet pas pak ditësh, e cila i çonte para Zotit “mëkatarët më të palumtur e më të dëshpëruar, duke u lutur që të bëjnë kthesë, që të shohin tek tjetri sytë e Jezusit, i cili i pyet: ‘Pse më persekutoni?’”

25 shtator 2023, 11:30