Kërko

Papa: Pashkët rrokullisin "gurët e vdekjes"

Papa: "Pasha e Krishtit, forca e Zotit: është fitorja e jetës mbi vdekjen, ngadhënjimi i dritës mbi errësirën, rilindja e shpresës ndër rrënojat e dështimit. Është Zoti, Hyji i të pamundurës, që e rrokullisi përgjithmonë gurin dhe nisi të hapë varret tona, që shpresa të mos ketë fund. Kah Ai, pra, edhe ne duhet t’i naltojmë sytë tanë”.

R.SH. - Vatikan

"Jezusi është Pashka jonë, Ai që na bën të kalojmë nga errësira në dritë, që është i lidhur me ne përgjithmonë dhe na shpëton nga humnera e mëkatit dhe vdekjes, duke na tërhequr në shtysën ndriçuese të faljes dhe jetës së amshuar. Le të ngremë sytë drejt Tij, le të pranojmë në ekzistencën tonë Jezusin, Zotin e jetës, le të ripërtërijmë 'po'-në tonë ndaj Tij dhe asnjë gur nuk do të jetë në gjendje të mbyt zemrën tonë, asnjë varr nuk do të jetë në gjendje të mbyllë gëzimin e të jetuarit, asnjë dështim nuk do të jetë në gjendje të na çojë në dëshpërim”. Kështu tha mes tjerash Papa Françesku gjatë predikimit të Meshës solemne të Natës së Shenjtë të Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, në prani të mëse 6 mijë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës.

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË : Nata e Pashkëve, 30 mars 2024

Gratë shkojnë te varri në dritën e parë të agimit, por në shpirt kanë terrin e e natës. Edhe pse ecin, janë ende të ngrira: zemrat e tyre mbetën tek këmbët e kryqit. Të mjegulluara nga lotët e së Premtes së Madhe, janë të paralizuara nga dhimbja, të mbyllura në ndjenjën se gjithçka u krye, se mbi historinë e Jezusit rëndon guri i varrit. E guri është edhe në qendër të mendimeve të tyre. E e pyesin veten: "Kush do ta rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?" (Mk 16,3). Megjithatë, kur mbërrijnë në vend, fuqia befasuese e Pashkëve i trondit: "duke ngritur sytë - thotë teksti - ata vunë re se guri tashmë ishte rrokullisur, edhe pse ishte shumë i madh" (Mk 16,4). Të ndalemi në këto dy çaste, që na çojnë në gëzimin e paparë të Pashkëve: së pari gratë pyesin veten me ankth se kush do ta rrokullisë gurin; pastaj, duke shikuar lart, shohin se tashmë është rrokullisur.

Para së gjithash është pyetja që i bën të rrahin vrullshëm zemrat e tyre të thyera nga dhimbja: kush do të na ndihmojë ta rrokullisim gurin nga gryka e varrit? Atë gur që përfaqësonte fundin e historisë së Jezusit, të varrosur në natën e vdekjes. Ai, jeta që erdhi në botë, u mbyt; Ai, që shprehu dashurinë e mëshirshme të Atit, nuk u mëshirua; Ai, që i çliroi mëkatarët nga barra e dënimit, u dënua në kryq.

Princi i Paqes, i cili çliroi një grua kurorëshkelëse nga furia e dhunshme e gurëve, shtrihet i varrosur pas një guri të madh. Ky gur, pengesë e pakapërcyeshme, ishte simboli i asaj që gratë ndrynin ndër zemra, fundi i shpresës: gjithçka ishte sulur kundër tij, me misterin e errët të një dhimbjeje tragjike që i kishte penguar ëndrrat e tyre të realizoheshin.

Vëllezër e motra, kjo mund të ndodhë edhe me ne. Ndonjëherë ndjejmë se si një gur varri na rëndon mbi zemrën tonë, duke ia zënë frymën jetës sonë, duke shuar besimin, duke na burgosur në varrin e frikës dhe të hidhërimit, duke na e mbyllur rrugën drejt gëzimit dhe shpresës. Janë "shkëmbijtë e vdekjes", e ne i ndeshim gjatë rrugës, në të gjitha përvojat dhe situatat, që na e rrëmbejnë entuziazmin dhe forcën për të ecur përpara: në vuajtjet që na prekin dhe në vdekjet e njerëzve të dashur, që na lënë zbraztësi të paplotësueshme; në dështimet dhe druajtjet, të cilat na pengojnë të bëjmë gjëra të mira, që na interesojnë; në të gjitha mbylljet, që ngadalësojnë shpërthimet tona të bujarisë dhe nuk na lejojnë t’i hapim zemrat për dashurinë; në muret prej gome të egoizmit dhe të indiferencës, të cilat refuzojnë angazhimin për të ndërtuar qytete dhe shoqëri më të drejta, në shkallë më njerëzore; në të gjitha dëshirat për paqen e copëtuar nga mizoria e urrejtjes dhe egërsia e luftës. Kur i jetojmë këto zhgënjime, ndjejmë se shumë ëndrra janë të paracaktuara të shkatërrohen. E atëhere nuk mund të mos pyesim veten, me ankth: kush do ta rrokullisë gurin nga varri ynë?

 E pra të njëjtat gra, me zemrat plot errësirë, na dëshmojnë diçka të jashtëzakonshme: duke lartuar sytë, vërejnë re se guri tashmë ishte rrokullisur, edhe pse ishte shumë i madh:

Këtu janë Pashkët e Krishtit, këtu është forca e Zotit: fitorja e jetës mbi vdekjen, ngadhënjimi i dritës mbi errësirën, rilindja e shpresës ndër rrënojat e dështimit. Është Zoti, Hyji i të pamundurës, që e rrokullisi përgjithmonë gurin dhe nisi të hapë varret tona, që shpresa të mos ketë fund. Kah Ai, pra, edhe ne duhet t’i naltojmë sytë tanë”.

T’i naltojmë sytë drejt Jezusit: Ai, pasi mori përsipër natyrën tonë njerëzore, zbriti në humnerat e vdekjes dhe i kapërceu me fuqinë e jetës së tij hyjnore, duke hapur horizontin e pafund të dritës për secilin prej nesh. I Ngjallur nga Ati në korpin tonë me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Jezusi hapi një faqe të re për gjininë njerëzore. Që nga ai çast, nëse na merr përdore Jezusi, asnjë përvojë dështimi dhe dhimbjeje, sado që të na lëndojë, nuk mund të ketë fjalën e fundit për kuptimin dhe fatin e jetës sonë. Që nga ai çast, nëse e lejojmë veten të na kapë i Ngjalluri, asnjë disfatë, asnjë vuajtje, asnjë vdekje nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë shtegtimin tonë drejt përsosurisë së jetës.

Që nga ai çast, “ne të krishterët themi se kjo histori... ka një kuptim: kuptim që përfshin gjithçka, kuptim që nuk është më i ndotur nga absurditeti dhe errësira... kuptim, që ne e quajmë Zot... Kah Ai derdhen gjithë ujërat e shndërrimit tonë; nuk zhyten në humnerën e hiçit dhe të kotësisë... meqë varri i tij është bosh dhe ai, që pati vdekur u  duk si i gjallë (K. RAHNER, Ç’është ringjallja? Meditime për të Premten e Madhe dhe për Pashkë, Brescia 2005, 33-35).

Vëllezër dhe motra, Jezusi është Pashka jonë, Ai që na bën të kalojmë nga errësira në dritë, që është i lidhur me ne përgjithmonë dhe na shpëton nga humnera e mëkatit dhe e vdekjes, duke na tërhequr në udhën e ndritur të faljes dhe jetës së amshuar. T’ia ngulim sytë Atij, ta mirëpresim Jezusin, Zotin e jetës, në jetën tonë, t’ia përtërijmë "po"-në tonë sot dhe asnjë gur nuk do të mund të na i ndalë zemrat tona, asnjë varr nuk do të mundë ta mbyllë gëzimin e të jetuarit, asnjë dështim nuk do të jetë në gjendje të na çojë në dëshpërim. T’i lartojmë sytë kah Ai dhe t'i kërkojmë që fuqia e ngjalljes së Tij t’i flakë gurët, që rëndojnë mbi shpirtin tonë. T’i ngremë sytë drejt Tij, të Ngjallurit dhe të ecim me sigurinë se në sfondin e errët të pritjeve dhe të vdekjeve tona, është tashmë e pranishme jeta e amshuar, që Ai erdhi të na e sjellë.

Motër, vëlla, të shpërthejë nga gëzimi zemra jote në këtë natë të shenjtë! Së bashku të këndojmë Ngjalljen e Jezusit: “Këndojeni, vende të largëta, lumenj e fusha, shkretëtira e male... këndoni Zotin e jetës që ngrihet nga varri, më i ndritshëm se një mijë diej. Popuj të rrënuar nga e keqja dhe të goditur nga padrejtësia, popuj pa vend, popuj dëshmorë, sonte largoni këngëtarët e dëshpërimit. Njeriu i dhimbjeve nuk është më në burg: hapi një çarje në mur e nxiton të vijë te ju. Lindtë në errësirë britma e papritur: ai është gjallë, u ringjall!

Dhe ju, vëllezër e motra, të vegjël e të mëdhenj... ju që jeni në luftën e të jetuarit, ju që ndiheni të padenjë për të kënduar... le të kalojë një flakë e re në zemrën tuaj, një freski e re të përshkojë zërin tuaj. Janë Pashkët e Zotit, është festa e të gjallëve” (J-Y. QUELLEC, Dieu face nord, Ottignies 1998, 85-86).

         

30 mars 2024, 14:11