Kërko

 Kryqi, simbol i martirizimit Kryqi, simbol i martirizimit 

Një shenjtore italiane dhe dy martirë të lum spanjollë, ndërmjet Dekreteve miratuar nga Papa

Sot në mëngjes Françesku priti kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, të cilin e autorizoi për kanonizimin e themelueses së Oblateve të Shpirtit Shenjt dhe lumnimin e një prifti dhe një laiku, vrarë në vitin 1936

R. SH. - Vatikan

Thirrja e qartë e një gruaje të vendosur për ta ndjekur Krishtin, përtej pengesave të familjes. Historia e guximit të dy spanjollëve, që gjatë luftës civile nuk e mohuan Ungjillin as përballë grykës së pushkës. Zgjedhja e një gruaje të kushtuar, të mbetur në vend të dytë, sepse konsiderohej më e përshtatshme për të shërbyer. Dekretet e miratuara mëngjesin e sotëm nga Papa, në audiencën me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, nxjerrin në pah historitë e katër dëshmitarëve të rinj të fesë.

Elena Guerra, shenjtorja e ardhshme

Historia e parë është ajo e Elena Guerra-s, shenjtores që jetoi ndërmjet viteve 1835 dhe 1914. Toskane nga Lucca, ku nisi e përfundoi jeta e saj, lindi në një familje fisnike, që e edukoi me vlerat e krishtera. Në moshën njëzetvjeçare ndjeu thirrjen për veprimtari të përbashkët. Fillimisht krijoi "Giardinetto di Maria", më pas "Miqësitë Shpirtërore", dy forma të grumbullimit të femrave laike, që u krijonin të rejave mundësinë të gëzonin ndihmë të anasjelltë shpirtërore. Gjatë një vizite në Romë me të atin, u prek thellë nga pamja e Piut IX dhe vendosi t’i kushtohej Zotit. Familja e kundërshtoi, po ajo nuk u dorëzua dhe forma e jetës fetare që nisi u bë rrënja e Kongregatës së Motrave të Shën Zitës për edukimin kulturor dhe fetar të rinisë, të cilën e themeloi në vitin 1882. Vitet e fundit të jetës të së Lumes u trazuan nga keqkuptimet me disa motra, të cilat e akuzuan për keqadministrim aq, sa Elena, e moshuar dhe e sëmurë, vendosi ta lërë detyrën e saj si eprore. Gjoni XXIII e shpalli të lume në 1959.

Martirët e Spanjës

Nga Spanja u kujtuan historitë e dy burrave të tjerë, të lum në të ardhmen, të cilët gjatë Luftës Civile Spanjolle, si shumë të tjerë, iu kundërvunë hapur dhe vazhdimisht urrejtjes antikristiane dhe egërsisë persekutuese të milicive republikane. Quhen Gaetano Clausellas Ballvé, prift dioqezan i lindur në 1863, me origjinë nga Sabadell, dhe Antonio Tort Reixachs, laik dhe familjar, i lindur në 1895 pranë Barcelonës. Të dy u vranë në vitin 1936. I pari, kapelan i një objekti për të moshuarit, u mor nga milicët më 14 gusht 1936 dhe u qëllua nga pas në agim të ditës tjetër. I dyti, laik, baba i 11 fëmijëve, shumë i përkushtuar ndaj Eukaristisë dhe Zojës, "fajtor" vetëm pse strehoi besimtarë në shtëpinë e tij, u torturua në një kuvend të shndërruar në burg dhe më pas, natën mes 3 dhe 4 dhjetorit, u qëllua pranë varrezave Montcada.

Nga Pulia në Romë, butësisht

Dekretet e miratuara nga Papa i njohin virtytet heroike edhe Shërbëtores së Zotit Teresa Lanfranco (lindur: Annunziata Adolorata), pulieze bashkëkohore nga Galipoli, e cila vdiq në moshën 69-vjeçare në Romë, në vitin 1989, pas një mori peripecish e ngatërresash, që diti t’i shndërrojë në shërbim të përkryer shpirtëror ndaj Zoti e Zojës së Bekuar.

Përveç Marisë, kishte devocion të veçantë edhe ndaj Shën Jozefit, të cilin e konsideronte Shenjtorin e Providencës dhe ia besonte gjithnjë vetveten.

13 prill 2024, 14:06