Kërko

Francesco con i frati minori della Toscana e di La Verna  (Vatican Media) Francesco con i frati minori della Toscana e di La Verna (Vatican Media)

Papa, françeskanëve: pranë atyre që sot mbartin varrët e vuajtjes e të padrejtësive

Në tetëqindvjetorin e dhuratës së plagëve, që i mori Varfanjaku i Asizit më 14 shtator 1224, Papa priti në audiencë fretërit e vegjël të shenjtërores së La Vernës dhe të provincës toskane dhe reflektoi me ta mbi kuptimin e varrëve, që të kujtojnë dhimbjen e pësuar nga Jezusi "për shëlbimin tonë". Françesku i këshilloi françeskanët të "rikthehen tek themelorja" dhe të jenë "bartës të faljes" e, mbi të gjitha, të bëhen të afërt "në një mënyrë të veçantë" me "ata që mbartin plagët" e kohës sonë.

R.SH. / Vatikan

Është "dëshmi gjithnjë aktuale e Ungjillit" kjo, që na e la Shën Françesku i Asizit "me varfërinë e tij shpirtërore dhe me besimin e tij të pakufishëm në Hyjit”. Papa e nënvizoi këtë duke pritur në audiencë sot, më 5 prill, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, fretërit e vegjël të shenjtërores së La Vernës dhe të provincës toskane. Rasti ishte përvjetori i tetë i dhuratës së varrëve, marrë nga i vobegti i Asizit më 14 shtator 1224, që fretërit françeskanë po e përkujtojnë me shtegtimin në bashkësi të ndryshme të  relikes me gjakun e Shenjtit, të cilin ia sollën edhe Papës, për të kujtuar rëndësinë e “ngjasimit të Pajtorit Qiellor të Italisë me 'Krishtin e varfër dhe të kryqëzuar'”.

Papa Françesku shpjegoi se varrët "janë një nga shenjat më kuptimplote", dhuruar "ndër shekuj vëllezërve dhe motrave me kushte, gjendje e prejardhje të ndryshme", të cilat u kujtojnë të gjithëve "dhimbjen që  Jezusi e duroi mbi korpin e vet, për dashurinë dhe shpëtimin tonë” e si “shenjë e fitores së Pashkëve”, sepse përmes plagëve “mëshira e të Kryqëzuarit të Ngjallur, si nëpër kanale, rrjedh drejt nesh”.

I krishteri niset nga Korpi i Krishtit, që është Kisha

I krishteri është pjesë e Korpit të Krishtit, që është Kisha - kujtoi Papa - i cili më pas u ndalua pikërisht tek kuptimi i plagëve, para së gjithash, në jetën e të krishterëve:

“Dishepulli i Jezusit gjen në Shën Françeskun e plagosur, pasqyrën e identitetit të tij. Besimtari nuk i përket një grupi mendimesh ose veprimesh organizuar së bashku vetëm me forcat njerëzore, por një Trupi të gjallë, Trupit të Krishtit, që është Kisha”.

Të jemi artizanë të vëllazërisë

Praktikisht, "në bashkësinë e dashurisë së Kishës" çdo njeri rizbulon se është "bir i dashur, i bekuar dhe i pajtuar, i dërguar për të dëshmuar mrekullitë e hirit dhe për të qenë mjeshtër i vëllazërisë". Prandaj - pohoi Françesku - "i krishteri thirret për t’iu drejtuar në mënyrë të veçantë "të stigmatizuarit" që has, "të plagosurit" nga jeta, atyre që kanë mbi trup e mbi shpirt varrët e vuajtjeve, të padrejtësive të pësuara apo të gabimeve të kryera":

“Në këtë mision, Shenjti i La Vernës është shok udhe, që na mbështet dhe na ndihmon të mos na dërrmojnë vështirësitë, frika dhe kontradiktat, tonat dhe të të tjerëve. Këtë bënte Françesku i Asizit çdo ditë, që nga takimi me lebrozin e në vijim, duke e shndërruar veten në dhuratë e në shërbim, madje duke arritur, vitet e fundit, edhe në "vetmohim", duke mohuar veten dhe udhën, që kishte nisur e duke ecur me guxim e përvujtëri në udhë të reja - kjo, fjala kyçe - duke iu bindur Zotit dhe vëllezërve të tij”.

Thirrje, për t'u kthyer tek themelorja

Për Françeskanët Varrët e Shën Françeskut janë "thirrje e fuqishme për të krijuar unitet", në vetvete dhe në historinë e tyre - shtoi Papa - i Kryqëzuari, që "i duket Varfanjakut të Asizit në La Verna, duke lënë plagët mbi trupin e tij, është po Ai, që i ishte ngulitur në zemër në fillim të 'kthesës’ dhe i kishte ngarkuar misionin e 'rimëkëmbjes së shtëpisë'”. Për Papën, kjo "rimëkëmbje" të kujton "aftësinë për të falur"! Prej këndej, ftesa, e përsëritur disa herë rregulltarëve për të falur gjithmonë, sepse ‘Zoti  fal pa u lodhur kurrë" e "fal gjithçka".

“Në Françeskun, burrë i paqtuar nën shenjën e kryqit, me të cilin i bekonte vëllezërit e tij, plagët a varrët përfaqësojnë vulën e themelores. Kjo ju  bën thirrje edhe ju që të ktheheni tek themelorja në aspektet e ndryshme të përvojës suaj: në kurset tuaja të formimit, në veprimtaritë tuaja apostolike dhe në praninë tuaj ndërmjet njerëzve; e të faleni si bartës të faljes, të shëruar, si bartës të shërimit, të lumtur dhe të thjeshtë në vëllazëri; me forcën e dashurisë që buron nga kraharori i Krishtit dhe që ushqehet në takimin tuaj me Të, për t'u ripërtërirë çdo ditë me afsh serafik që ta përvëlon zemrën”.

Profetë të shpresës

Së fundi, Papa i nxiti françeskanët ta përhapin në "bashkësitë dhe vëllazëritë e tyre, në Kishë dhe në botë, një pjesë të asaj dashurie të pamasë që e shtyu Jezusin të vdiste në kryq për ne".

“Intimiteti me Të - kujtoi - siç ndodhi me Françeskun, t'ju bëjë gjithnjë e më të përulur, më të bashkuar, më të gëzuar dhe më dashamirë të kryqit dhe të vëmendshëm ndaj të varfërve, dëshmitarë të paqes dhe profetë të shpresës në kohën tonë, që përpiqet aq shumë për të njohur praninë e Zotit. Qofshi shenjë dhe dëshmi gjithnjë e më e madhe, me jetën tuaj të përkushtuar për Mbretërinë e Zotit, që jeton dhe rritet ndërmjet njerëzve”.

Papa e përfundoi bisedën me një anekdotë, duke kujtuar se në Argjentinë “ka dashakqinj të priftërinjve” që kur shohin një prift prekin metale, ngaqë mendojnë se ai sjell fatkeqësi, por kjo nuk i prek aspak ata, që kanë zhgunin françeskan. "Është e çuditshme. Françeskani nuk fyhet kurrë - kujtoi Papa - Pse? Nuk dihet! Por zhguni juaj të bën të mendosh për Shën Françeskun dhe hiret që mori".

“Vazhdoni kështu - i ftoi Papa fretërit - nuk ka rëndësi nëse keni xhinse blu nën zhgun: nuk ka problem. Shkoni përpara kështu!”.

Lutja e Papës, Shën Françeskut

Në fund të audiencës, Papa ua besoi fretërve të vegjël lutjen drejtuar Varfanjakut të Asizit, krijuar për këtë rast, e cila që sot e tutje do të thuhet në Kapelën e Varrëve, në La Verna:

Shën Françesk,

 i plagosur nga dashuria e të Kryqëzuarit në trup dhe në shpirt,

të shikojmë të dekoruar me varrët e shenjta,

për të mësuar ta duam Zotin Jezus,

vëllezërit e motrat me dashurinë tënde, pasionin tënd!

Me ty është më e lehtë ta kundrosh

edhe ta ndjekësh

Krishtin e varfër dhe të kryqëzuar.

Dhurona, Françesk, freskinë e fesë sate,

sigurinë e shpresës sate,

ëmbëlsinë e bamirësisë sate!

Ndërmjetëso për ne,

që t’i mbartim ëmbëlsisht barrët e jetës

e që në prova mund të shijojmë

butësinë e Atit e balsamin e Shpirtit.

Plagët tona u shërofshin nga Zemra e Krishtit,

që të bëhemi, si ti, dëshmitarë të mëshirës së Tij,

asaj mëshire që vazhdon ta shërojë e edhe ta përtërijë

 jetën e atyre, të cilët e kërkojnë me zemër të sinqertë.

O Françesk, që u bëre i ngjashëm me Kryqin,

varrët tua qofshin për ne dhe për botën

shenja të shndritshme të jetës dhe të ringjalljes,

që tregojnë rrugë të reja paqeje dhe pajtimi. Amen.

05 prill 2024, 13:16