Kërko

Panorama e Toledos Panorama e Toledos 

Françesku: monumentet janë mësime jete, përpara se objekte muzeale

Françesku priti në audiencë kryebashkiakët e 15 qyteteve spanjolle, të shpallura si trashëgimi botërore nga UNESCO. Interesi për bukurinë e rrjetit urban, vuri në dukje Papa, nuk mund të kufizohet në sferën artistike-kulturore: duhet të ketë "këndvështrim më të gjerë, duke e mirëpritur njeriun në tërësi”.

R. SH. - Vatikan

Kundrimi i monumenteve të një qyteti, që dallohet për trashëgimi të rëndësishme artistike dhe kulturore, u krijon banorëve dhe vizitorëve mundësinë të reflektojnë mbi "maturinë dhe forcën" që e bëri të mundur krijimin e tyre, në mënyrë që ta nxënë "mësimin e drejtësisë dhe të maturisë", që të jep çdo situatë historike. Kështu u shpreh Papa Françesku sot në mëngjes, gjatë takimit me anëtarët e Grupit të Qyteteve Spanjolle të Trashëgimisë Botërore, në Vatikan. Papa nënvizoi se u duhet kushtuar vëmendje popujve dhe “historisë, që nuk kundrohet, por realizohet, me një sy në të kaluarën dhe tjetrin, në të ardhmen".

Duhet ruajtur jo vetëm trashëgimia artistike

Françesku shprehu më pas gëzimin që mundi të priste anëtarët e këtij grupi në qytetin e Vatikanit: "Ashtu si ata, që ju përfaqësoni - kujtoi - ai ruan një trashëgimi të pasur, kujdestarët e së cilës jemi ne". Është përgjegjësi e madhe, por edhe vokacion i bukur". Interesi për trashëgiminë e një qyteti - vuri në dukje në vijim Françesku - nuk mund të kufizohet në sferën artistike-kulturore, por duhet të ketë "një këndvështrim më të gjerë, duke mirëpritur në tërësi njeriun, që e merr këtë trashëgimi dhe popujt, që ia transmetuan”.

Qytete të ndërtuara nga vuajtja dhe shpresa

Françesku më pas vuri në dukje se "situatat historike na flasin për burra dhe gra reale, për ndjenja mirëfillta, të cilat duhet të jenë mësime jete, përpara se objekte muzeale". “Çka i bëri zemrat e tyre të rrahin me pasion është vuajtja dhe malli i njerëzve, që i ndërtuan qytetet e, me kalimin e kohës, përzierja e kulturave dhe qytetërimeve, të cilët pasuan njëri-tjetrin në to dhe, sigurisht, besimi i tyre në Zotin”.

Grupi i qyteteve spanjolle, trashëgimi e njerëzimit

Në Spanjë pesëmbëdhjetë qytete janë shpallur nga UNESCO “Trashëgimi e njerëzimit”. Janë realitete territoriale me qendra historike dhe monumente me vlera të jashtëzakonshme. Grupi i Qyteteve të Trashëgimisë Njerëzore Spanjolle është shoqatë jofitimprurëse, që synon të mbrojë strukturën historike dhe kulturore të këtij territori. Ndër synimet e këtij realiteti, themeluar në vitin 1993, janë edhe mirëmbajtja e qendrave historike dhe mbrojtja e mjedisit. Në Grup bëjnë pjesë këto qytete: Alcalá de Henares, Ávila, Baeza, Cáceres, Córdoba, Cuenca, Ibiza, Mérida, Salamanca, San Cristóbal de La Laguna, Santiago de Compostela, Segovia, Tarragona, Toledo e Ubeda.

13 prill 2024, 11:51