Kërko

2024.04.06 Papa udienza con i Volontari Croce Rossa Italiana 2024.04.06 Papa udienza con i Volontari Croce Rossa Italiana  (Vatican Media)

Papa: në një botë muresh e armiqsh, të kërkojmë dialogun e vëllazërinë

Vullnetarëve të Kryqit të Kuq Italian, pritur me rastin e 160-vjetorit të themelimit, Françesku u kujton se njeriu duhet të jetë në qendër të jetës. Bashkësisë ndërkombëtare i kërkon "rregulla që i garantojnë kudo të drejtat e njeriut".

R. SH. - Vatikan

Në një epokë, në të cilën shtohen gjithnjë e më shumë sherret, racizmi dhe përbuzja ndjehet fort nevoja për "globalizimin e solidaritetit" si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar. Kjo, porosia e Françeskut, i cili sot priti vullnetarët e Kryqit të Kuq Italian me rastin e 160-vjetorit të themelimit të organizatës. Papa falenderoi veprimtarët e CRI-së për praninë e tyre të çmuar, veçanërisht aty ku “rropama e armëve mbyt klithmën e njerëzve, dëshirën e tyre për paqen dhe ëndrrat e tyre e tyre për të ardhmen”. Vëllazëria është e mundur - nënvizon - kur njeriu "frymëzohet nga parimet e humanizmit, paanshmërisë, asnjanësisë, pavarësisë, vullnetariatit, bashkimit dhe universalitetit":

“Nëse vihet në qendër njeriu, mund të dialogojmë, të punojmë së bashku për të mirën e përgjithshme, duke shembur muret e armiqësisë dhe duke kapërcyer logjikat e interesit dhe të pushtetit, që e verbojnë tjetrin dhe e bëjnë armik. Për besimtarin, çdo njeri është i shenjtë. Çdo krijesë njerëzore duhet nga Zoti e, prandaj,  është mbartës i të drejtave të patjetërsueshme”.

T’i duam vëllezërit pa kufi

Papa kujton vlerën e veprimit të "shumë njerëzve vullnetmirë" që punojnë për të mbrojtur më të pambrojturit dhe e inkurajon Kryqin e Kuq, "simbol elokuent i dashurisë për vëllezërit që nuk ka kufij, as gjeografikë dhe as kulturorë, sociale, ekonomike apo fetarë”. E fton, më pas, të vazhdojë “shërbimin e tij të pazëvendësueshëm” në zonat e konfliktit apo të prekurat nga fatkeqësitë ambientale, “në fushën e formimit dhe të shëndetësisë”, si dhe në angazhimin “në favor të migrantëve, të më të fundmëve dhe më të pambrojturve.

"Për këtë dua t'ju them një gjë për fëmijët. Këtu në Itali arritën shumë fëmijë gjatë luftës në Ukrainë. Po, a e dini se nuk e vënë kurrë buzën në gaz? Se nuk dinë të qeshin? Gjë e keqe, kjo, për një fëmijë, ta mendojmë”.

Të globalizohet solidariteti

Papa kujtoi edhe sloganin e këtij përvjetori: "Kudo, për këdo". Deshi të kujtonte, kështu, se "asnjë rrethanë nuk mund të pohojë se është i lirë nga vuajtjet, i lirë nga plagët e trupit dhe të shpirtit". Për këtë arsye - shtoi - është e nevojshme të "globalizoni solidaritetin, duke vepruar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar".

“Prandaj kemi nevojë për rregulla që garantojnë të drejtat e njeriut në çdo vend; për praktika, që ushqejnë kulturën e takimit dhe për njerëz të aftë që e shikojnë botën në një këndvështrim të gjerë, duke parë horizontin, të gjithë atje”.

Shtohen racizmi e përbuzja

Përballë shoqërisë së sotme, më shumë “për vete, sesa për ne”,  shoqëri “në kuptimin egoist të fjalës” - vazhdoi Françesku - fjala “kushdo” na kujton se çdo njeri ka dinjitetin e vet dhe e meriton vëmendjen tonë:

“Nuk mund ta kthejmë kokën mënjanë ose ta përjashtojmë për shkak të kushteve, paaftësisë, origjinës ose gjendjes të saj shoqërore. Prej këndej ju nxis të qëndroni përkrah vëllezërve dhe motrave tona që janë në nevojë, me kompetencë, bujari dhe përkushtim, veçanërisht në një kohë kur po rriten sherri, racizmi e përbuzja”

Bëj thirrje, prandaj, të jemi "mjete të vëllazërisë dhe të paqes, protagonistë në bamirësi e ndërtues të një bote vëllazërore dhe solidare".

06 prill 2024, 11:29