Kërko

Messa nella Domenica della Divinia Misericordia, 2020.04.19 Messa nella Domenica della Divinia Misericordia, 2020.04.19

Papët dhe mëshira e Zotit, fytyrë e dashurisë, që shëron plagë e zemra

Kaloi një javë nga Ngjallja. Jezusi u duket dishepujve dhe u tregon plagët e mundimeve. Të kujtojmë disa reflektime të Gjon Palit II, Benediktit XVI dhe Françeskut në këtë ditë të madhe, kur kremtohet Festa e Mëshirës Hyjnore.

R.SH. / Vatikan

Këtë të diel, e para pas Pashkëve, Ungjilli rikujton disa fraza drejtuar nga Zoti i ringjallur dishepujve: “Merreni Shpirtin Shenjt. Atyre, të cilëve do tua falni mëkatet, do t'u falen; atyre, që nuk do t’ua falni, nuk do t’u falen". Para se të shqiptojë këto fjalë, Jezusi tregon duart dhe kraharorin me varrët e mundimeve. Nga varra e zemrës gurron një valë mëshirë, që mbështjell gjithë njerëzimin. Nuk duhet të dyshojmë kurrë - siç shkroi Papa Françesku në Twitter me rastin e kësaj të diele të Mëshirës Hyjnore - në dashurinë e Zotit: “T'ia besojmë jetën dhe botën Zotit, duke i lypur veçanërisht #paqe të drejtë për kombet e shkatërruara nga lufta".

Emri i dashurisë është Mëshirë

Në këtë ditë kremtojmë festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar më 30 prill 2000 nga Shën Gjon Pali II gjatë kremtimit solemn eukaristik me rastin e shenjtërimit të motrës Maria Faustina Kowalska. Me atë rast, gjatë predikimit, Papa Wojtila kujtoi se Krishti ia besoi mesazhin e tij të mëshirës kësaj murgeshe të përvuajtur polake, ndërmjet Luftës I dhe II Botërore.

Unë jam dashuria e mëshira

"Bija ime, thuaj se jam Dashuria dhe Mëshira", i kërkoi Jezusi motrës Faustinë (Ditari, 374). Këtë mëshirë Krishti e dikon mbi njerëzimin duke dërguar Shpirtin Shenjt, i cili në Trini është Vetja-Dashuri. Thua nuk është mëshira "emri i dytë" i dashurisë, i kuptuar në aspektin e saj më të thellë dhe më të butë, në aftësinë e saj për të marrë përsipër çdo nevojë, e, mbi të gjitha, në aftësinë e pamasë për falje?

Nga zemra e Jezusit, motër Faustina, lindur më 1905 dhe vdekur më 1938, pa dy rreze drite, që ndriçojnë botën: “Dy rrezet - ia shpjegoi vetë Krishti një ditë - përfaqësojnë gjakun dhe ujin”. Nëse gjaku kujton flijimin e kryqit dhe dhuratën eukaristike, uji - shpjegoi Gjon Pali II gjatë kapelës papnore për shenjtërimin e Motër Faustinës - të kujton jo vetëm pagëzimin, por edhe dhuratën e Shpirtit Shenjt".

Mëshira është fytyra e Zotit

Të Dielën e Mëshirës Hyjnore 2008, Benedikti XVI nënvizonte, përpara lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore (Regina Caeli), se mëshira është bërthama qendrore e mesazhit ungjillor. "Është fytyra me të cilën Zoti u duk në Besëlidhjen e lashtë e, plotësisht, në Jezu Krishtin, mishërim i Dashurisë krijuese dhe shëlbuese".

Benedikti XVI: mëshira ndriçon edhe fytyrën e Kishës

“Kjo dashuri plot mëshirë e ndriçon edhe fytyrën e Kishës e duket si nëpërmjet Sakramenteve, veçanërisht atij të Pajtimit, ashtu edhe nëpërmjet veprave të bamirësisë komunitare dhe individuale. Gjithçka që thotë dhe bën Kisha, është shprehje e mëshirës së Zotit për njeriun, pra për ne. Kur Kisha duhet të kujtojë një të vërtetë të panjohur, ose një të mirë të tradhtuar, ajo e bën këtë gjithmonë e shtyrë nga dashuria e mëshirshme, në mënyrë që njerëzit të kenë jetë dhe ta kenë me begati (shih Gjoni 10,10). Nga mëshira hyjnore, që qetëson zemrat, lind paqja e vërtetë në botë, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme”.

Ashtu si motra Faustina, Papa Gjon Pali II qe apostull i Mëshirës Hyjnore. Mbrëmja e 2 prillit 2005, kur u kthye në shtëpinë e Atit, ishte pikërisht pragu i së dielës së dytë të Pashkëve.

Të jesh i mëshirshëm, do të thotë të takosh Jezusin

Plagët e Jezusit nuk janë plagë të largëta, të kufizuara në një kohë të largët të historisë së njerëzimit. Në vitin 2022, gjatë Meshës së Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku na nxiti të kujdesemi për plagët e vëllezërve dhe të motrave që po vuajnë dhe po jetojnë kohë të vështira. Mëshira e Zotit - shtoi Papa - na vë “shpesh në lidhje me vuajtjet e të afërmit”.

Françesku: mëshirë domethënë të prekësh plagët e të vuajturve

“Menduam se ishim në kulmin e vuajtjeve, në kulmin e një situate të vështirë dhe zbulojmë këtu, duke ndenjur në heshtje, se është dikush që po kalon kohë edhe më të këqija. E, nëse kujdesemi për plagët e fqinjit dhe derdhim mbi to mëshirën, tek ne rilind shpresa e re, e cila na ngushëllon në mes të lodhjes. Atëherë le të pyesim veten nëse në kohët e fundit kemi prekur plagët e atyre, që vuajnë në korp a në shpirt; nëse i kemi sjellë paqe një trupi të plagosur a një shpirti të thyer; nëse i kushtuam sadopak kohë duke e dëgjuar, duke e shoqëruar, duke e ngushëlluar. Kur e bëjmë këtë, takojmë Jezusin, i cili na shikon me mëshirë nga sytë e të munduarve prej jetës dhe na thotë: Paqja qoftë me ju!”

Në mosbesimin e Shën Tomës, i cili dëshiron të shohë plagët e Krishtit Zot të Ngjallur, përmblidhet historia e çdo besimtari. “Ka çaste të vështira - vëren Papa - në të cilat të duket se jeta e përgënjeshtron fenë, se jemi në krizë dhe se kemi nevojë të prekim e të shohim. Por, si Toma, pikërisht këtu rizbulojmë zemrën e Zotit, mëshirën e tij".

Në vitin 2015, duke hapur Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës, ​​Papa Françesku na kujtoi një udhëzues të aftë, që na ndihmon për ta kërkuar e për ta gjetur të vëretën:

"Duhet ta vëmë mëshirën, përpara gjykimit dhe në çdo rast gjykimi i Zotit do të jetë gjithmonë në dritën e mëshirës së Tij".

07 prill 2024, 09:52