Kërko

Përvjetori i kanonizimit të Papës Gjon Pali II dhe Papës Gjoni XXIII Përvjetori i kanonizimit të Papës Gjon Pali II dhe Papës Gjoni XXIII

Papët Roncalli dhe Wojtyla, barinj ndërmjet njerëzve

Dhjetë vjet më parë, si nesër, më 27 prill, shenjtërimi i Gjonit XXIII dhe Gjon Palit II gjatë Meshës, kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit. Të dy Papët e Shenjtë, duke jetuar në kohëra historike me trazira të mëdha, dëshmuan shpresën dhe gëzimin që të jep takimi me Jezusin si dhe vetëmohimin e plotë, në shërbim të Popullit të Zotit

R.SH. - Vatikan

Kush janë shenjtorët? Para së gjithash, asnjë prej tyre nuk është mbinjeri, siç e kujton shumë herë Françesku. Megjithatë, në përfytyrimin kolektiv, madje edhe të jobesimtarëve, shenjtëria është sinonim i përjashtimit. Nëse emri yt është në kalendar - mund ta thuash me shaka - sigurisht është pse e ke jetuar jetën në mënyrë të jashtëzakonshme. E Papa pikërisht këtë donte të nënvizonte - gjë që e bëri me një nxitje apostolike, se të gjithë të pagëzuarit janë të thirrur për shenjtëri, për të qenë "shenjtorë të portës  kundruell". E janë shumë. Më të shumtë se ata, emrat e të cilëve i lexojmë në kalendar.

Shenjtëria, shkroi Papa në Gaudete et Exsultate, shihet "tek populli durimtar i Zotit: tek prindërit që i rritin fëmijët e tyre me aq dashuri, tek burrat dhe gratë, që punojnë për të sjellë në shtëpi bukën e përditshme, tek të sëmurët, tek murgeshat e murgjit e moshuar që, edhe në pleqërinë e thellë, e ndoshta të ngarkuar me sëmundje, vazhdojnë të buzëqeshin”.

Barinj me erë delesh

Në këtë shenjtëri të Popullit të Zotit - popull durimtar, që di t'i besojë Atit dhe udhëhiqet prej Tij - Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II patën besuar bindshëm, ndaj më 27 prill, dhjetë vjet më parë, u shpallën shenjtorë në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur përplot me besimtarë. Angelo Roncalli dhe Karol Wojtyla - në Venedik e në Krakov, edhe para se të uleshin në fronin e Shën Pjetrit, në Romë - ishin "barinj me erë delesh" - siç do të thoshte sot Jorge Mario Bergoglio. Jetuan si barinj mes njerëzve, pa frikë se do t’i preknin plagët e Krishtit, plagë të dukshme në vuajtjet e motrave dhe vëllezërve, të cilët formojnë atë Korp, që është Kisha. Një figurë, kjo e fundit, të cilën Koncili II i Vatikanit - i lindur nga zemra e urtë dhe e guximshme e Gjonit XXIII - që kishte një nga mbështetësit e tij më të pasionuar në ipeshkvin e ri Wojtyla - e vendosi përsëri në qendër të jetës kishtare duke e lidhur me përvojën origjinale të bashkësisë së parë të krishterë, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve.

Koha jonë, kohë trazirash të mëdha, pa fund…

Jetojmë në një kohë trazirash të mëdha: vitet e fundit, së pari pandemia; më pas, lufta në Ukrainë; më në fund, konflikti i ri në Lindjen e Mesme! Lidhen së bashku, duke mbjellë dhimbje, frikë dhe një ndjenjë shqetësimi  e cila, falë globalizimit, tani duket se është përmasë që përfshin mbarë njerëzimin.

Por as koha në të cilën jetuan Roncalli dhe Wojtyla nuk ishte më pak e ndërlikuar, e më e rrezikshme se kurrë. Gjoni XXIII, i moshuar dhe i sëmurë, përballoi krizën e raketave kubane në ditët e hapjes së Koncilit. Gjon Pali II, i cili si prift pati jetuar tmerrin nazist në Poloninë e tij të lindjes dhe si ipeshkëv, diktaturën mbytëse komuniste, si Papë, i gjallëruar nga këmbëngulja profetike, përballoi ndeshjen ndërmjet dy blloqeve të Luftës së Ftohtë, deri në shpërbërjen dramatike të Bashkimit Sovjetik dhe në iluzionin pasues për "fundin e historisë".

Larg pesimizmit!

Këta dy Papë të shekullit të 20-të nuk iu përgjigjën tragjedive të kohës së tyre me dorëheqje dhe pesimizëm. Nuk ndoqën litanitë e "profetëve të fatit", të cilëve atëherë, si tani, duket se u pëlqen të ankohen për atë që po shkon keq, në vend që të përveshin mëngët për të ndihmuar në përmirësimin e situatës. Siç nënvizoi Françesku në predikimin e Meshës së shenjtërimit të Gjonit XXIII dhe të Gjon Palit II, "sa më i fortë ishte kundërshtari, aq më i fortë ishte besimi në Jezu Krishtin, Shëlbuesin e njeriut dhe Zotin e Historisë", besim që u duk në gëzimin dhe shpresën, që mund ta dëshmojë vetëm kush takon Krishtin. “Këto - theksoi më tej në predikim - janë shpresa dhe gëzimi që dy Papët Shenjtorë i morën si dhuratë nga Zoti i ringjallur dhe, nga ana tjetër, ia dhuruan me begati Popullit të Perëndisë, duke marrë prej tij mirënjohjen e përjetshme”. Mirënjohje që, për dy shenjtorët, nuk shuhet me kalimin e viteve, por rritet vazhdimisht, me bindjen se tani mund të ndërmjetësojnë nga qielli për Kishën, për Popullin e Zotit, të cilit në jetën e tyre tokësore i shërbyen me dashuri dhe  vetëflijim.

26 prill 2024, 14:18