Kërko

Zjarret në Los Anxhelos Zjarret në Los Anxhelos

Dhimbja e Papës Françesku për viktimat e zjarrit në Los Angeles

Në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar kryeipeshkvit Goméz, Papa shpreh afërsinë me të gjitha familjet, të cilat pësuan humbje për shkak të tragjedisë që goditi metropolin kalifornian dhe lutet për përpjekjet e personelit të shërbimeve të urgjencës

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku është “i pikëlluar” nga humbja e jetëve dhe shkatërrimi, shkaktuar nga zjarret e dhunshme që, ditët e fundit, shkaktuan dëme të jashtëzakonshme në qarkun e Los Anxhelosit. Në një telegram  që u bë i njohur sot, 11 janar, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar Kryeipeshkvit José H. Goméz, Papa kujton "afërsinë shpirtërore" me bashkësitë e prekura nga kjo tragjedi e cila, sipas vlerësimeve, deri tani shkaktoi njëmbëdhjetë vdekje si dhe dëme të pallogaritshme.

Lutjet për ndihmëtarët

Në mesazhin e tij, Papa ia beson shpirtrat e të vdekurve "mëshirës së Zotit të Gjithëpushtetshëm” dhe u bën "ngushëllime të përzemërta" atyre që vajtojnë humbjen e të dashurve. Françesku kujton se lutet "edhe për përpjekjet e shpëtimit nga ana e personelit të shërbimeve të urgjencës".

Numri i përkohshëm, më se dhjetë vdekje

Lajmet e fundit flasin për të paktën gjashtë zjarre të frikshme, që shpërthyen në qarkun e Los Angeles. Njëmbëdhjetë vetë humbën në gjuhët vigane të zjarrit. Sipas lajmeve të fundit për situatën e zjarreve në metropol, autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve është i përkohshëm. Më shumë se 100,000 njerëz janë nën urdhër evakuimi; me dhjetëra mijëra të tjerë, në gatishmëri të lartë. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale orët e fundit tregojnë edhe shtëpitë e aktorëve dhe personazheve të njohura të Hollivudit, të shkatërruara nga flakët.

Ndërkaq, ndërsa makina e solidaritetit nis të lëvizë për t'iu përgjigjur urgjencës dhe për të ndihmuar rindërtimin, Meksika njofton se ka vendosur të dërgojë një ekip zjarrfiksësh në Los Anxhelos, në shenjë solidariteti me rreth dhjetë mijë kolegë kalifornianë të përfshirë në betejën kundër zjarreve.

11 janar 2025, 14:30