Leoni XIV: kultura e paqes lind nga solidariteti dhe ndarja e përbashkët
R.SH. / Vatikan
Shërbimi dhe dëgjimi, janë dy "përmasat binjake" të mikpritjes për çka flet Ungjilli i kësaj së diele të 16të gjatë vitit kishtar nga Luka. Vlerat e mishëruara nga Marta dhe Maria - motra të afta për të bashkuar karizmat, në dukje të kundërta - në realitet janë plotësuese për ndërtimin e një "kulture paqeje", një preludi për bashkim, që shtrihet nga individët - te popujt dhe te fetë.
Papa Leoni XIV gjurmon linja uniteti, ndërmjet kontradiktave të dukshme gjatë homelisë mbajtur në Meshën që kryesoi sot, 20 korrik, në Katedralen e Albanos, kushtuar Shën Pankracit Martir. Rënia festive e të gjitha kambanave të kishave në qytetin e Lacios kujtoi, rreth orës 9:00 të mëngjesit, daljen e Papës nga Castel Gandolfo përmes korridorit me pamje nga Piazza Pia. I përshëndetur nga Ipeshkvi i Dioqezës së Albanos, imzot Vincenzo Viva, Papa Leoni XVI përshëndeti besimtarët e mbledhur në shesh, përpara se të vazhdonte hapat drejt bazilikës.
Takim i "munguar"
"Siç e dini, unë duhej të mbërrija më 12 maj, por Shpirti Shenjt e bëri ndryshe. Gjithsesi jam vërtet i lumtur dhe me këtë vëllazëri, këtë gëzim të krishterë, nga kjo përshëndetje të gjithë të pranishëmve këtu" - tha Papa në fillim të kremtimit të Meshës. Kujtonte kështu faktin se marrja e detyrës së tij si Kardinal-Ipeshkëv i Albanos, duhej të kishte ndodhur më 12 maj, në festën e shenjtit pajtor të dioqezës, Shën Pankracit. Kjo nuk ndodhi, për shkak të zgjedhjes së mëvonshme të Rektorit - Papë më 8 maj. Për atë rast, një pllakë argjendi që mbante stemën e tij u porosit nga vëllezërit mjeshtër argjendarë Alessandro dhe Massimo Pirani: vepra iu dhurua sot nga dy anëtarë të rinj të dioqezës në oborrin e kishës, para kremtimit eukaristik.
Një kopje e Zojës della Rotonda, një ikonë e lashtë në stilin bizantin të Marisë Virgjër dhe Krishtit Foshnje shumë e përkushtuar nga qyteti i Albanos, dominonte presbiterin gjatë Meshës së bashkëkremtuar nga afërsisht 80 priftërinj që punojnë në territorin dioqezan. Bashkëkremtuesit kryesorë ishin Kardinali Michael Czerny, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, Ipeshkvi Vincenzo Viva, famullitari Giovanni Masella dhe Ati Manuel Manuel Dorantes.
Mikpritja dhe bekimi
Në predikimin e Meshës, reflektimi i Papës shpaloset në leximin e parë nga Libri i Zanafilës (Zan 18, 1-10), që rrëfen vizitën e Zotit te Abrahami, "në personin e tre burrave" ardhur në tendën e tij "në orën më të nxehtë të ditës". Leoni XIV u drejtohet afërsisht 400 besimtarëve të pranishëm në bazilikë dhe përshkruan skenën: "dielli përvëlues", "qetësi e palëvizshme e shkretëtirës" nga e cila tre "të huaj" kërkojnë freski. Abrahami, si "zot i shtëpisë", e ushtron rolin e tij në një mënyrë unike: duke njohur praninë hyjnore tek të tre, vrapon drejt tyre e, duke u përkulur, i fton të qëndrojnë. Nga qetësia e pasdites, te lëvizja e gjesteve të dashura që përfshijnë jo vetëm Patriarkun, por edhe Sarën, gruan e tij dhe shërbëtorët.
Për ta njoftuar Abrahamin se Sara do të ketë një djalë, Zoti - theksoi Papa - "zgjedh rrugën e mikpritjes", "kthehet për të trokitur në derën e tyre, duke kërkuar mirëseardhje dhe besim". Dy bashkëshortët e moshuar përgjigjen pozitivisht dhe, megjithëse "ende pa e ditur se çfarë do të ndodhë", njohin një bekim tek vizitorët misteriozë.
U ofrojnë çka kanë: gjellë, shoqëri, shërbim, hijen e një peme. E marrin premtimin e një jete të re e të pasardhësve.
Shërbimi dhe dëgjimi
Pastaj Papa u përqendrua në historinë e Ungjillit të Lukës (Lk 10, 38-42), atë të vizitës së Jezusit në shtëpinë e Martës dhe Marisë. Ndërsa kjo e fundit e dëgjon ulur te këmbët e Tij, tjetra e mirëpret me vëmendje të pakursyer. Ankesave të tyre, duke kërkuar ndihmë për çështje praktike, Jezusi u përgjigjet duke i ftuar të vlerësojnë vlerën e dëgjimit.
Larg nga kontrasti i dy qëndrimeve, a krahasimi i meritave të dy grave, Papa sqaron se shërbimi dhe dëgjimi janë dy "përmasa binjake të mirëseardhjes", para së gjithash, në marrëdhënien tonë me Zotin.
Ndërsa është e rëndësishme ta jetojmë fenë tonë "në konkretësinë e veprimit dhe në besnikëri ndaj detyrave tona" - paralajmëron Papa Prevost - ta bëjmë këtë duke filluar nga meditimi mbi Fjalën e Zotit, falë "çasteve të heshtjes, çasteve të lutjes, kohërave në të cilat, duke shuar zhurmën dhe shpërqendrimet, mblidhemi para Tij dhe krijojmë unitet brenda vetes".
Kjo është përmasë e jetës së krishterë që ne duhet ta rimarrim veçanërisht sot, si vlerë personale dhe të përbashkët, si shenjë profetike për kohët tona, duke i bërë vend heshtjes, për dëgjim.
Më pas Papa i ftoi të pranishmit ta shijojnë takimin me Zotin në ditët e pushimit, pa harruar se edhe lodhja është e nevojshme.
Prej këndej, ftesa për t’i jetuar ditët “me kundrim e veprim”, “ pushim e lodhje”, “heshtje e veprimtari”, “dije e ekuilibër, duke pasur gjithnjë si “kut” dashurinë e Jezusit, si “dritë”, Fjalën e Tij e si “gurrë force”, hirin e Tij që - përfundoi - na ruan e na mbron përtej mundësive tona”.
Para bekimit përfundimtar, Papa i dhuroi ipeshkvit Viva një kazulë, petk meshe, si shprehje e afërsisë me kishën dioqezane, duke e falëndruar prelatin dhe popullin e tij.
