Papa i telefonon Kard. Pizzaballa: mjaft me masakrat në Gaza
R.SH. / Vatikan
"Është koha t'i jepet fund kësaj masakre". Papa Leoni XIV i telefonoi Patriarkut latin të Jeruzalemit, kardinalit Pierbattista Pizzaballa, i cili hyri në Gaza me Patriarkun ortodoks të Jeruzalemit Teofili III, me qindra ton ndihma humanitare, një ditë pas sulmit izraelit kundër famullisë së vetme katolike në Rripin e Gazës, që shkaktoi 3 të vdekur dhe 11 të plagosur, përfshirë famullitarin, At Gabriel Romanelli.
"Gjatë rrugës sonë, pikërisht në kufi me Gazën," thotë kardinali Pizzaballa për media e Vatikanit, "ndërsa po ecnim, Patriarku greko-ortodoks dhe unë, së bashku me delegacionin tonë, në Gaza për një vizitë solidariteti me famullinë kishtare dhe familjet e viktimave dhe me gjithë komunitetin, Shenjtëria e Tij Papa Leoni XIV telefonoi për të shprehur afërsinë, dashurinë, lutjen dhe mbështetjen e tij, si dhe qëllimin e tij për të bërë gjithçka të mundur që të arrihet jo vetëm një armëpushim, por fundi i kësaj tragjedie".
"Papa Leoni", tha Patriarku, "përsëriti disa herë se është koha t'i jepet fund kësaj masakre dhe se ajo që ndodhi është e pajustifikueshme dhe duhet të sigurohemi që të mos ketë më viktima.
Në emër të Patriarkatit Latin, por edhe të të gjitha Kishave të Tokës së Shenjtë, duam të falënderojmë Shenjtërinë e Tij për këtë afërsi, për lutjen e tij për të cilën ishim siguruar edhe më parë, dhe nga ana jon e sigurojmë atë, edhe nga i gjithë komuniteti i Gazës, vëllezërit dhe motrat, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, për lutjen dhe falënderimin tonë".
