Papa: të marrin fund menjëherë barbaritë e luftës, zgjidhje paqësore për Lindjen e Mesme
R.SH. / Vatikan
Kërkoj që barbaria e luftës të ndalet menjëherë dhe të arrihet një zgjidhje paqësore e konfliktit.
Kjo është një kërkesë e qartë dhe e vendosur që Papa Leoni bën në fund të lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, të dielën më 20 korrik, në Castel Gandolfo, duke lëshuar një apel të zjarrtë për Lindjen e Mesme dhe duke menduar për atë që ndodhi të enjten e kaluar në Gaza "me sulmin - thotë Papa - të ushtrisë izraelite kundër Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza".
Një sulm në të cilin vdiqën tre të krishterë, të cilët Papa i kujton duke i thirrur me emër - Saad Issa Kostandi Salameh, Foumia Issa Latif Ayyad, Najwa Ibrahim Latif Abu Daoud - sepse pas çdo viktime ka një histori që nuk duhet harruar.
"Jam veçanërisht afër – thotë Leoni XIV - familjarëve të tyre dhe të gjithë besimtarëve të famullisë kishtare e mbarë popullsisë. Ky akt, fatkeqësisht, shtohet në sulmet e vazhdueshme ushtarake kundër popullsisë civile dhe vendeve të kultit në Gaza". Sot u njoftua për shumë palestinezë të vrarë, mbi 30 prej të cilëve po prisnin kamionët humanitarë pranë kalimit Zikim, pranë qendrave të shpërndarjes, në veri të Rripit, sipas burimeve mjekësore të cituara nga Al Jazeera.
Të respektohet e drejta humanitare
Papa më pas foli me fjalë shungulluese: bëri thirrje për respekt ndaj civilëve, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të respektojë ligjin humanitar, detyrimin për të mbrojtur civilët si dhe ndalimin e ndëshkimit kolektiv dhe përdorimit pa dallim të forcës e të zhvendosjes së detyruar të popullatave.
"Jeni në zemrën e Papës dhe të të gjithë Kishës".
Një mendim, më pas, iu kushtua të krishterëve të Lindjes së Mesme, që jetojnë çdo ditë me ndjenjën e hidhur të njerëzve të padobishëm. Ia porositi Virgjërës Mari, që t'i mbrojë gjithmonë dhe "ta shoqërojë botën drejt agimit të paqes".
Të krishterëve tanë të dashur të Lindjes së Mesme u them: jam pranë jush, që mendoni se nuk jeni më në gjendje t’i bëni ball kësaj situate dramatike. Ju jeni në zemrën e Papës dhe të të gjithë Kishës. Faleminderit për dëshminë e fesë suaj.
Lutuni për sundimtarët
Së fundmi, Papa përshëndeti pjesëmarrësit e rinj në shtegtimin e organizuar nga Bashkësia Katolike e Botëkuptimit, për vizitë në Romë, pas disa javësh lutjeje dhe formimi. Përshëndeti ata që marrin pjesë në "Shkollën Ndërkombëtare të Familjeve të Reja" të Lëvizjes Focolare, që zhvillohet në Loppiano. "Lutem - tha Papa - që kjo përvojë përshpirtërie dhe vëllazërie t'ju bëjë të fortë në fenë tuaj dhe të gëzuar në shoqërimin shpirtëror të familjeve të tjera". Falënderoi, pastaj, Forumin Ndërkombëtar të Veprimit Katolik, që sponsorizoi "Maratonën e lutjes për Qeveritarët.
Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes, secilit prej nesh i drejtohet ftesa të ndalemi vetëm për një minutë në lutje, duke i kërkuar Zotit t'i ndriçojë Qeveritarët e t'i frymëzojë për projekte paqeje.
Së shpejti, në Vatikan.
Pastaj, një mendim edhe për Institutin Katolik të Teknologjisë, me seli në Castel Gandolfo; Grupin e Skautëve Agesci Gela 3, që merr pjesë në shtegtim të Jubileut e që do të përfundojë para varrit të të Lumit Carlo Acutis; të rinjtë e Castello di Godego, pjesëmarrës në një përvojë shërbimi me Caritas Rome; anëtarët e Grupit Folklorik "'O Stazzo", si dhe Bandën Muzikore Alba de Tormes.
Falënderimet e fundit ishin për qytezën laciale, ku Papa po kalon një periudhë pushimi.
“Do të kthehem në Vatikan, pas këtyre dy javëve të kaluara këtu në Castel Gandolfo. Ju falënderoj për mikpritjen tuaj dhe ju uroj të gjithëve një të dielë të lumtur!”.
