Leoni XIV të rinjve: synoni gjëra të mëdha, frymëzojini të gjithë me dëshminë e fesë
R.SH. - Vatikan
Papa Leoni mbërriti herët në Tor Vergata, si të donte të ishte sa më shpejt pranë të rinjve. Nuk kishte trokitur as ora 8 e mëngjesit kur ai përshkoi shëtitoren me xhipin e tij të bardhë, por mijëra të rinjtë dhe të rejat, që e kaluan natën në çanta gjumi e shtretër të improvizuar, nuk po dremisin. Ata e mirëpritën me gëzim të papërmbajtshëm, duke ngritur krahët, duke thirrur emrin e tij, duke valëvitur flamuj, banderola, kapele dhe çdo gjë tjetër që kishin e që mund ta spikaste edhe praninë e tyre. Sipas autoriteteve, në periferi të Romës qenë mbledhur mbi një milion vetë - ndërmjet të cilëve, 20 kardinaj e 450 prelatë, duke përfshirë ipeshkvijtë dhe kryeipeshkvijtë e gati-gati 7,000 priftërinj - për Meshën Jubilare kushtuar të të rinjve, që e ndoqën 850 punonjës të medias, ndërmjet të cilëve, gazetarë, fotografë, kameramanë e videografë.
Mirëmëngjes të rinjve e të rejave
Sapo mbërriti në skenë, përpara se të përgatitej për liturgjinë, Papa përshëndeti turmën në gjuhë nga më të ndryshmet: "Mirëmëngjes të gjithëve! Gëzuar të dielën! Mirëmëngjes! Buenos dias! Bonjour, Guten Morgen...
Shpresoj se të gjithë do të pushoni pak - shtoi - e pastaj kërkoi bekimin e Zotit mbi të gjithë, duke shpresuar se "kremtimi i madh në të cilin Krishti la praninë e Tij në Eukaristi" do të jetë "rast vërtet i paharrueshëm për secilin prej nesh". E përfundoi me fjalët prekëse:
"Kur jemi së bashku si Kisha e Krishtit, ne e ndjekim, ecim së bashku, e jetojmë Jezu Krishtin."
Të shikojmë lart
Pasi iu përgjigj mbrëmë pyetjeve të tre të rinjve, të cilët folën për shqetësimet, pasiguritë dhe dyshimet e brezave të rinj, në predikimin e tij, të mbajtur në italisht dhe pjesërisht në spanjisht dhe anglisht, Papa i ndërroi shkurtimisht rolet dhe i bëri vetes tri pyetje. "Çka është në të vërtetë lumturia? Cili është kuptimi i vërtetë i jetës? Çka na çliron nga ujërat e ndenjura të mungesës së kuptimit, të mërzisë e mediokritetit? E edhe gjegji, duke përmbledhur "shumë përvoja të bukura" që të gjithë i kanë pasur gjatë ditëve të kaluara të Jubileut: "Ju takuat bashkëmoshatarë nga vise të ndryshme të botës, përfaqësues të kulturave të ndryshme. Shkëmbyet njohuri, shkëmbyet biseda, dialoguat me qytetin përmes artit, muzikës, teknologjisë së informacionit dhe sporteve. Pastaj, në Circus Maximus, duke iu afruar Sakramentit të Pendesës, morët faljen e Zotit dhe kërkuat ndihmën e tij për të jetuar një jetë të mirë".
Përgjigja është në të gjitha këto gjëra: "përsosuria e jetës sonë nuk varet nga çka grumbullojmë" - theksoi Leoni XIV- as "nga çka zotërojmë". Përkundrazi, është në “çka mirëpresim dhe e ndajmë me gëzim”, në dashurinë e Krishtit.
Të blesh, të grumbullosh, të konsumosh - nuk mjaftojnë. Duhet t’i lartojmë sytë, të shikojmë lart, drejt “gjërave lart”, për të kuptuar se gjithçka, ndër realitetet e botës, ka kuptim vetëm në masën që shërben për të na bashkuar me Zotin dhe me vëllezërit e motrat tona në bamirësi, duke ushqyer brenda nesh “ndjenja butësie, mirësie, përvujtërie, bujarie, faljeje dhe paqeje”, si ato të Krishtit. E, në këtë horizont, do ta kuptojmë gjithnjë e më shumë se çfarë do të thotë që “shpresa […] nuk të zhgënjen, sepse dashuria e Zotit vërshoi në zemrat tona nëpërmjet Shpirtit Shenjt, që na u dha”. Të dashur të rinj, shpresa jonë është Jezusi!
Jezusi i ndryshon jetët tona
Është "takimi" me Krishtin e Ringjallur që e ndryshon "jetën tonë, duke ndriçuar ndjenjat, dëshirat dhe mendimet tona", shpjegoi Papa, duke u frymëzuar nga leximi i parë shkëputur nga Libri i Kohelet, i cili paralajmëron se "gjithçka është kotësi e kotësive", se gjithkush duhet ta lërë pas çka grumbulloi, për të kujtuar "se gjithçka kalon”. Njëlloj edhe Psalmi 90 "na përshkruan pamjen e barit që mbin: në mëngjes lulëzon", por "në mbrëmje kositet e thahet". "Dy kujtesa të forta, ndoshta pak tronditëse, por që nuk duhet të na trembin", inkurajoi Papa Leoni, sepse "brishtësia për të cilën na flasin" është "pjesë e mrekullisë që jemi".
Ekzistenca njerëzore përtërihet vazhdimisht në dashuri
E Papa i drejtohet përsëri natyrës, për të sqaruar se jeta jonë është rigjenerim dashurie. Si livadhi, që bleron e pastaj bëhet bujarisht ushqim. E kur gjithçka duket se heshti gjatë muajve të akullta të dimrit, përgatitet të shpëthejë pranvera me mijëra ngjyra!
Për këtë u krijuam! Jo për një jetë ku gjithçka është e parashikueshme dhe e fiksuar, por për një ekzistencë që përtërihet vazhdimisht përmes dhurimit, përmes dashurisë. E kështu vazhdimisht dëshirojmë diçka "më shumë", që asnjë realitet i krijuar nuk mund të na e japë; ndiejmë etje të madhe e përvëluese, aq sa asnjë pije e kësaj bote nuk mund të na e shuajë. Përballë kësaj etjeje, të mos i mashtrojmë zemrat tona, duke u përpjekur ta shuajmë atë me zëvendësues joefektivë! Por t’i dëgjojmë!
Veç Zoti na e shuan etjen e zemrës
Etja e zemrës shuhet nga Zoti, përmbledh Papa, e Shën Augustini na sqaron se "objekti i shpresës sonë" nuk është "toka", as "diçka që vjen nga toka, si ari, argjendi, pemët, të korrat, uji" - gjëra që "të pëlqejnë, janë të bukura", "të mira", por nuk janë shpresë. "Kërko atë që i krijoi; ai është shpresa jote", tha Ipeshkvi i Iponës, i cili në Rrëfimet e tij pranon, duke iu drejtuar Zotit: "Ti ishe brenda meje e unë isha jashtë. Atje të kërkova". Këto reflektime më sjellin në mendje ftesën që bëri Papa Françesku gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë, saktësisht dy vjet më parë. Leoni e përsëriti në spanjisht atë nxitje "për t'u përballur me pyetje të mëdha" duke ndërmarrë "një udhëtim", duke tejkaluar veten, duke shkuar "përtej". Përgjigja qëndron te Krishti, i cili, siç tha Shën Gjon Pali II në vigjiljen e lutjes së Ditës së 15-të Botërore të Rinisë, në vitin 2000, "frymëzon dëshirën për ta bërë jetën të madhe, për ta përmirësuar veten dhe shoqërinë, duke e bërë atë më njerëzore dhe më vëllazërore".
Kultivimi i miqësisë me Krishtin
Prej këndej, ftesa e Papës Leoni për të qenë "të bashkuar" me Krishtin, për të qëndruar "në miqësinë e Tij, gjithmonë, duke e kultivuar atë me lutje, adhurim, Kungim Eukaristik, Rrëfim të shpeshtë, bamirësi bujare, siç na mësuan i Lumi Piergiorgio Frassati dhe i Lumi Carlo Acutis".
E në përfundim, porosia më e rëndësishme për të rinjtë:
Ëndërroni për gjëra të mëdha, për shenjtëri, kudo që jeni. Mos u kënaqni me më pak! Atëherë do ta shihni të shndrisë çdo ditë, brenda jush e rreth jush, dritën e Ungjillit!
Së fundmi, djemtë dhe vajzat, që tani po përgatiten të kthehen në vendet e tyre, Papa i inkurajoi të vazhdojnë "ecjen me gëzim në gjurmët e Shëlbuesit" e t’i ‘infektojnë’ edhe të tjerët me “entuziazmin e me dëshminë” e “fesë”.
