Kërko

Papa për Ukrainën: ka shpresë, por duhet të punojmë e të lutemi shumë

Duhet "të kërkojmë vërtet rrugën që të shkojmë përpara, për të gjetur paqen", u tha Papa gazetarëve mbrëmë, para se të kthehej në Vatikan nga Castel Gandolfo, ku pati shkuar për pushimin e dytë, më 13 gusht. Ati i Shenjtë u largua nga Villa Barberini mbrëmë, pak para orës 21:00, pasi përshëndeti disa njerëz, të mbledhur për të pritur largimin e tij. E më pas foli me gazetarët. 100 ditët e para të papnisë i quajti "Bekim nga Zoti"

R.SH. / Vatikan

"Ka shpresë, por ne duhet të punojmë shumë, të lutemi shumë dhe të kërkojmë vërtet rrugën për të shkuar përpara e për të gjetur paqen". Papa Leoni XIV iu përgjigj kështu gazetarëve që po e prisnin, dje në mbrëmje, në dalje të rezidencës papnore në Castel Gandolfo, lidhur me bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, para se të kthehej në Vatikan.

Papa Prevost u largua nga Castel Gandolfo mbrëmë, rreth orës 21:00. Një orë më parë kishte përshëndetur shumë njerëz të mbledhur në rrugë, në pritje të largimit të tij. Kishte rënë muzgu, kur Leoni XIV i kaloi portat e rezidencës papnore të Castel Gandolfos dhe u ndal për të folur me disa besimtarë në festë. Pak më vonë Papa Leoni XIV iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve e, në lidhje me takimet e mundshme me udhëheqës të caktuar, pohoi se "dikush" është në kontakt të vazhdueshëm me të.

"Të lutemi dhe të përpiqemi të ecim përpara"- shtoi Leoni XIV ndërsa kthehej në Vatikan.

20 gusht 2025, 11:35