Afrika e Jugut, Leoni XIV për ipeshkvijtë: vazhdoni të punoni për të mirën e Kishës
R.SH. – Vatikan
Ipeshkvijtë e gjashtë Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Jugore janë mbledhur që nga 24 shtatori në Lozhën Esibayeni në zemër të Mbretërisë së Eswatini-t, si për Asamblenë e 14-të Plenare ashtu edhe për të festuar Jubileun e Artë të IMBISA-s (Takimi Ndër-Rajonal i Ipeshkvijve të Afrikës Jugore). Janë 50 vjet histori, sfida dhe vendime baritore në kontekste, që nuk janë gjithmonë të lehta, shpesh të karakterizuara nga shekullarizimi dhe tensionet socio-politike. Ipeshkvijve të Angolës, Botsvanës, Esëatini-t, Lesotos, Mozambikut, Namibisë, São Tomé dhe Príncipe-s, Afrikës së Jugut dhe Zimbabvesë, Papa u dërgon bekimin e tij, plot "mirënjohje të sinqertë", me një letër, lexuar dje, më 25 shtator, në hapje të takimit, nënshkruar nga Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, kryeipeshkvi Edgar Peña Parra.
“Shenjtëria e Tij”, thuhet në tekst, “shpreh mirënjohjen e tij të sinqertë për shërbimin e çmuar, që asambleja juaj u ka ofruar bashkësive të krishtera të rajonit gjatë pesëdhjetë viteve të fundit. Ai beson se puna e këtij institucioni ndërrajonal do të vazhdojë të mundësojë pjesëmarrjen aktive të Popullit të Zotit në misionin ungjillëzues të Kishës. Ai lutet gjithashtu që, të përforcuar nga lidhjet e solidaritetit vëllazëror, udhëtimi juaj sinodal të ushqehet vazhdimisht nga zemra plot dhembshuri e Zotit, ndërsa punoni për të mirën e Kishës dhe të shoqërisë në përgjithësi”.
Dhembshuri dhe fe
"Një udhëtim sinodal, i ushqyer nga dhembshuria dhe me fe të zjarrtë si shtegtarë të shpresës" është tema e zgjedhur për Asamblenë Plenare, që u hap dje nga kryetari i IMBISA-s, kryeipeshkvi Liborius Ndumbukuti Nashenda, pas meshës së përurimit. Kjo është arsyeja pse Papa thekson aftësinë për ta ndierë tjetrin, për të "vuajtur me" të: jo një afërsi kalimtare, por një afërsi konkrete, e plazmuar nga dashuria e Zotit. E është pikërisht dhembshuria, së bashku me fenë, tipari më i dukshëm me të cilin këta ipeshkvij dhe paraardhësit e tyre janë vënë në shërbim të popullit të Zotit dhe vazhdojnë misionin e tyre.
