Kërko

Konferenca ndërkombëtare e ekzorcistëve në "Fraterna Domus" të Sacrofano-s (foto e marrë nga faqja e internetit e Shoqatës Ndërkombëtare të Ekzorcistëve) Konferenca ndërkombëtare e ekzorcistëve në "Fraterna Domus" të Sacrofano-s (foto e marrë nga faqja e internetit e Shoqatës Ndërkombëtare të Ekzorcistëve)

Leoni XIV: ekzorcistëve, “shërbim delikat dhe tejet i nevojshëm çlirimi dhe ngushëllimi”

Në një mesazh drejtuar konferencës ndërkombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Ekzorcistëve (AIE), të mbajtur në Sacrofano, afër Romës, Papa Leoni XIV ftoi të shoqërohen besimtarët që vuajnë për shkak të të ligut, përmes lutjeve të çlirimit dhe ngushëllimit.

R.SH. / Vatikan

Fjalë vlerësimi për meshtarët ekzorcistë u drejtuan nga Papa Leoni XIV në një mesazh të lexuar gjatë konferencës së 15-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Ekzorcistëve (AIE), e cila u mbajt nga 15 deri më 20 shtator në Shtëpinë e Spiritualitetit "Fraterna Domus" në Sacrofano, në provincën e Romës. Një takim në të cilin morën pjesë rreth 300 priftërinj dhe ndihmës ekzorcistë nga të gjitha kontinentet.

Fitorja mbi të keqen

Papa u kujtoi atyre se sa "delikate" por "shumë e nevojshme" është shërbesa e ekzorcistit, duke inkurajuar meshtarët "ta jetojnë atë si shërbesë çlirimi dhe ngushëllimi, duke shoqëruar besimtarët realisht të pushtuar nga i ligu me lutje dhe thirrjen e pranisë efektive të Krishtit, në mënyrë që përmes sakramentalit të ekzorcizmit Zoti të japë fitoren mbi Djallin".

Gjatë konferencës pati momente lutjeje, dëgjimi dhe reflektimi, në të cilat u theksua rëndësia e shërbesës së ekzorcizmit si "shenjë konkrete – shpjegoi presidenti i Aie, monsinjor Karel Orlita – e dashurisë së Kishës ndaj vëllezërve që vuajnë".

Në Sacrofano, kardinali Arthur Roche, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, kremtoi Meshën për pjesëmarrësit e kësaj konference ndërkombëtare. Në homelinë e tij, kardinali Roche u ndal në kuptimin e shoqërimit të atyre që vuajnë për shkak të djallit dhe që, duke vuajtur, marrin pjesë në vuajtjet e Krishtit.

Ndërsa Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në homelinë e Meshës së kremtuar më 19 shtator, kujtoi se në Kishë të shërbesh do të thotë të marrësh një dhuratë që duhet ruajtur dhe rinovuar me përulësi, prandaj prifti ekzorcist vepron me këtë dhuratë që i përket Krishtit.

Kurs për të luftuar djallin

Ideja e këtij kursii vjetor ka lindur që prej mëse  njëzetë vjetësh, pikërisht për t’i ndihmuar meshtarët të zgjidhin vështirësitë, me të cilat hasen sa herë bien në kontakt me njerëz, që dëshirojnë të lirohen nga pushteti i okultizmit, i satanizmit dhe i magjisë. Gjatë këtyre ditëve formimi, analizohet ekzorcizmi në disa këndvështrime: teologjik, mjekësor, psikologjik.

T’u japim meshtarëve dhe laikëve mjete të përshtatshme formimi për praktikimin e ekzorcizmit dhe për lutjen e lirimit nga djalli. Ky është objektivi kryesor i kursit rreth Ekzorcizmit dhe lutjes së lirimit. Kështu, qëllimi i Kursit është të sigurojë parime të themelta dhe udhëzime të sigurta sjelljeje për ekzorcistët e ardhshëm, duke i ndihmuar ata të mësojnë ato kritere thelbësore dallimi në zbatimin e shërbimit kishtar delikat dhe të vështirë që do t'u besohet.

Kursi në fakt nuk konsiston vetëm në veprimin liturgjik të ekzorcizmit, por edhe në kuptimin nëse shqetësimet, fenomenet, simptomat, manifestimet, shqetësimet dhe vuajtjet e shfaqura nga disa besimtarë kërkojnë shërbimin e ekzorcizmit dhe, nëse vërtet kanë nevojë për ndërhyrjen e ekzorcizmave, për një shoqërim të përshtatshëm.

Eksorcisti, misionar, në ekuilibër të pasigurt

Lutja dhe heshtja duhet të jenë baza e jetës së ekzorcistit të mirë. “Për të qenë efektiv duhet të jetë në gjendje të ketë përshpirtëri aktive dhe të ndërgjegjshme pa u mbytur nga kërkesat e shumta për ndihmë të atyre që kërkojnë të çlirohen nga djalli”- paralajmëron Atë Francois Dermine, ekzorcist. Një karakteristikë tjetër themelore është pajtimi i "shërbimit të ekzorcistit me detyrat e kërkuara nga gjendja e tij, si për shembull rregulltar ose famullitar. Në fund të fundit, bashkësia kërkon që ekzorcisti t’i ushtrojë funksionet e tij brenda së njëjtes bashkësi. Një ekulibër i ndërlikuar”.

Gabimet dhe sjelljet e virtytshme

Ka gabime nga të cilat çdo ekzorcist duhet të përpiqet të shpëtojë. Një nga më të rrezikshmet është nxitimi në aftësinë dalluese. Gjykimet e nxituara kushtojnë shtrenjt si për njeriun, që vuan, ashtu edhe për ekzorçistin, i cili duhet të jetë në gjendje t’i njohë thellësisht njerëzit, që do t’i bekojë". Është e nevojshme ta kuptojmë qartë gjenezën e problemeve të tyre dhe të sëmundjeve të tyre shpirtërore. Për këtë arsye ekzorcisti ka nevojë edhe për ndihmë, duke u këshilluar me njerëz të specializuar: për shembull me një psikiatër, në rast se prifti nuk është në gjendje ta dijë me siguri nëse personi që i drejtohet është nën ndikimin e djallit. Ekzorcizimi i një njeriu, i cili vuan nga çrregullime mendore, vetëm sa mund ta përkeqësojë situatën e tij.

23 shtator 2025, 11:48