Leoni XIV: më 11 tetor, Rruzare për paqen në Sheshin e Shën Pjetrit
R.SH. – Vatikan
Një Rruzare për paqen në Sheshin e Shën Pjetrit, të shtunën, më 11 tetor, ditën kur Kisha përkujton Shën Gjonin XXIII, Papën e enciklikës “Pacem in Terris” dhe mesazhin e tij radiofonik, me të cilin iu lut krerëve të SHBA-së dhe BRSS-së ta "shpëtojnë paqen", në kulmin e krizës së raketave, në Kubë. Gjithashtu, po atë ditë kremtohet përvjetori i hapjes së Koncilit II të Vatikanit, më 11 tetor 1962, me të famshmin "fjalim për Hënën", shqiptuar pikërisht nga Papa Roncalli, në përfundim të një "dite të madhe paqeje". Leoni XIV e njoftoi nismën e lutjes, që do të fillojë në orën 18.00, në kuadrin e Jubileut të Përshpirtërisë Mariane, në fund të audiencës së sotme të përgjithshme.
Rruzarja për paqen, në familje dhe bashkësi
Duke përshëndetur shtegtarët italianë, Papa kujtoi se muaji i ardhshëm, tetori, i kushtohet nga Kisha veçanërisht Rruzares Shenjte.
“Prandaj, i ftoj të gjithë, çdo ditë të muajit të ardhshëm, të thonë Rruzaren për paqen, personalisht, në familje dhe në bashkësi”.
Lutja në Bazilikën e Shën Pjetrit çdo ditë në orën 19.00
Gjithashtu, Papa i ftoi ata, që shërbejnë në Vatikan, "ta jetojnë këtë lutje në Bazilikën e Shën Pjetrit, çdo ditë, në orën 19.00". Pastaj njoftimi:
“Në veçanti, mbrëmjen e së shtunës, 11 tetor, në orën 18.00, do ta bëjmë këtë së bashku, këtu në Sheshin e Shën Pjetrit, në vigjiljen e Jubileut të Përshpirtërisë Mariane, duke kujtuar edhe përvjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit”.
Të çojmë dashurinë e Jezusit mes rrënojave të urrejtjes, që vret
Duke iu drejtuar besimtarëve të gjuhës portugeze, Papa Leoni XIV i nxiti të jenë bartës të dashurisë së Jezusit, që e shndrit dhe e larton njerëzimin, në këtë kohë, mes rrënojave të urrejtjes që vret. Ndërsa, në përshëndetjen drejtuar besimtarëve arabë, Ati i Shenjtë iu drejtua studentëve - në fillim të vitit të ri shkollor - duke i nxitur "ta ruajnë fenë dhe të ushqehen me shkencë, për një të ardhme më të mirë, në të cilën njerëzimi mund të gëzojë paqe dhe qetësi".
Njëqindvjetori i dioqezës së Gdańsk-ut
Së fundi, duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, Papa përshëndeti veçanërisht besimtarët e kryedioqezës së Gdańsk-ut, së bashku me kryeipeshkvin metropolit dhe ipeshkvijtë ndihmës, që ndodhen në Romë për të falënderuar Zotin për njëqindvjetorin e dioqezës së tyre, si edhe shtegtarët e dioqezës së Drohiczyn, së bashku me ipeshkvin e tyre: "Në atdheun tuaj", tha Papa, "është bërë e dukshme mëshira e Zotit".
