Kërko

2025.09.17 Udienza Generale

Leoni XIV: i kushtohet “mëshirës së Samaritanit” Dita Botërore e të Sëmurëve 2026

Tema e zgjedhur nga Papa për Ditën e ardhshme Botërore të të Sëmurëve, që do të kremtohet më 11 shkurt 2026, përqendrohet në figurën ungjillore të njeriut, që na mëson të "duam, duke bartur dhimbjen e të tjerëve". Dikasteri për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor: dashuria kërkon gjeste konkrete afërsie, veçanërisht kujdes për ata që përjetojnë sëmundje, "shpesh në një kuadër të vështirë, për shkak të varfërisë, izolimit dhe vetmisë"

R.SH. – Vatikan

 "Dhembshuria e Samaritanit: të duash, duke bartur dhimbjen e tjetrit". Kjo është tema e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për Ditën e 34-t Botërore të të Sëmurëve, e cila do të kemtohet më 11 shkurt 2026, në festën e Zojës së Lurdës. Një deklaratë e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor pohon se tema, "duke vendosur në qendër të saj figurën ungjillore të Samaritanit, i cili e shfaq dashurinë, duke u kujdesur për njeriun që vuan, rënë në duart e hajdutëve, synon të theksojë këtë aspekt të dashurisë për të afërmin". Vërtet, dashuria "ka nevojë për gjeste konkrete afërsie, me të cilat marrim përsipër vuajtjet e të tjerëve, veçanërisht të të sëmurëve, që shpesh jetojnë në një kuadër të brishtë, për shkak të varfërisë, izolimit dhe vetmisë".

Jezusi është "Samaritani i Mirë" për njerëzimin e plagosur

Edhe sot, Jezu Krishti, "Samaritani i Mirë", përfundon deklarata, i afrohet njerëzimit të plagosur për ta ndihmuar, nëpërmjet sakramenteve të Kishës, me "vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës", duke frymëzuar kështu veprime dhe gjeste ndihme dhe afërsie me të sëmurët. Ky është "revolucioni i dashurisë", për të cilin foli Leoni XIV në homelinë e tij, në meshën e kremtuar më 13 korrik në famullinë papnore të Shën Tomës së Vilanovës në Castel Gandolfo, kushtuar protagonistit të njërës prej shëmbëlltyrave "më të bukura dhe më prekëse" në Ungjill, e cila ka dhembshurinë në qendër.

Të shohim “me sytë e zemrës”

Bota, që duket se e ka lënë mënjanë mëshirën dhe e ka humbur aftësinë për t’u prekur në zemër nga ata, që përjetojnë dhimbje, theksoi atëherë Papa, përfaqësohet nga shikimi i atyre, të cilët - si meshtari dhe leviti - para njeriut të shtrirë në anë të rrugës, pasi kishte rënë në duart e grabitësve, “e panë dhe kaluan përtej”. Ndërkohë, vështrimi i atyre, që shohin “me sytë e zemrës”, është ai i Samaritanit të Mirë, shëmbëllim i Jezusit.

Të bëhemi shenja të dhembshurisë së Zotit në botë

Njerëzimi, vazhdoi Papa, "edhe sot, shpesh, duhet të përballet me terrin e së keqes, me vuajtjet, me varfërinë, me absurditetin e vdekjes". Megjithatë, Zoti "na ka parë me dhembshuri, Ai Vetë deshi të përshkonte të njëjtën rrugë me ne, zbriti mes nesh dhe në Jezusin, Samaritanin e Mirë, erdhi të na shërojë plagët, duke dikuar mbi ne vajin e dashurisë dhe të mëshirës së Tij". Mëshira dhe dhembshuria janë shenja dalluese të Zotit, theksonte Papa Leoni XIV, prandaj, edhe ne duhet ta ndryshojmë zemrën sipas shembullit të tij, pasi edhe ne mund të prekemi, të kemi “një vështrim që sheh dhe nuk kalon përtej, dy duar që ndihmojnë dhe qetësojnë plagët, shpatulla të forta që mbajnë barrën e nevojtarëve". Kështu, "të shëruar dhe të dashur nga Krishti, edhe ne bëhemi shenja të dashurisë dhe të dhembshurisë së Tij në botë".

Gjeste konkrete, që shprehin kujdes për të tjerët

Shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë ka qenë edhe në qendër të audiencës së përgjithshme të Atit të Shenjtë, më 28 maj, gjatë së cilës theksoi se dhembshuria, kujdesi dhe shqetësimi për të tjerët shprehen "përmes gjesteve konkrete". Ashtu si Samaritani, komentoi atëherë, "nëse dëshiron të ndihmosh dikë, nuk mund të mbash distancë; duhet t’i ndotësh duart". Përveçse i pastron plagët njeriut, që gjen në anë të rrugës, Samaritani e merr me vete dhe i gjen një vend, ku e lë, duke paguar nga xhepi i vet. Sjellja e atyre, që nuk ndalen, është e ndryshme, ashtu si e jona kur jeta tejet e ngarkuar na pengon ta shprehim dhembshurinë, pasi mendojmë se punët kanë më tepër përparësi. "Është pikërisht nxitimi kaq i pranishëm në jetën tonë", na kujtoi më 28 maj Papa Leoni XIV, "që shpesh na pengon të ndiejmë dhembshuri. Kush mendon se vetëm udha e tij ka përparësi, nuk ndalet për të tjerët". Shëmbëlltyra, përfundoi Papa, na nxit ta "ndërpresim udhëtimin tonë" dhe "të shprehim dhembshuri", gjë që ndodh "kur e kuptojmë se njeriu i plagosur në rrugë përfaqëson secilin prej nesh", për të cilin Jezusi është kujdesur kaq herë.

26 shtator 2025, 12:08