Leoni XIV: Mureşan, dëshmitar shembullor në kohë persekutimi
R.SH. – Vatikan
"Lutem për shpirtin e këtij shërbëtori të mirë dhe vigjilent, i cili, besnik ndaj motos së tij, diti ta ofrojë jetën edhe në vuajtje, duke iu dorëzuar me besim Atit qiellor". Kështu shkruan Papa Leoni XIV në një telegram ngushëllimi, pas vdekjes së kardinalit rumun Lucian Mureşan, më 25 shtator. Kryeipeshkvi i madh i Fǎgǎraş dhe Alba Iulia të Rumunëve, ishte 94 vjeç. Në mesazhin drejtuar administratorit të Kishës Kryeipeshkvnore Greko-Katolike Rumune, Cristian Dumitru Crişan, si edhe anëtarëve të Sinodit të Ipeshkvijve të Kishës Greko-Katolike Rumune, Papa shpreh "afërsinë e tij me meshtarët dhe besimtarët" e Kishës Greko-Katolike, për të cilën kardinali "ishte atë dhe udhëheqës, si dhe me familjen dhe me të gjithë ata, që vajtojnë ndarjen e tij nga jeta".
“Falënderoj Zotin për dëshminë shembullore të këtij biri besnik të Kishës, i cili nuk u lëkund as në kohë persekutimi”, vazhdon Papa, duke kujtuar “me admirim vështirësitë dhe poshtërimet e duruara me guxim gjatë viteve të sprovave” nga kardinali në Rumani, i cili vazhdoi “t’i shërbejë Krishtit në shërbesën e tij baritore, edhe me rrezikun e lirisë personale”. Ati i Shenjtë thekson “durimin dhe përkushtimin ungjillor”, që dallonin meshtarinë e kardinalit Mureşan, i cili “dëshmoi një dashuri të palëkundur për Krishtin dhe për Kishën, duke shndritur breza besimtarësh”.
«Besoj se, i shoqëruar nga martirët dhe nga të Lumët e Kishës Greko-Katolike Rumune, ai do të mirëpritet në gëzimin e mbretërisë së amshuar», përfundon Papa, i cili u dërgon bekimin e tij apostolik «të pranishmëve në ritin e varrimit» të kardinalit «dhe të gjithë atyre, që përjetojnë dhimbje» për vdekjen e tij.
