Kërko

Papa Leoni XIV u flet pjesëmarrësve në Takimin Jubilar të promovuar në Romë nga Celam Papa Leoni XIV u flet pjesëmarrësve në Takimin Jubilar të promovuar në Romë nga Celam

Leoni XIV: Shtetet të mbështesin familjet e kërcënuara në dinjitetin e tyre

Leoni XIV pret në audiencë pjesëmarrësit e Takimit jubilar të organizuar në Romë nga CELAM (Këshilli Episkopal i Amerikës Latine dhe Karaibeve) për të ardhmen e familjes, dhe tregon modelin e përsosur të Familjes së Shenjtë, duke kujtuar se është largësia nga Zoti, në mëkat, që ushqen "mjerimin, dhunën, indiferencën, braktisjen e më të brishtëve". Zoti na kërkon të shohim të mirën e përbashkët dhe jo përfitimin individual

R.SH. – Vatikan

"Institucionet publike dhe Kisha kanë përgjegjësinë të kërkojnë mënyra për të promovuar dialogun dhe për të forcuar elementet e shoqërisë që favorizojnë jetën familjare dhe edukimin e anëtarëve të saj". Kështu tha Papa Leoni XIV në audiencën e sotme me pjesëmarrësit në Takimin Jubilar të promovuar nga Celam (Këshilli Episkopal Latino-Amerikan dhe Karaibe) për të ardhmen e familjes. "Sot ekzistojnë kërcënime reale ndaj dinjitetit të familjes, si, për shembull, problemet lidhur me varfërinë, mungesën e punës dhe të aksesit në sistemet shëndetësore, abuzimet ndaj më të cenueshmëve, migrimet dhe lufta", theksoi Papa duke cituar nxitjen apostolike Amoris Laetitia

Periferia më radikale është largimi nga Zoti

Një dialog në kontekstin e Jubileut të Shpresës gjatë të cilit Papa Leoni XIV propozon, në fjalimin e tij në spanjisht, siç bënte zakonisht paraardhësi i tij, tre fjalë për të reflektuar  në veçanti për sfidat me të cilat përballen familjet në periferi, veçanërisht në Amerikën Latine dhe Karaibe, në dialog me rajone të tjera të botës: jubile, shpresë dhe familje. Kujton se fjala Jubile, në Besëlidhjen e Vjetër, evokonte kthimin: "në tokë, në gjendjen origjinale të njerëzve të lirë, në origjinën e drejtësisë dhe mëshirës së Zotit". Dhe sot këtë kthim "duhet ta lexojmë si një thirrje për t'u kthyer në qendër të jetës sonë, te vetë Zoti, te Zoti i Jezu Krishtit", tha Ati i Shenjtë Pevost. Sepse periferia më radikale nuk është varfëria materiale dhe as përjashtimi social, por largimi nga Zoti. Dhe pikërisht kjo largësi nga Zoti, në mëkat, është ajo që ushqen dhe mban të gjitha periferitë e tjera: mjerimin, dhunën, indiferencën, braktisjen e më të brishtëve.

Jubileu i Shpresës është kthimi te rrënjët e fesë tonë

Jubileu i Shpresës, vazhdon Papa, "na fton të dalim nga këto periferi dhe të kthehemi te rrënjët tona: te feja e marrë nga prindërit tanë, te lutja këmbëngulëse e gjysheve tona", te jeta e tyre e thjeshtë, e përulur dhe e ndershme "që, si maja, ka mbështetur shumë familje dhe komunitete". Ata na kanë mësuar "se Jezusi është Udha, e Vërteta dhe Jeta" dhe se në të "gjejmë gëzimin tonë të vërtetë: gëzimin e të diturit se jemi në shtëpi, në vendin ku duhet të jemi". Vetë Jezusi, pas ngjalljes, i fton dishepujt të "kthehen në Galile".

Nuk duhet të biem në rrezikun e themelimit të jetës sonë mbi siguri njerëzore dhe mbi pritshmëri botërore.

Qëllime që hyjnë në të mirën e përbashkët

Në fushën sociale, sqaron Papa Leoni XIV, "ky tundim mund të shndërrohet në përpjekjen për të 'mbijetuar', siç thoshte Shën Pier Giorgio Frassati", duke jetuar me subvencione ose duke marrë ndihma, "duke kërkuar gjithmonë një ndihmë që e konsiderojmë të detyruar, në vend që të rrezikojmë vetë". Zoti na kërkon të ndërtojmë mbi bazën e përpjekjeve dhe sakrificave, duke na imponuar qëllime që hyjnë në të mirën e përbashkët dhe jo në përfitimin individual, sipas projektit për të cilin Ai na thërret.

Familja, dhuratë dhe detyrë

Në këtë këndvështrim, për Papën Prevost, “familjen mund ta kuptojmë si dhuratë dhe detyrë”. Zoti na beson Birit të tij Jezus, Nënës së tij Mari, “në çdo bir, në çdo bashkëshorte apo bashkëshort”, siç bëri me Shën Jozefin, “për të qenë, së bashku me ta, bazë, majë dhe dëshmi e dashurisë së Zotit mes njerëzve”. Një “Kishë shtëpiake dhe vatër ku digjet zjarri i Shpirtit Shenjt Zot, përhap ngrohtësinë e tij tek të gjithë dhe në këtë shpresë i fton të gjithë”.

Shën Pali VI dhe shembulli i Familjes së Shenjtë

Leoni XIV kujton më pas homelinë e famshme të Shën Palit VI, në Nazaret, në të cilën, Montini nxiti “të ndjekim shembullin e Familjes së Shenjtë, duke shoqëruar, mbështetur njëri-tjetrin në heshtje, në punë dhe në lutje, në mënyrë që Zoti të realizojë në të projektin e dashurisë që i ka rezervuar”. Kjo është dashuria që mishërohet në çdo jetë të lindur në besim nga pagëzimi. Dhe e përfundon reflektimin e tij me një thirrje për të marrë pjesë “në atë gëzim të pafund që i pushtoi dishepujt kur takuan Jezusin e Ngjallur dhe i çoi ata të shpallnin emrin e tij në të gjithë tokën”. Shën Augustini, thekson Papa, Leoni XIV e përkufizonte këtë “gëzim” si “një gëzim që nuk mund të shprehet me fjalë dhe që është i veçantë, mbi të gjitha, i të Papërshkrueshmit Zot”.

Qofshin familjet tona kjo këngë e heshtur shprese, të afta të përhapin me jetën e tyre dritën e Krishtit, “në mënyrë që gëzimi i Ungjillit të arrijë deri në kufijtë e tokës dhe asnjë periferi të mos mbetet pa dritën e tij”.

Papa Leoni e përfundon fjalimin e tij duke ua besuar pjesëmarrësit e Takimit “ndërmjetësimit të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, përbër nga Jezusi, Maria e Jozefi, modelit të përsosur që Zoti ofron si përgjigje ndaj thirrjes së dëshpëruar për ndihmën e familjeve”. Duke e imituar atë, siguron ati i Shenjtë, “shtëpitë tona do të jenë llamba të ndezura të dritës së Zotit”.

19 shtator 2025, 12:25