Papa komunitetit indonezian të Romës: 'Dialog dhe respekt për paqe dhe harmoni'
R.SH. – Vatikan
Ju nxis të jeni profetë të bashkimit në një botë që shpesh kërkon të ndajë dhe të provokojë. Rruga e dialogut dhe miqësisë mund të jetë sfiduese, por ajo prodhon frytin e çmuar të paqes. Me këto fjalë Papa iu drejtua komunitetit katolik indonezian të Romës dhe përgëzoi angazhimin e tyre në promovimin e një "kulture takimi", në audiencën e mbajtur sot, më 22 shtator, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan.
Duke folur në anglisht, Leoni XIV thekson lidhjen e ngushtë ndëmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit të Azisë Juglindore - që këtë vit kremtojnë 75 vjet marrëdhënie diplomatike -, duke kujtuar gjithashtu edhe "vizitën historike" të Papa Françeskut në Xhakartë, një vit më parë, nga 2 deri më 6 shtator.
Ky udhëtim, vazhdon Papa Prevost, solli një "mesazh shprese në arkipelagun tuaj të gjerë", thelloi "miqësinë" midis dy shteteve dhe i paraqiti botës "një shprehje të prekshme të bashkëpunimit ndërfetar përmes Deklaratës së Istiqlal, nënshkruar nga Papa Bergoglio dhe Imami i Madh i xhamisë Istiqlal me qëllim promovimin e unitetit për të mirën e njerëzimit".
"Sot gëzohemi për këto lidhje miqësie dhe për praninë tuaj këtu, së bashku me autoritetet civile që përfaqësojnë Indonezinë", nënvizoi Leoni XIV, duke shtuar se "që nga fillimi Selia e Shenjtë ka ecur krah për krah" me kombin, "duke njohur pavarësinë e tij menjëherë pas lindjes". "Në këto dekada janë ndërtuar lidhje të mbështetura në dialogun, respektin dhe angazhimin e përbashkët për paqen dhe harmoninë", thekson Ati i Shenjtë.
Uniteti në diversitet
Papa më pas vë në dukje "aktet e shërbimit të heshtur" që kryejnë indonezianët - vendi i të cilëve është themeluar mbi moton "uniteti në larmi" - për të promovuar paqen dhe harmoninë. "Edhe larg shtëpisë, ju ruani traditat tuaja të gjalla dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Ju falënderoj për lidhjet e forta që mbani me fqinjët si të krishterë ashtu edhe jo të krishterë", vazhdon Leoni XIV. Duke cituar fjalët e Papa Françeskut në Xhakartë, Leoni XIV thekson se "popujt e Indonezisë përbëjnë një 'ind lidhës' kur janë të bashkuar e të lidhur nga kërkimi i të mirës së përbashkët" dhe "në fakt, ruajtja e harmonisë në mesin e diversitetit i ngjan një 'pune artizanale delikate besuar të gjithëve'".
Ndërtimi i harmonisë në shoqëri
Shoqëria, pohon më pas Leoni XIV "inkurajohet nga mënyrat me të cilat" bshkësia indoneziane "e vënë në praktikë këtë solidaritet, nga mirëpritja e migrantëve të rinj deri te bashkëndarja" e "kulturës me komunitetet lokale". Ati i Shenjtë Prevost shpjegon se "këta janë shembuj të qartë të 'kulturës së takimit', e cila është themeli i paqes dhe bashkimit".
Ju tregoni se është e mundur të jesh si katolik besnik, ashtu edhe indonezian krenar, i përkushtuar ndaj Ungjillit dhe i përkushtuar ndaj ndërtimit të harmonisë në shoqëri.
Duke uruar që ata të vazhdojnë të "jenë ndërtues urash midis popujve, kulturave dhe besimeve", "shtegtarë të shpresës" dhe "artizanë të paqes", Papa r përfundon takimin i cili "në vetvete është shenjë e fryteve të mira të fesë dhe unitetit", duke ua besuar pjesëmarrësit Virgjrës Mari dhe duke kërkuar "që Zoti ta bekojë Indonezinë" me "unitet dhe shpresë të qëndrueshme".
