Papa: Jezusi hyn në ferrin e përditshëm të çdo njeriu jo për të gjykuar, por për të çliruar

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa shpjegon se të Shtunën e Madhe të Pashkëve Jezusi zbret në ferr për të shpëtuar njerëzimin, arrin tek ne me dashurinë e tij në “atë gjendje ku jeta është e dobësuar dhe mbretërojnë dhimbja, vetmia, faji dhe ndarja nga Zoti dhe nga të tjerët”. “Nuk ka të kaluar aq të shkatërruar, nuk ka histori aq të kompromentuar sa të mos mund të preket nga mëshira e Zotit”

R.SH. – Vatikan

“Misteri i së Shtunës së Madhe” të Pashkëve është tema e katekizmit të tetë kushtuar Pashkëve të Jezusit që Papa Leoni XIV zhvillon në audiencën e përgjithshme të mbajtur sot paradite, më 24 shtator, në kuadër të ciklit jubilar “Jezu Krishti shpresa jonë”, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Përmbushja e dashurisë së Zotit

Ajo ditë pas vdekjes së Krishtit “në të cilën gjithçka duket e palëvizshme dhe e heshtur” është në të vërtetë momenti kur “përmbushet një veprim i padukshëm shpëtimi”. Jezusi “zbret” në fakt “në mbretërinë e të vdekurve për të sjellë lajmin e Ringjalljes” atyre që “ishin në errësirë dhe në hijen e vdekjes”, prandaj “e Shtuna e Madhe e Pashkëve është përqafimi i heshtur me të cilin Krishti ia paraqet gjithë krijimin Atit për ta rivendosur në planin e tij të shpëtimit”. Bëhet fjalë për “gjestin më të thellë dhe rrënjësor të dashurisë së Zotit për njerëzimin”, thekson Papa: Krishti jo vetëm vdiq për ne, por “besnikëria e dashurisë së tij deshi të na kërkonte atje ku ne vetë ishim humbur”, deri këtu është shtyrë “forca” e “dritës” së Zotit, “e aftë të kalojë dominimin e errësirës”.

Nëse Jezusi zbriti “deri atje, asgjë nuk mund të përjashtohet nga shëlbimi i tij”, thekson Papa Leoni, as “netët tona”, as “fajet tona më të vjetra”, dhe as “lidhjet tona të thyera”. Nuk ka të kaluar aq të shkatërruar, nuk ka histori aq të kompromentuar sa të mos mund të preket nga mëshira e Zotit. Të dashur vëllezër dhe motra, të zbresësh, për Zotin, nuk është një humbje, por përmbushja e dashurisë së tij. Nuk është një dështim, por rruga përmes së cilës Ai tregon se asnjë vend nuk është shumë larg, asnjë zemër shumë e mbyllur, asnjë varr shumë i vulosur për dashurinë e tij.

Kur, pastaj, “na duket se kemi prekur fundin”, duhet të kujtojmë se “ai është vendi nga ku Zoti është i aftë të fillojë një krijim të ri”, ku  “njerëzit ngrihen sërish në këmbë”, “ ku zemrat falen”, “lotët thahen”.

Ajo gjendje ku mbretëron vetmia

Dhe Papa në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme ndalet pikërisht te ferri, duke sqaruar se “në konceptin biblik” duhet të kuptohet si “një gjendje ekzistenciale: ajo gjendje ku jeta është e dobësuar dhe mbretërojnë dhimbja, vetmia, faji dhe ndarja nga Zoti e nga të tjerët”. “Krishti na arrin edhe në këtë humnerë”, siguron Papa Leoni, në praktikë hyn “në shtëpinë e vetë vdekjes, për ta zbrazur, për të çliruar banorët e saj, duke i marrë për dore një nga një”. E gjithë kjo na tregon se “përulësia” e Zotit “nuk ndalet para mëkatit tonë” dhe “nuk trembet përballë refuzimit ekstrem të qenies njerëzore”.

Vdekja për shkak të së keqes dhe mëkatit

Duke folur për zbritjen e Jezusit në ferr, Papa përmend Letrën e parë të Pjetrit (1Pt 3,19), në të cilën lexohet se Krishti “shkoi për të sjellë lajmin e shpëtimit ‘edhe shpirtrave në burg’”, një imazh “i zhvilluar”, në Ungjillin e Nikodemit, një tekst apokrif, ku shpjegohet se “Biri i Zotit ka hyrë në errësirën më të thellë për të arritur edhe të fundit nga vëllezërit dhe motrat e tij, për të sjellë edhe atje dritën e tij”. Nga këto faqe del se “vdekja nuk është kurrë fjala e fundit”, vëren Papa, i cili më pas i drejtohet njeriut të sotëm për të sakëtësuar se “kjo zbritje e Krishtit nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por prek jetën e secilit prej nesh”.

Ferri nuk është vetëm gjendja e atij që ka vdekur, por edhe e atij që jeton vdekjen për shkak të së keqes dhe mëkatit. Është gjithashtu edhe ferri i përditshëm i vetmisë, i turpit, i braktisjes, i vështirësive për të jetuar. Krishti hyn në të gjitha këto realitete të errëta për të na dëshmuar dashurinë e Atit. Jo për të gjykuar, por për të çliruar. Jo për të fajësuar, por për të shpëtuar. E bën pa bujë, me kujdes, si ai që hyn në një dhomë spitali për të ofruar ngushëllim dhe ndihmë.

Me autoritet dhe ëmbëlsi

Nga Etërit e Kishës kemi përshkrimin e Jezusit që arrin njeriun në errësirat e tij, “si një takim: atij midis Krishtit dhe Adamit”, shton Leoni XIV, i cili hap një lexim më të gjerë.

Zoti zbret atje ku njeriu është fshehur nga frika, dhe e thërret me emër, e merr për dore, e ngre, e kthen në dritë. E bën me autoritet të plotë, por edhe me ëmbëlsi të pafundme, si një baba me fëmijën që ka frikë se nuk është më i dashur.

Solidariteti i Zotit

Disa ikona lindore që paraqesin Ringjalljen me Krishtin “ndërsa thyen dyert e ferrit dhe, duke shtrirë krahët, kap kyçet e Adamit dhe Evës”, bëjnë të kuptohet, pastaj, se Jezusi “nuk kthehet në jetë vetëm, por tërheq me vete gjithë njerëzimin”.

Kjo është lavdia e vërtetë e të Ngjallurit: është fuqi dashurie, është solidariteti i një Zoti që nuk dëshiron të shpëtojë pa ne, por vetëm me ne. Një Zot që nuk ringjallet nëse nuk përqafon mjerimet tona dhe nuk na ngre në dritën e një jete të re.

E Shtuna e Madhe, pra, “është koha kur çdo cep i historisë njerëzore preket nga drita e Pashkëve”, përfundon Papa katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme kushtuar Pashkëve të Jezusit .

24 shtator 2025, 11:13

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >