Leoni XIV: ipeshkvijtë janë në shërbim të popullit të Zotit, roje të thesarit të fesë
R.SH. - Vatikan
T'i lutemi Zotit të dërgojë në Kishën e tij shërbëtorët e zjarrtë në bamirësinë ungjillore, të përkushtuar për të mirën e të gjithë të pagëzuarve dhe misionarë të guximshëm në çdo pjesë të botës.
Kjo ishte ftesa e Papës Leoni në fund të katekizmit të tij në audiencën e sotme të përgjithshme, 25 mars, në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar përsëri dokumenteve konciliare, veçanërisht Kushtetutës Dogmatike mbi Kishën, Lumen Gentium, të 21 nëntorit 1964. Papa, pas një sjelljeje të gjatë me papamobil në Sheshin e Shën Pjetrit, u ndalua tek kapitulli i tretë i dokumentit, që përqendrohet në "Kushtetutën hierarkike të Kishës e, në veçanti, të episkopatit". Ipeshkvi i Romës theksoi se struktura hierarkike "nuk është lëndë njerëzore", por "institucion hyjnor" dhe se barinjtë janë të thirrur për t'i shërbyer popullit të Zotit, sepse është "detyrë", që ua besoi vetë Zoti. Në këtë mënyrë, ata transmetojnë thesarin "e fesë, të shembujve, parimeve dhe karizmave të lëna nga Krishti në Kishën e tij".
Shtylla të gjalla
Leoni XIV kujton se Apostujt janë "dëshmitarë autoritarë të ringjalljes së Jezusit dhe të dërguar nga vetë Zoti në mision nëpër botë". Ata nga ana tjetër, ua kalojnë shërbesën burrave të cilët, "deri në kthimin e Krishtit, vazhdojnë ta shenjtërojnë, ta udhëheqin dhe ta udhëzojnë Kishën nëpërmjet pasardhësve të tyre në misionin baritor".
Kisha Katolike e ka themelin tek Apostujt, të zgjedhur nga Krishti si shtylla të gjalla të trupit të tij mistik, dhe zotëron një dimension hierarkik që i shërben unitetit, misionit dhe shenjtërimit të të gjithë anëtarëve të saj.
Përjetësimi i misionit të Apostujve
Kushtetuta hierarkike, pohon Papa, nuk është element pasues në lidhje me Popullin e Zotit sepse, siç thuhet në dekretin mbi veprimtarinë misionare të Kishës, Ad Gentes, "Apostujt ishin njëkohësisht fara e Izraelit të ri dhe origjina e hierarkisë shenjte".
Koncili na mëson se struktura hierarkike nuk është vepër njerëzore, që i shërben organizimit të brendshëm të Kishës si trup shoqëror (shih LG, 8), por institucion hyjnor, i cili synon të përjetësojë misionin që Krishti ua dha Apostujve deri në fund të fundit të kohës.
Meshtaria ministeriale
Duke u ndalur më pas te fjala “kushtetutë”, që përmbahet në titullin e kapitullit të tretë të Lumen Gentium, Papa kujton se qëllimi i Etërve të Koncilit – “të shpjegojnë strukturën themelore të Kishës, marrë nga Hyji Atë nëpërmjet Birit dhe të plotësuar me dikimin e Shpirtit Shenjt” - kuptohet nëse kemi parasysh se dokumenti përqendrohet te “meshtaria shërbestare ose hierarkike, e cila ndryshon në thelb, e jo vetëm në shkallë, nga priftëria e përbashkët e besimtarëve, duke kujtuar se këto janë ‘të renditura sipas njëra-tjetrës, pasi të dyja, secila në mënyrën e vet, marrin pjesë në të vetmen meshtari të Krishtit’.
Kështu, Koncili trajton shërbesën që u transmetohet burrave të pajisur me sacra potestas – pushtetin shenjt - për shërbim në Kishë: përqendrohet posaçërisht te episkopati, pastaj te presbiteri dhe diakonati si gradë të sakramentit të vetëm të Urdhrave Shenjte.
Kolegjialiteti i misionit apostolik
Fjala "Hierarkik", shpjegon Papa Leoni, duke pasur parasysh kushtetutën e Kishës, tregon për Etërit konciliarë "origjinën e shenjtë të shërbesës apostolike në veprimin e Jezusit, Bariut të Mirë, si dhe në marrëdhëniet e tij të brendshme". Prandaj Ipeshkvijtë, shton, nëpërmjet priftërinjve dhe diakonëve, kanë për detyrë t'u shërbejnë atyre që i përkasin Popullit të Zotit, "në mënyrë që të mund të përpiqen lirisht dhe me rregull për të njëjtin qëllim dhe të arrijnë shëlbimin".
Lumen Gentium kujton vazhdimisht, në mënyrë efektive, natyrën kolegjiale dhe komunitare të këtij misioni apostolik, duke përsëritur se "detyra që Zoti ua ka besuar barinjve të popullit të tij, është shërbim i vërtetë që, në Shkrimin Shenjt, quhet në mënyrë domethënëse 'diakonia', domethënë shërbesa".
Në përfundim, Papa kujton përkufizimin e Shën Palit VI për "hierarkinë", të cilën ai e konsideronte si realitet "lindur nga dashuria e Krishtit, për të realizuar, për të përhapur dhe për të garantuar transmetimin e paprekur dhe të frytshëm të thesarit të fesë, shembullit, parimeve dhe karizmave, që ia la vetë Krishti Kishës së tij".
