Papa: të bëhemi të vegjël sipas Ungjillit për t’i kuptuar dhe për t'u shërbyer ëndrrave të Zotit
R.SH. – Vatikan
“Jubileu na bën shtegtarë të shpresës, sepse e ndiejmë me intuitë nevojën e madhe për ripërtëritje, që ka të bëjë me ne e me gjithë tokën”.
Shpresa dhe intuita: këto janë dy fjalët, që Papa Leoni XIV i lidhi në audiencën jubilare të paradites së sotme, 27 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa mbërriti para orës 10.00 me xhipin e tij të bardhë dhe, para se të arrinte në tremen e Bazilikës së Vatikanit për të mbajtur katekizmin, bëri një xhiro në mes të besimtarëve, duke u ndalur për të shkëmbyer përshëndetje dhe për të bekuar fëmijët.
Zoti u zbulohet të vegjëlve
Në meditimin e tij, Ati i Shenjtë u përqendrua veçanërisht në fjalën “intuitë”, e cila “përshkruan atë lëvizje të shpirtit, atë inteligjencë të zemrës”, të cilën Jezusi e gjeti “sidomos te të vegjlit, pra, te njerëzit me shpirt të përvuajtur”. Duhet ta lëmë të hapur mendjen e zemrën, që Zoti të na zbulohet, vërejti ai”. “Intuita është instinkti i të vegjëlve për Mbretërinë që do të vijë”, shpjegoi Papa, duke i nxitur besimtarët “të bëhen të vegjël sipas Ungjillit, në mënyrë që t’i kuptojmë e t’u shërbejmë ëndrrave të Zotit”.
"Shqisa e gjashtë" e njerëzve të thjeshtë
Të diturit, ndryshe nga njerëzit e thjeshtë, shpesh, "e përdorin pak intuitën, sepse mendojnë se dinë", vërejti Papa, duke theksuar se "kur lindin intuita të reja në mesin e popullit të Zotit", lind shpresa.
“Të vegjlit kuptojnë me intuitë. Ata kanë ‘sensus fidei’, i cili është si një "shqisë e gjashtë" e njerëzve të thjeshtë për gjërat e Zotit. Zoti është i thjeshtë dhe u zbulohet të thjeshtëve. Për këtë arsye, populli i Zotit është i pagabueshëm në fe e pagabueshmëria e Papës është shprehje e kësaj dhe shërbim”.
Historia e Shën Ambrozit
Një shembull shprese, lindur "nga aftësia e popullit për t’i kuptuar gjërat me intuitë" është historia e Shën Ambrozit, i cili përpara se të bëhej ipeshkëv ishte guvernator i Milanos në shekullin IV. Ai pati ndërhyrë "me aftësi të madhe për të dëgjuar dhe për të ndërmjetësuar", duke sjellë "qetësi" në një kohë kur "Kisha ishte e përçarë nga konflikte të mëdha dhe zgjedhja e një ipeshkvi të ri po shndërrohej në një trazirë të vërtetë", tregoi Papa Leoni XIV. Papritmas, "zëri i një fëmije" u dëgjua fort: "'Ambrozi, ipeshkëv!" E kështu, i gjithë populli kërkoi të njëjtën gjë. Ambrozi "ishte vetëm katekumen, domethënë, po përgatitej për Pagëzim", por populli "ndjeu me intuitë diçka të thellë" në të "dhe e zgjodhi". Fillimisht, Ambrozi "nuk donte" dhe "iku", "pastaj e kuptoi se ishte thirrja e Zotit, prandaj, u pagëzua dhe u shugurua ipeshkëv”. Kështu, vuri në dukje Papa, "Kisha pati një nga ipeshkvijtë e saj më të mëdhenj, Doktor të Kishës", me intuitën e të vegjëlve. Ambrozi "u bë i krishterë, duke shërbyer si ipeshkëv".
“Edhe sot, ky është hir, që i duhet kërkuar Zotit: të bëhemi të krishterë, ndërsa jetojmë thirrjen e marrë prej Tij! A je nënë, baba? Bëhu i krishterë si nënë e si baba. A je sipërmarrës, punëtor, mësues, prift, murgeshë? Bëhu i krishterë në rrugën, që ke ndërmarrë. Njerëzit e kanë këtë “ndjesi”: ata e kuptojnë nëse po sillemi si të krishterë apo jo. E mund të na korrigjojnë, mund të na drejtojnë në udhën e Jezu Krishtit”.
Intuita është mënyrë për të shpresuar
Duke vijuar të flasë për shën Ambrozin, Leoni XIV shtoi se ai i ktheu "shumë gjëra popullit të tij", shpiku "mënyra të reja për të kënduar psalme dhe himne, për të kremtuar, për të predikuar". "Ai dinte të kuptonte me intuitë e kështu, shpresa shumëfishohej", theksoi Papa, duke kujtuar se edhe Shën Augustini u kthye në fenë e krishterë falë "predikimit" të tij dhe se u pagëzua pikërisht nga ipeshkvi i Milanos.
“Intuita është mënyrë për të shpresuar, të mos e harrojmë! Zoti e çon përpara Kishën e tij edhe në këtë mënyrë, duke i treguar asaj rrugë të reja”.
